Injorimi i drogës, ndëshkim për vendin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka shprehur dje ministrave të Jashtëm të Gjermanisë e Holandës qëndrimin e palëkundur të opozitës për krijimin e një qeverie teknike si rrugën e vetme, e cila do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha është takuar me ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, si dhe ministrin e Jashtëm të Holandës, Bert Koenders, të cilët i ka informuar dhe u ka parashtruar të gjitha faktet që çojnë opozitën në kërkesën e saj për zgjedhje përmes një qeverie teknike, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e plotë të opozitës për t’u ulur në një dialog të vërtetë me mazhorancën në funksion të zgjidhjes së krizës politike, ku rruga e vetme është rënia dakord mbi mandatin e qeverisë teknike. Në një prononcim për mediat pas takimit me dy ministrat, Basha e cilësoi injorimin e situatës ku Shqipëria ndodhet sot, nën pushtetin e narkotrafikut dhe krimit të organizuar, si një inkurajim i fuqizimit të pushtetit të këtyre dy fenomeneve edhe më tej. Kreu i PD nga ana tjetër i cilësoi përpjekjet për shkatërrimin e opozitës si përpjekje, të cilat në thelb shkatërrojnë demokracinë. Basha tha se gjatë takimit kishte njohur ministrat me realitetin dhe asaj që po ndodh vërtet në Shqipëri, siç është edhe rasti i Vettingut, ku ministrat u njohën me faktet se si Rama ka shkelur marrëveshjen e korrikut në lidhje me reformën në drejtësi.

– Zoti Basha, ju kërkoi ministri gjerman ndalimin e bojkotit?
Kam pasur bisedim shumë të frytshëm me të dy ministrat, ministrin holandez Koenders dhe me ministrin gjerman z.Gabriel. Në qendër të bisedës nga ana ime ka qenë shpjegimi i fakteve reale me qëllim njohjen e realitetit në Shqipëri, dhe jo të narrativave të prodhuara nga lobistët e paguar me paratë e drogës dhe të korrupsionit. Jam i bindur se vendet që kanë ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të vështirë, por transformues në këto 27 vite, përfitojnë nga njohja totale e realitetit dhe problemit të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka me drogën dhe krimin, dhe jo me injorimin. Sepse, injorimi i tonelatave të drogës është një ndëshkim për Shqipërinë dhe një inkurajim për Edi Ramën për të vazhduar për të mbjellë tonelata të tjera dhe për të shkatërruar në këtë mënyrë sistemin politik, garancitë për liritë e qytetarëve dhe ekonominë e shqiptarëve. Ndaj në të njëjtën kohë çdo përpjekje për të shkatërruar opozitën është një përpjekje për të shkatërruar demokracinë.

– E vetmja rrugë mbetet një qeveri teknike, me mandat politik për të luftuar drogën dhe paratë e drogës, për të zbatuar ligjin për dekriminalizimin dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Partia Demokratike dhe opozita mbeten të hapura për dialog, por dialog të mirëfilltë që shkon në funksion të zgjidhjes së kësaj krize politike dhe jo monologje shterpë që rëndon gjendjen ku ndodhet vendi, kriza në të cilën  ndodhet vendi, krizë që ka një impakt të drejtpërdrejtë në jetën, dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë, nga të cilët 10% në këto 4 vite, 300 mijë pra, janë larguar nga vendi.
Realiteti nuk mund të injorohet dhe as të fshihet pas propagandës absurde të Edi Ramës, propagandë që nuk i shërben Shqipërisë, nuk i shërben as PS, por i shërben vetëm falangave të krimit dhe aktivitetit kriminal, mbushjes së Shqipërisë me drogë, kapjes së zgjedhjeve të ardhshme për të ruajtur privilegjet dhe pushtetin që kanë në mënyrë që të shumëfishojnë drogën, të shumëfishojnë pasurinë, të asgjësojnë demokracinë, të kapin partitë politike, të kapin Parlamentin, qeverinë, vendimmarrjen, dhe të shndërrojnë shqiptarët në skllevër të ndërmarrjes së tyre të madhe kriminale.
Kjo nuk ka për të ndodhur. Ne jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj beteje deri në fund, jo në emër të llogarive tona politike, as llogarive tona elektorale, por në emër të interesave publike të shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë. Padyshim, kam patur rastin t’i shpjegoj për rrenat e Edi Ramës në raport me vetingun. Fakti është që Edi Rama shkeli marrëveshjen e 21 korrikut për të miratuar 7 ligjet me konsensus. SHBA e detyruan për ligjin për të cilin ishin përgjegjës për SPAK-un dhe BKH-në, BE dështoi ta detyronte t’i përmbahej marrëveshjes.
Ndaj 6 ligjet janë pa miratimin e opozitës, sepse opozita është përjashtuar nga Edi Rama me qëllim kapjen e drejtësisë. Në këto kushte, opozita kurrsesi nuk mund të jetë alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama, por opozita është e gatshme të ulet me mazhorancën që këto 6 ligje të kthehen në frymën dhe germën e Kushtetutës dhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe vetëm kjo do mundësojë që opozita të ecë përpara me rolin e saj përsa i përket miratimit dhe zbatimit të këtyre ligjeve. Kjo është rruga e vetme. Gjithçka tjetër është propagandë, gënjeshtër e pastër, e cila është ushqyer me shumicë, të cilën pata rastin sot, me fakte dhe argumenta të pakundërshtueshme ta çmontoj në themel, me bashkëbiseduesit e mi, 2 ministrat e jashtëm që takova sot.

