Do t’i shkojmë deri në fund kauzës së zgjedhjeve të lira

“Asnjë tërheqje! Qeveri teknike, kusht i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Në ditën e 60-të të qëndresës për garantimin e zgjedhjeve të lira përmes një qeverie teknike, Lulzim Basha u shpreh nga sheshi i lirisë se çdo përpjekje për të fshehur e mos pranuar problemet e vendit sot e bën opozitën më të fortë dhe është një arsye më shumë për t’i shkuar deri në fund kauzës për zgjedhjet e lira.
“Sado recitime nga goja e Taulantit apo nga dora e Taulantit të bëjë çdokush dhe në çfarëdo gjuhe në Tiranë, këtu do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vetëm qeveri teknike për t’i garantuar ato. Çdo padrejtësi ekspozon, në mënyrë më akute, më urgjente dhe më të qartë, drejtësinë e kauzës tonë, urgjencën e kauzës tonë, domosdoshmërinë e kauzës tonë. Çdo padrejtësi evidente, çdo mohim i problemeve reale të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk na dobëson, por na bën më të fortë e të vendosur për t’i shkuar të vërtetës dhe të drejtës deri në fund.
Por e vërteta përfiton nga kjo përplasje me gënjeshtrën. Prandaj, sot jam edhe më i qetë edhe më i gëzuar se dje, sepse duke u përplasur me gënjeshtrën, duke u përplasur me të pavërtetën, prekim thellësinë dhe lartësinë e kauzës popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj miqtë e mi le të gëzohemi bashkë, siç e kemi kthyer 60 ditë këtë tendë, këtë protestë, këtë lëvizje në një vend të gëzimit dhe shpresës që po lind. Ndonëse ngritur mbi themelet e frikës, kërcënimit e të zezave që shqiptarët kanë hequr tash 4 vjet, asnjë ditë të vetme, asnjë orë të vetme s’ka munguar besimi tek e nesërmja, shpresa, besimi tek vetvetja dhe gëzimi i ligjshëm që kemi dhe duhet të kemi se jemi së bashku muratorët, arkitektët, inxhinierët e Republikës së re që është e pandalshme, është e pashmangshme, që po vjen e do të vijë kalëruar mbi shpresat e një populli të tërë. Nëse kemi mendime të tjera, nëse doni apo rekomandoni tërheqje, dua ta dëgjoj. JO, JO! Asnjë tërheqje! Qeveri teknike, kusht i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
I vetmi që qëndron si pengesë për realizimin e zgjedhjeve të lira, është Edi Rama. Basha tha se Rama për gjashtë javë të mandatit të tij, refuzon t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Pse ndodh kjo? Nga se ka frikë? Ka frikë të largohet, sepse me karrigen e pushtetit ka lidhur fatin e vet politik. Ka frikë të dalë para popullit si drejtuesi i një partie politike me platformën e tij, me programin e tij, me ekipin e tij, se ky paska plan, edhe program, edhe ekip, edhe lidership. Po dil pra, para popullit i zhveshur nga pushteti i abuzimit të kryeministrit, dil dhe garo! Garo se ti thua që, Lulzim Basha nuk ka as platformë, as ekip, as lidership. Ti e ke fare thjeshtë, ti i ke të gjitha, edhe Ilir Meta ka thënë do të vijë me ty, liroje pra karrigen t’i japim shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme”, vijoi Basha.

