Droga, Prokuroria çon në burg Doganën dhe Policinë e Portit

Prokuroria urdhëroi arrestimin e shefit të Policisë në Portin e Durrësit, Julian Doraci dhe 17 efektivë policie e doganierë në doganën e Qafë-Thanës, Tiranës dhe Durrësit, pasi kaluan tonelata me drogë drejt Italisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se, ka urdhëruar arrestimin e 10 punonjësve të Policisë në Portin e Durrësit, përfshirë edhe shefin e stacionit policor, si edhe 8 doganierë të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës. Ata dyshohet se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 tonë kanabis sativa nga Shqipëria në Itali, në shkurt dhe mars 2017.
Prokuroria për Krime të Rënda i akuzon policët dhe doganierët për veprën penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”. Mësohet se, policia i ka ekzekutuar urdhër arrestet, duke vënë në pranga 18 personat e akuzuar.

Dy rastet e trafikut

Rasti i parë, i ndodhur në datën 05.02.2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 tonë drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në Portin e Durrësit.
Policët dhe doganierët e turnit në Qafë-Thanë, sipas hetimeve të Prokurorisë, ishin në dijeni. Ata janë filmuar, duke folur me shoferin, pasi ka kaluar kamioni. Janë regjistruar nga kamerat e sigurisë. Kanë qëndruar për disa minuta, duke biseduar.
Kamioni me 8 tonë drogë u nis qetësisht drejt Durrësit. Edhe aty kontrollet do të ishin vetëm një formalitet. Policë e doganierë kishin rënë dakord me trafikantët e drogës, thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Bashkëpunimi do t’u sillte fitime marramendëse. Kamioni me 8 tonë drogë do të shitej së paku 10 milionë euro në Itali. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë-Thanës.
Rasti i dytë ka ndodhur në datën 24 mars të këtij viti, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 tonë kanabis në bord. Kamioni ishte mbushur me drogë në Tiranë. Ishte kontrolluar nga doganierët e Vorës. Tre prej tyre kishin dijeni për drogën, sipas Prokurorisë. Pak orë pas peshimit dhe vulosjes, kamioni kalon në Durrës. Policët dhe doganierët që duhet ta kontrollonin kryejnë procedura formale. Kamioni kalon dhe kapet në Itali.
Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se, kjo ishte një formë e organizuar bashkëpunimi mes doganierëve e policëve kufitarë dhe trafikantëve të drogës.

Hetimet e Prokurorisë

Prokuroria për Krime të Rënda bëri të ditur se, në bazë të informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane për kapjen e këtyre ngarkesave me lëndë narkotike, ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike.
“Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, Prokuroria vlerëson se, bazuar në veprimet e punonjësve të Policisë Kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganorë, Qafë Thanë, si edhe atyre të Portit Durrës, Doganës Durrës dhe Doganës Tiranë, ekziston një formë e organizuar bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjeteve kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali. Të dyshuarit e këtij hetimi janë të përfshirë në njërin ose në të dy episodet, të cilat janë pjesë e të njëjtit procedim penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, Prokuroria vlerëson se, bazuar në veprimet e punonjësve të Policisë Kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganorë, Qafë-Thanë, si edhe atyre të Portit Durrës, Doganës Durrës dhe Doganës Tiranë, ekziston një formë e organizuar bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjeteve kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali. Të dyshuarit e këtij hetimi janë të përfshirë në njërin ose në të dy episodet, të cilat janë pjesë e të njëjtit procedim penal.

18 policët dhe doganierët e arrestuar

Prokuroria bëri të ditur se pas përfundimit të hetimeve ka lëshuar fletë-arrestet për 18 zyrtarë e efektivë policie si dhe doganierë. Të arrestuarit janë: Ymer Blloshmi, doganier, përgjegjës turni, Qafë-Thanë. Iliras Malja, doganier pranimi/verifikimi, Qafë-Thanë. Maliq Kadilli, agjent doganor, Qafë-Thanë. Kastriot Topulli, agjent doganor, Qafë-Thanë. Gëzim Dervishi, specialist në Policinë e Portit Durrës. Mexhit Xhixha, specialist, struktura antidrogë, Policia e Portit Durrës. Roland Metani, specialist, struktura antidrogë, Policia e Portit Durrës. Agron Kapllani, specialist, struktura antidrogë, Policia e Portit Durrës. Gentian Selmani, specialist, struktura antidrogë, Policia e Portit Durrës. Medi Demiri, kontrollor, Policia e Portit, Durrës. Fatmir Plaku, kontrollor, Policia e Portit, Durrës. Julian Doraci, shef i Stacionit Policor, Porti Durrës. Edmond Luzi, doganier eksporti, Porti Durrës. Ylli Vogli, doganier peshore, Dogana Vorë (Tiranë). Vladimir Ziu, doganier regjimi, Dogana Vorë (Tiranë). Erald Kulla, agjent doganor, Dogana Vorë (Tiranë). Behar Sula, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës. Nezir Bardhoshi, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës.

Kush është shefi i policisë që u arrestua për 10 tonelatat e drogës

Shefi i Policisë në Portin e Durrësit, Julian Doraci është njëri nga 18 të arrestuarit për tonelatat e drogës drejt Italisë. Ai u arrestua bashkë me 17 policë e doganierë të tjerë në Durrës, Tiranë dhe Qafë-Thanë me akuzën se kanë lejuar mbi 10 tonë drogë të kalojnë drejt Italisë me kamionë, të paktën në dy raste. Komisar Julian Doraci 10 muaj më parë jepte intervista në media, për sofistikimin e mënyrave të trafikimit të lëndëve narkotike drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në një intervistë të dhënë për televizionin Klan, më 26 qershor 2016, Komisar Julian Doraci deklaronte se: “Janë duke i sofistikuar, sidomos tek pjesa e elektronizimit të modus operandit të trafikimit të lëndës narkotike. Një mjet i vogël që kaloi për kontroll në pikën e kontrollit në garazh kishte një pjesë të modifikuar të makinës në një mënyrë profesionale, me një dritare të elektronizuar, pra me anë të një butoni i bënte hapje e një dritare të fshehtë mbas tapicerisë të këmbës së pasagjerit. Skaneri S2 Albania nuk të nxjerr nëse ka drogë apo jo, por skaneri jep dyshime se në strukturën e kamionit, në këtë pjesë ka diçka të dyshuar që nuk duhet të jetë”.
Doraci bashkë me 17 të tjerë akuzohet se ka lejuar kalimin e kamionëve me drogë nga kufiri shqiptar që u zbulua në Itali. Rasti i parë ka ndodhur në datën 05.02.2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 tonë drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në Portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë-Thanës.
Ndërsa rasti i dytë ka ndodhur në datën 24.03.2017, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 tonë kanabis në bord. Prokuroria për Krime të Rënda pas informacioneve të marra ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike.

R.POLISI