Champions, “thesar” për Juventusin

Liga e Kampioneve ka rezultuar një thesar i vërtetë për Juventusin. “Zonja e Vjetër” ka përfituar një shifër të jashtë zakonshme nga pjesëmarrja në këtë kompeticion, ku është pranë kalimit në gjysmëfinale, një kualifikim që i shton të ardhurat e saj me 7.5 milionë euro.
Sipas përllogaritjeve të bëra, deri tani klubi torinez ka përfituar 96 milionë euro nga të cilat, 12.7 milionë në fazën e grupeve, shifër së cilës i shtohen 7 milionë euro të tjera për paraqitjen e saj në këtë fazë; 6 milionë euro kampionët e Italisë i siguruan nga kalimi në 1/8 e finaleve dhe 6.5 milionë për kalimin në çerekfinale.
27.5 milionë euro, Juventus i ka përfituar si skuadra që e mbylli sezonin 2015/2016 në vendin e parë, ndërsa 36.5 milionë u përfituan nga numri i ndeshjeve të luajtura nga 18 në total dhe Juventus kishte 12 sfida të luajtura.
Për Juventusin, kjo çështje nuk mbyllet këtu, pasi në lojë janë 7.5 milionë euro të tjera për arritjen e finales së Cardiffit, ndërsa fitimi i trofeut do të sjellë në arkat e klubit edhe 15.5 milionë euro të tjerë.