Rama nuk ndahet dot nga krimi, droga dhe oligarkët

Janë lidhjet e forta me krimin e narkotrafikun arsyet pse Rama sot nuk lëshon karrigen e tij kryeministrore, e kërkon me çdo kusht ta mbajë atë në panik nga verdikti i qytetarëve.
“E vërteta është krejt ndryshe. E vërteta është se, Edi Ramës nuk i mjafton të dalë në kushte të barabarta të garës. Nuk i mjafton as Ilir Meta, as aleatët e tjerë. Edi Rama del në garë vetëm kur është i lidhur me një mijë fije të dukshme dhe të padukshme me krimin, me drogën, me korrupsionin, me shtetin e bërë zap dhe në funksion të një partie të vetme. Prandaj dhe nuk e lëshon karrigen e tij sepse po e lëshoi karrigen e kryeministrit ndihet inferior para qytetarëve shqiptarë. Ka frikë nga gjykimi i qytetarëve shqiptarë. Kjo është e vërteta sepse ka lidhur fatin e tij politik me drogën, me krimin, me miliardat e korrupsionit, me një grusht oligarkësh. Nëse jo, nëse fatin e ke lidhur me qytetarët shqiptarë pse nuk del para qytetarëve shqiptarë, i zhveshur nga privilegjet e pushtetit, i zhveshur nga komanda qëndrore e ushtrisë së narkotrafikantëve dhe e banditëve, me ndihmën e të cilëve e more atë karrige dhe për fatet, pasurinë e të cilëve, ti vazhdon ta mbash me thonj. Çdo qytetar, me dy pare në mend e kupton. E kuptojnë dhe ata që vijnë në Tiranë, vetëm duke lexuar vjershat e Taulant Ballës. Se vjershat e Taulant Ballës nuk të çojnë larg, lexo ato të Blushit se ai çoç ka dorë”, tha kreu i PD.

Komploti i politikës kundër qytetarëve do të marrë fund

Basha garantoi dje shqiptarët se Republika e re do t’i japë fund fasadave, propagandës, si dhe komploteve të politikës kundër interesave të qytetarëve. Ai tha se përmes kauzës për zgjedhje të lira, shqiptarët do të hedhin themelet e rikthimit të pushtetit tek populli, si dhe rikthimit të demokracisë gjithashtu. “Gjendja e vendit është kritike. Jemi këtu tash 60 ditë duke kërkuar dhe ofruar zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk është për Lulzim Bashën, nuk është për PD, nuk është as për koalicionin tonë opozitar. Kjo zgjidhje është për qytetarët shqiptarë, për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve, për atë që ne e quajmë Republika e re dhe që është shpresa e çdo prindi, e çdo nëne, e çdo babai, e çdo të riu, e çdo të reje, se e nesërmja do të jetë e ndryshme nga e sotmja dhe në fakt e tillë do të jetë, sepse asgjë nuk do të jetë më si më parë. Që të jetë e tillë duhet t’i kthejë pushtetin qytetarëve sepse pluralizmi, ndonëse ka arritjet e veta të padiskutueshme, asnjë ditë të vetme nuk ka arritur të kthehet në demokraci të vërtetë që do të thotë sundimi i qytetarëve. Që do të thotë, pushteti politik gjithmonë në dorë të qytetarëve, pushteti ekonomik, gjithmonë në dorë të qytetarëve. Që të vijë kjo ditë, dita e standardit europian, nuk ka rrugë tjetër përveçse të ngremë themelin e bashkëjetesës evropiane, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që është kufizimi i pushtetit, që është balanca e kontrollit të pushtetit ku vendimet janë përgjegjësi e shumicës, por kontrolli është përgjegjësi e opozitës, përndryshe nuk jemi realitet demokratik as edhe gjeopolitik europian, por, ëndrrat më të këqija të satrapëve ballkanikë, që kujtojnë se pas 27 vitesh hapjeje, mund të nënshtrojnë popujt e tyre dhe t’u shërbejnë për këtë, fasadat dhe propaganda për demokraci, ndërkohë që sundojnë në oligarki, ku ekonomia dhe politika vendosen nga një grup njerëzish. Këtë nuk mund ta pranojmë. Nuk mund ta pranojmë si PS. Nuk mund ta pranojmë si PD. Nuk mund ta pranojmë si PS-PD. Komploti i politikës kundër qytetarëve do të marrë fund tek ky shesh, me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me projektin e Republikës së re. Ndaj e dimë, jemi të vetëdijshëm se rruga për të ndërtuar këtë realitet krejt të ndryshëm nga ai ku jetojmë, rruga për ta bërë shpresën, realitetin e përditshëm të çdo shqiptari nuk është rrugë e thjeshtë”, tha Basha.