– Ministri i Jashtëm Gabriel ishte shumë i qartë. Nuk e kuptonte dot arsyen e bojkotit, qeveria teknike nuk është opsion për atë. Nëse opozita do ndihmë, jemi të gatshëm ta ndihmojmë. Madje i quajti edhe klika të caktuara ato që bllokojnë Reformën në Drejtësi dhe bojkotojnë Parlamentin. Më qartë se kaq për të bërë mesazh opozitës që të kthehej në Parlament, nuk kishte çfarë thoshte?
Ora është 16:27, që do të thotë takimi im me ministrin zgjati goxha. Zgjati pikërisht, sepse pas deklaratës së tij të bërë para takimit me mua, ishte detyra ime jo në emrin tim, as në emër të Partisë Demokratike, po në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë të paraqisja fakte dhe argumenta të pakundërshtueshme, të cilat çmontojnë gënjeshtrat e qeverisë për gjendjen e krimit në vend, për gjendjen e drogës, për impaktin që ka te zgjedhjet dhe natyrisht rrenën për Reformën në Drejtësi.
E kam bërë këtë me qetësi, me fakte, me argumenta, në mënyrën më europiane të mundshme dhe më është dhënë mundësia ta bëj këtë me ministrin e Jashtëm gjerman. Nuk komentoj deklaratën e tij të mëparshme, sepse kisha mundësinë ta sqaroja, siç nuk kam ndërmend t’i paraprij gjykimit të tij për informacionet që i dhashë.
Një gjë është e qartë. Gjithçka që opozita dhe Partia Demokratike ka depozituar, është e bazuar mbi fakte të pakundërshtueshme, jo thjeshtë të opozitës, por të verifikuara ndërkombëtarisht, siç është raporti i Europol për drogën, siç është raporti i Departamentit  të Shtetit për drogën.
Në një kohë komplekse me njëmijë kriza, e kuptoj që të merresh me këto detaje nuk është e thjeshtë, por për Shqipërinë këto detaje janë gjithçka. Europol e thotë qartë. Shqipëria në 2016 është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të kanabisit, në një vend kyç për shpërndarjen e marijuanës, në një bazë rajonale të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Injorimi i tonelatave të drogës është ndëshkim për Shqipërinë, është inkurajim për krimin e organizuar dhe për Edi Ramën që të mbjellë dhe tonelata të tjera. Ku do të çojë kjo? Kjo do të çojë në një destabilizim të vendit drejt një rënie totale të institucioneve të demokracisë, do të dëmtojë Shqipërinë, rajonin dhe Europën.
Ja pra, që beteja jonë, në mënyrë absolute nuk bëhet për fatet tona si parti politike, bëhet për fatin e Shqipërisë, për fatin e Shqipërisë europiane. Bëhet për vlerat europiane, bëhet pra edhe në emër të sigurisë rajonale dhe sigurisë europiane.

– Zoti Gahler, a ju kërkoi kthimin në Kuvend?
Diskutuam për Reformën në Drejtësi, ua thashë edhe një herë, dhe çmontova gënjeshtrën e Edi Ramës se jemi ne që nuk duam Vetingun. I thashë se ne kemi votuar për Vetingun në Kushtetutë, se Vetingu do bëhet, por jo siç e do Edi Rama.  As siç e dua unë, sepse Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet bërë nga asnjë kryeministër, kushdo qoftë, Edi Rama, Lulzim Basha apo e shenjta Nënë Terezë.
Sepse, siç është e shenjtë në Europë, që Vetingu i drejtësisë nuk bëhet nga qeveria, sepse është në konflikt interesi. Qeveria është potencialisht e paditur, (kallëzuar) sepse ka në dorë paratë, ka në dorë pushtetin, ka aferat korruptive, në këtë rast dhe krimin. Kush do ta hetojë qeverinë, gjyqtarët dhe prokurorët që do t’i emërojë Edi Rama përmes mashave të tij? Sepse kështu është ligji sot. Pra, pata rastin ta çmontoj me fakte dhe argumenta dhe jo me propagandë, por me fakte dhe argumenta, gënjeshtrën e Edi Ramës mbi Vetingun. PD dhe opozita do të kthehen për të votuar të gjashtë ligjet, kur Edi Rama të zhbëjë thyerjen e paktit. Thyerja e paktit, përveçse qe një akt i pacivilizuar, nuk mund të shpërblehet. Nuk mund të shpërblehet dikush që thyen marrëveshjen. Kishte marrëveshjen e theu atë. Në ligjin për  SPAK dhe BKH, SHBA e detyruan për zbatimin e marrëveshjes dhe të gjithë jemi dëshmitarë, që ne e votuam ligjin. Do t’i votojmë të gjashtë ligjet në momentin kur marrëveshja e shkelur të rikthehet dhe këto ligje të garantojnë drejtësi të pavarur, që nuk mbron zyrtarët e korruptuar, trafikantët e drogës, por i ndëshkon ata sipas ligjit.

– A do të futeni në zgjedhje dhe a do të ktheheni në Parlament, pyetja që bëjnë gjithë shqiptarët?
Ky është një vendim që e kanë marrë shqiptarët. Zgjedhje pa qeveri teknike, që të garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar Ligjin e Dekriminalizimit, duke i nxjerrë kriminelët nga Parlamenti, nga Bashkitë,  nga institucionet e vendit, zgjedhje pa luftuar drogën dhe paratë e drogës, krimin, zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, pra zgjedhje fasadë të diktuar nga krimi, nuk ka për të patur, sepse këto do të çonin në situatë eksplozive drejt destabilizimit total.
Jemi të hapur dhe të vendosur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat e përgjegjshme politike për zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike.