Erdogan, qeverisje me dorë të hekurt

Referendumi i 16 prillit për amendimet kushtetuese, për të zhvendosur sistemin e qeverisjes së vendit në një presidencë ekzekutive, shënon një fitore për të gjithë në Turqi, deklaroi Presidenti Erdogan, në komentet e tij të para mbi rezultatet.
“16 prilli është fitore për të gjithë Turqinë, për cilindo që votoi edhe pro, edhe kundër, në 80 milionë banorët, 81 provincat dhe 780 mijë katrorët e vendit. Turqit që jetojnë jashtë vendit janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e kësaj fitoreje”, tha Erdogani në një konferencë shtypi në Pallatin Huber në Stamboll, duke thënë se sipas rezultateve jo zyrtare, janë hedhur 25 milionë vota “pro”.
Erdogani gjithashtu e quajti vendimin e publikut për të miratuar sistemin e ri të qeverisjes, një vendim historik dhe falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen e tyre, me qëllim krijimin e një posti presidencial me kompetenca të zgjeruara në masë të madhe.
“Turqia dha një vendim historik mbi sistemin e saj të qeverisjes, gjë që ka qenë çështje e debatueshme për 200 vjet”, tha Erdogan, duke falënderuar të gjithë qytetarët që iu drejtuan kutive të votimit, pavarësisht nga ngjyra e votës të tyre.
“Siç u shpreha teksa hidhja votën time sot, ky amendim kushtetues nuk është një ndryshim i zakonshëm. Është shumë i ndryshëm dhe shumë kuptimplotë”, tha ai.
“Është hera e parë që ne ndryshojmë sistemin e qeverisjes, me dorën e politikës qytetare. Në këtë kuptim është shumë i rëndësishëm”, shtoi Erdogani.
Presidenti tha gjithashtu se vendi ishte duke realizuar reformën më të rëndësishme të qeverisjes, në histori. “Siç ka ndodhur gjithmonë, në këtë referendum ka qenë e kollajtë të mbrosh atë që ekziston dhe e vështirë të mbrosh ndryshimin. Falë Zotit kemi arritur një gjë të vështirë dhe po realizojmë reformën më të rëndësishme të qeverisjes në historinë tonë, me ndihmën e kombit tonë”, tha ai.
Presidenti theksoi gjithashtu se votat e hedhura sidomos nga provincat lindore dhe juglindore kishin një domethënie të veçantë, duke vërejtur se të gjithë provincat në juglindje kishin patur një rritje mes 10 dhe 20 për qind.
Po kështu, duke iu drejtuar turmës që festonte rezultatet e referendumit përpara pallatit, Erdogani tha se do të diskutonte menjëherë çështjen e rikthimit të dënimit me vdekje, me kryeministrin dhe liderin e Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP).
“Unë do ta diskutoj menjëherë këtë çështje me Kryeministrin dhe z. Bahçeli. Unë do të them që ‘gjithmonë e kam inkurajuar këtë gjë’, z. Bahçeli ka thënë se ‘Do e mbështes’ dhe z. Yildirim po kështu. Por edhe Kiliçdaroglu ka thënë se do e mbështesë. Nëse ai vërtet e mbështet dhe vjen puna tek unë, do ta miratoj. Përndryshe, çfarë do të bëjmë? Do të kemi një tjetër referendum edhe për atë”, tha Erdogani.

Si ndryshon Kushtetuta
Qytetarët turq kanë votuar dhe miratuar me një shumicë të ngushtë ndryshimet e 18 neneve të Kushtetutës së vendit, një nismë që u mor pas grushtit të shtetit të vitit që kaloi. Ja si do të jetë Turqia e re pas ndryshimeve kushtetuese:
Kryeministri. Me miratimin e referendumit, roli i Kryeministrit nuk do të ekzistojë më. Presidenti do të jetë kreu i ekzekutivit, përveçse edhe kreu i shtetit. Ai mund të emërojë dy ose më shumë zëvendëspresidentë, si dhe të gjithë ministrat.
Asnjë rol garancie. Presidentit nuk i duhet të marrë më një rol neutraliteti kundrejt politikës dhe mund të jetë në krye të një partie, ashtu si po ndodh praktikisht, qëkurse Erdogani u zgjodh president. Për shembull, në këtë fushatë elektorale, Erdogani nuk është kursyer në reklamat elektorale dhe ka ftuar popullsinë të votojë pro.
Dekrete ekzekutive. Për herë të parë që nga lindja e Republikës turke, presidenti do të ketë kompetencën të përgatisë buxhetin, nxjerrë dekrete ekzekutive, zgjedhë pjesën më të madhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, të emërojë kreun e shërbimit të fshehtë, të kontrollojë Forcat e Armatosura, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të shpërndajë Parlamentin (por në këtë rast është e detyrueshme thirrja e zgjedhjeve të reja). Të gjitha këto mund t’i bëjë pa miratimin e Parlamentit.
Parlamenti. Parlamenti do të humbasë fuqinë për të ngritur hetime ndaj ministrave dhe për të votëbesuar qeverinë. Por mund të kërkojë impeachment për presidentin, nëse do të ketë shumicën me dy të tretat. Numri i deputetëve do të rritet nga 550 në 600. Mosha për t’u zgjedhur deputet do të zbresë nga 25 në 18 vjeç.
Zgjedhjet. Zgjedhjet do të mbahen një herë në pesë vjet, nga një herë në katër vjet që mbaheshin deri më sot dhe do të përkojnë me zgjedhjet për presidentin. Reforma e fikson votimin e parë më 3 nëntor 2019.
Të drejtat e njeriut. Nuk do të jetë e mundur të nxirren dekrete mbi ligjet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut apo tema që modifikojnë një ligj ekzistues. Gjykatat do të duhet të vendosin nëse një dekret bie ndesh me një ligj ekzistues.
Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do të ketë kompetencën që të vendosë për impeachment-in e presidentit, me kërkesë të Parlamentit. Por 12 nga 15 gjykatës do të emërohen nga vetë presidenti dhe tre do të zgjidhen nga Parlamenti.
Gjykatat ushtarake. Gjykatat ushtarake do të eliminohen, përveç rasteve kur duhet të vendosin mbi sjelljen e ushtarakëve gjatë luftës.