Bashkimi demokristian dhe “Kaubojsi” me opozitën: Betejë për zgjedhje të lira

Alban Daci

PBDKSH përmes një reagimi e qëndrimi publik, bëri thirrje për një front opozitar pro dekriminalizimit të listave, të fushatës zgjedhore dhe pro zgjedhjeve të lira.
Të gjitha mediat e transmetuan të saktë këtë qëndrim, duke e pasqyruar në mënyrë të drejtë. I vetmi përjashtim ishte portali lapsi.al përmes një shkrimi me titull: Rama nis degjenerimin e procesit zgjedhor, cakton “Kaubojsin” si opozitë.
Ky shkrim nuk ka autor dhe për pasojë është qëndrim i redaksisë. Prandaj, replikën nuk e bëj kundër Bushatit, por me lapsi.al dhe të çdo gazetari që punon për të.
Nuk kisha për të replikuar nëse ky shkrim që në titull nuk do të ishte i neveritshëm dhe me një gjuhë aspak profesionale e gazetareske.
Portalet kanë të metat e tyre, megjithatë ekzistenca e tyre forcon ose tenton të forcojë demokracinë, të mbështesë fjalën e lirë dhe profesionalizmi gazetaresk duhet të jetë masa e vetme që përcakton seriozitetin e tyre.
Portali lapsi.al, po të ishim në kushtet e një gazetarie serioze do të kishte kontaktuar me Ndocajn apo mua dhe do të kishte bërë të gjitha pyetje për të shuajtur kuriozitetin e tij dhe jo të kalonte në linjën më të thjeshtë dhe intriguese, konspiracionin.
Po ashtu, hiperbola e përdorur nga lapsi.al që në titull është i turpshëm dhe tallës për vetë Opozitën, nocionin e saj dhe misionin e saj.
Duke qenë se kam studiuar Shkenca Politike, kam mbaruar studimet në një vend demokratik dhe duke e njohur mirë politikën dhe rrethanat e proceseve në Shqipëri, mendoj se ka mbaruar epoka kur Opozita nxirrej jashtë ligjit, eliminohej ose zëvendësohej si gurë shahu.
Ndoshta akoma në gazetari funksion metoda e zëvendësimit të mediave dhe ekzistenca e tyre garantohet nëpërmjet lidhjes, raportit, privilegjit që kanë me pushtetin, por kjo nuk ka si të ndodh kurrë në politikë.
Shqipëria i ka kaluar disa procese të rëndësishme tashmë edhe pse të brishtë e ka Shtetin e së Drejtës dhe po ashtu ka një vijë të qartë ndarëse mes Opozitës dhe mazhorancës. Sigurisht, këtë vijë ndarëse e kanë të vështirë ta shikojnë ato media që mbijetojnë nga raporti me pushtetin dhe me politikën. Nuk ka dyshime për asnjë shqiptar se PD-ja është partia më e madhe Opozitare dhe se askush nuk e zëvendëson dot atë. As Rama nuk mund ta zëvendësojë e as ndërkombëtarët. PD-ja është partia më e madhe që nuk është në pushtet dhe për pasojë edhe për naivët ajo është partia më e madhe opozitare.
Pra, të thuash se Ndocaj caktohet Opozitë dhe zëvendëson Opozitën, është tallje me PD-në, tallje me proceset demokratike në Shqipëri dhe apo ashtu deri-diku injorancë e cinizëm gazetaresk me nuanca ta qarta primitive e aspak profesionale.
Askush nuk ja heq dot të drejtën Ndocaj të jetë në Opozitë dhe askush nuk e mohon dot, se Ndocaj në tre vitet e fundit ka bërë Opozitë serioze e këtë e ka bërë për beteja të rëndësishme që lidhen me dekriminalizimin dhe keqqeverisjen.
Ndoshta po të kishin bërë opozitën e vërtetë disa media të kapura nga pushteti sot, Shqipëria nuk do të ishte në një krizë të thellë politike. Ndodh që politika të humbë kontaktin me realitetin, por nuk mund të ndodh që media dhe gazetaria të jetë vetëm në shërbim të pushtetit dhe të lidhjeve të ngushta.
Historia e Eduart Ndocajt, është historia e një personi që ka një pavarësi të plotë dhe që mendon vetëm me mendjen e vet, që nuk ka pranuar për asnjë moment të përdoret, të bëj pazare politike apo t’i shërbejë pushtetit. Me qëndrimet e tij, z. Ndocaj ka thyer shumë tabu në këto tre vite, duke dëshmuar se të parët janë qytetarët dhe interesat e vendit e për këto nuk ka kompromise, qoftë edhe politike. Ndër të tjera lapsi.al shkruan: Rama ka caktuar deputetin “Kaubojs”, Eduart Ndocaj në frotin opozitar. I kapur pas Partisë Bashkimi Demokristian Shqiptar, “Kaubojsi” është regjistruar tashmë në KQZ si subjekt garues në zgjedhjet e 18 qershorit.
Deputetin Ndocaj nuk e ka caktuar askush dhe askush nuk ka asnjë lloj kompetence për të ndikuar në vendimet e tij politike. Fjala ka “caktuar” është togfjalësh i së kaluarës, që disa media e kanë përdorur dhe praktikuar edhe si mënyrë pune për privilegje dhe për të mbijetuar. Dikur në politikë caktoheshin njerëzit e po ashtu edhe mediat që do të mbijetonin. Sot, besojmë dhe luftojmë që të mos jetë më ashtu. Ndocaj dhe unë, për fat të mirë bëjmë pjesë tek ata persona që nuk jemi pjesë e shëmtuar e historisë politike shqiptare e nuk jemi të kapur nga askush.
Ndocaj dhe PBDKSH për beteja të rëndësishme të demokracisë kanë vendosur të bëhen pjesë e Opozitës dhe nuk kanë aluduar e nuk do të aludojnë asnjëherë për ta zëvendësuar atë. Betejat e Ndocaj për dekriminalizimin dhe zgjedhjet e lira janë bërë që para dy vitesh. Madje, z. Ndocaj kur ishte në Selinë Qendrore të FBI-së në SHBA dorëzoi një dosje me 20 pika e mes tyre ishin: zgjedhje të lira, mosshitja, tjetërsimi dhe manipulimi i votës dhe dekriminalizimi në të gjitha nivelet e pa asnjë kompromis.
Një pjesë e asaj që quhet pseudo-gazetari e kapur, krijuar dhe suportuar nga pushteti, po e pengojnë zhvillimin e demokracisë dhe po ashtu dëmtojnë opozitën dhe kauzat e saj.
Është absurde të konsiderohet një e keqe rreshtimi i Ndocaj në radhët e Opozitës, në një moment delikat si ky, kur Opozita po lufton për beteja të rëndësishme që prekin jetën dhe të ardhmen e çdo shqiptari.
Ndocaj ka vendosur të jetë zyrtarisht pjesë e Opozitës, sepse me qëndrimet e tij individuale ka tre vjet që është në Opozitë.