Shqiptarët të bashkuar nën kauzën e zgjedhjeve të lira

Kreu i PD tha se qëndresa opozitare po bëhet çdo ditë e më e fortë ku shqiptarët janë bashkuar të gjithë nën kauzën e zgjedhjeve të lira. “Qytetare e qytetarë, të rinj e të reja, gëzuar këtë stacion rekord në Shqipëri, në Ballkan e në Europë, 60 ditë protestë non stop! Kjo është Shqipëria europiane, ky është populli europian i Shqipërisë europiane. 4 vjet krim, drogë, korrupsion, ia kanë nxirë faqen këtij vendi. 4 vite pisllëk, hajdutllëk dhe maskarallëk e kanë shkatërruar imazhin e Shqipërisë para syve të botës dhe Europës. 60 ditë qëndresë fisnike, europiane po ia zbardhin faqen Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zoti ju bekoftë! Zoti i bekoftë maratonomakët e lirisë, misionarët e lirisë, paqes dhe demokracisë! Ditë për ditë, e mbaroj fjalën time duke iu drejtuar Zotit dhe jam i sigurtë se Zoti na dëgjon e na mbështet, sepse lufta jonë është e drejtë, kauza jonë është e drejtë. E vërteta dhe e drejta si asnjëherë tjetër mbarten mbi shpatullat e njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm që vijnë ditë për ditë në këtë tempull të lirisë.
Në këtë tempull të lirisë, ku sot janë studentët e artit. Dje kishim njerëz nga fusha e ekonomisë, më përpara nga fusha të tjera, të biznesit, të shëndetit, të mësuesisë, sot njerëzit e artit. Nga të gjithë fushat e jetës, nga çdo shtresë shoqërore, të gjithë janë këtu, të gjithë jemi këtu. Të vetmit që nuk vijnë dot këtu, janë trafikantët dhe kriminelët e bërë njësh me Edi Ramën. Sepse ata e kanë shtëpinë 10 metra më tutje, pas kësaj fasade, por jo shumë gjatë, sepse së shpejti do t’i heqim që andej bashkë me shefin e tyre. Tani, ju e dini që në prill ka ca reshje, njihen si ‘plakat e prillit’ apo jo?! Nuk ka prill pa plaka, apo jo?! Do të ikin edhe ‘plakat e prillit’. Ajo që nuk do të ikë, ajo që bëhet më e fortë çdo ditë, ajo që bëhet më e madhe çdo ditë, është bashkimi i shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme; të lira nga krimi, të lira nga droga, të lira nga shteti i partive dhe partia shtet. Çka mund dhe do të arrihet, do të arrihet vetëm me një qeveri teknike, e cila do të kryejë detyrat e ngarkuara nga populli”, u shpreh kreu i PD.
Basha tha se interesat qytetare, interesi publik, interesi kombëtar i shqiptarëve i ka çuar shqiptarët e bashkuar drejt kësaj zgjidhjeje. “Mos harroni, si asnjëherë apo rrallë herë në historinë tonë kjo zgjidhje përbashkon të djathtë e të majtë. Mos e harroni këtë! Edhe ata që nuk kanë mundësinë të jenë këtu me ne, kanë pasur këtu zëdhënësit e tyre, i kanë pasur zëdhënësit e tyre kudo ku zëri i lirë akoma mund të dëgjohet. Nuk ndajnë, ndoshta kurrë nuk do të ndajnë me të djathtën shqiptare platformën fiskale, zgjidhjet tona për ekonominë, se në fund të fundit prandaj ka të djathtë e të majtë, por ndajnë me të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe me misionarët e kësaj proteste, me anëtarët e kësaj lëvizje të madhe kombëtare, domosdoshmërinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh kreu i PD.