Berisha qëndron tek Atalanta

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, do të jetë një nga temat më të diskutuara të merkatos së verës mes Lacios dhe Atalantës. Ai e ka bërë të qartë se dëshira e tij është të vazhdojë karrierën në Bergamo, por problemi i vetëm tashmë qëndron te marrëveshja që dy klubet duhet të gjejnë për çmimin e kartonit të tij.
Në momentin e huazimit drejt Atalantës, Berisha ra dakord për një kontratë deri në vitin 2019 në rast se gjatë kësaj vere do të bëhet blerja përfundimtare. Nga ana tjetër, ai nuk rinovoi me Lacion, që do të thotë se në rast rikthimi në kryeqytetin italian, do të ishte në vitin e fundit të kontratës që skadon më 2018-n.
Lacio pretendon 5 milionë euro për të lënë të lirë futbollistin shqiptar, por pritet që kartoni i tij të përdoret për të arritur blerjen e ndonjërit prej futbollistëve të Atalantës që pëlqehen nga të kaltrit si Petanja, Gomez, Frojler apo edhe Paloski.