Gjurmë gishtërinjsh në vendin e vrasjes së komisarit Cuku

Grupi hetimor ka gjetur mbetje biologjike dhe gjurmë gishtërinjsh në vendin, ku mbeti i vrarë ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Ekspertët e kriminalistikës dyshojnë se ato i përkasin vrasësit. Bëhet e ditur se, grupi hetimor dhe ekspertët po punojnë mbi këto prova në përpjekje për të krijuar një profil gjenetik nëpërmjet AND së atentatorit, që është filmuar edhe nga disa kamera sigurie pranë pallatit të të ndjerit dhe duke u larguar pas krimit.
Nga pamjet filmike, hetuesit e kanë patur të pamundur ta identifikojnë atentatorin. Profile gjenetik, thonë ekspertët, do të krahasohet me persona të dyshuar si autorë të ngjarjes së bujshme.
Edhe gjurmët e gishtërinjve po krahasohen me persona të dyshuar apo të skeduar nga policia. Deri tani kërkimet nuk kanë dhënë rezultat, pasi bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm gjurmësh, shumë prej të cilave u përkasin edhe banorëve të pallatit apo të afërmve të tyre.
Në pamjet filmike të shpërndarë nga policia, atentatori shihet teksa kalon hekurat e shkallëve të pallatit ku banonte dhe pikërisht në këto hekura janë gjetur disa gjurmë që dyshohet se i përkasin atij.
Pjesa tjetër e gjurmëve janë në korridorin e pallatit, ku mbeti i vrarë Artan Cuku dhe sipas policisë, autori mund të ketë lënë gjurmë apo mbetje të tjera biologjike teksa është përleshur me viktimën. Dyshimet e policisë janë se atentatori mund të jetë një vrasës me pagesë. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ai të mos jetë shtetas shqiptar, por një i huaj i paguar për krimin.