Fitore me vuajtje e Arsenalit

Arsenali nuk heq dorë nga përpjekjet për të siguruar një vend në eliminatoret e Ligës së kampioneve sezonin e ardhshëm. Skuadra e Arsen Vengerit sot mori tri pikë të rëndësishme falë fitores 2-1 ndaj Midëllsbrout në ndeshjen përmbyllëse të javës së 33-të të Premier Ligës.
Duelin në “Riverside Stadium” e zhbllokoi Aleksis Sançez me një perlë nga goditja e dënimit tri minuta para fundit të pjesës së parë, por Alvaro Negredo riktheu baraspeshën pak pas pushimit (50’). Megjithatë, në të 71-ën, Mesut Ozil realizoi golin e suksesit për “Topçinjtë”, duke finalizuar një aksion model.
Falë këtij trepikëshi skuadra londineze barazon Evertonin në vendin e gjashtë me 57 pikë, -7 nga Mançester Siti që mban vendin e katërt, por që ka luajtur një ndeshje më shumë. Midëllsbrou, ndërkaq, mbetet i parafundit dhe duket se do ta ketë të vështirë mbijetesën në elitën e futbollit anglez.