Basha: Dialog ose sheshet do pushtohen nga armata qytetare

Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje protesta masive në rrugët e sheshet e gjithë vendit nëse mazhoranca nuk i hap rrugë dialogut për zgjidhjen e krizës politike dhe hapjen rrugë të krijimit të qeverisë teknike që do të garantojë zgjedhjet e lira.
Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje prerë se opozita nuk do të tërhiqet deri në përmbushjen e plotë të kërkesës së saj për krijimin e një qeverie teknike që do të luftojë krimin dhe drogën dhe do të nxjerrë të inkriminuarit nga zyrat për të mundësuar zgjedhje të lira. Basha nuk la asnjë shteg për një rishikim të këtij vendimi popullor.
“Pengesa e vetme është Republika e vjetër dhe shtyllat që e mbajnë në këmbë; krimi, droga, korrupsioni dhe klika politike që do të ndalë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. E pra sot, më lejoni ta përsëris nga ky shesh se forcë mbi tokë që të ndalë projektin e Republikës së re, të Republikës europiane, të Republikës të Kushtetutës dhe institucioneve europiane dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nuk ka. E vetmja forcë që do të mund të rrëzojë Republikën e vjetër të krimit janë qytetarët shqiptarë, se qytetarët shqiptarë janë çuar një herë më 18 shkurt dhe nuk do të ulen më deri në fitore. Se sot jemi shumë më shumë se më 18 shkurt dhe nesër akoma më shumë. Ndaj le t’i hapë rrugë dialogut. T’i thërrasin mendjes. T’i hapin rrugë dialogut përndryshe sheshet dhe rrugët e Shqipërisë do të pushtohen nga armata paqësore e qytetarëve të Republikës së re. Data për koalicionin skadon për pak orë. Hesapet për koalicionin le t’i bëjnë vetë se nuk na bëhet vonë se si i bëjnë hesapet e koalicionit të tyre, por zgjidhja e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme është qeveria teknike me mbështetje të gjerë politike që do të luftojë krimin, që do të nxjerrë të inkriminuarit nga zyrat, që do të luftojë drogën, që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme me votim elektronik dhe numërim elektonik. Pra, ka punë për të bërë, mos e humbni kohën kot. Mos kini shpresë se ne do të tërhiqemi. Mos kini shpresë se populli do të tërhiqet. Mos kini shpresë se unë do të tërhiqem. Ne do ta fitojmë këtë betejë me çdo kusht”, u shpreh Basha.
Basha u përcolli qytetarëve në sheshin e lirisë përshëndetjet nga përfaqësuesit më të lartë politikë, të familjeve simotra të PD, të Romës në Itali, nga ku sapo ishte kthyer nga një udhëtim i shkurtër 6-orësh në funksion të fitores së pashmangshme të kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë investimi i parë në këtë drejtim, por ky investim do të vazhdojë hap pas hapi pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, të cilat pa dyshim që qytetarët shqiptarë do t’i kenë në dorë, t’i vendosin me votën e tyre të lirë, të pacenuar, të pakërcënuar, të pablershme dhe të pashitshme. Sa më takon mua, unë e di se në këtë projekt Partia Demokratike, Partia Demokristiane, PBDNJ, koalicioni ynë i madh, shkon me vendosmërinë për të korrur një fitore të thellë dhe të jashtëzakonshme në emër të projektit të Republikës së re dhe në emër të një ndryshimi të vërtetë dhe jo fasadë. Në emër të ndryshimit në jetët tuaja, në jetët e fëmijëve shqiptarë, të cilët do të kenë shkollat më të mira në Ballkan. Në emër të studentëve shqiptarë. Asnjëri prej të cilëve nuk do të privohet nga studimet për shkak të pamundësisë ekonomike, sapo të rrëzojmë ligjin për arsimin e lartë e ta zëvendësojmë atë me ligjin e Republikës së re.
Për të punësuarit shqiptarë, të cilët do të kenë regjimin fiskal më të favorshëm njësoj si punëdhënësit, njësoj si investitorët, njësoj si të punësuarit, sepse Republika e re do të krijojë klimën më të përshtatshme për të bërë biznes, për të bërë ekonomi. Do të hapë shtigjet për të çliruar energjitë pozitive që të kemi një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë, jo për 10 veta, por për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar të ndershëm. Republika e re do të jetë realiteti ku pensionistët shqiptarë nuk do të trajtohen si një peshë e tepërt, por si nderi i sakrificës që kanë bërë për brezat e sotëm dhe se në krye të katër viteve, qeveria e koalicionit tonë që do të marrë mbështetje popullore, me votë të lirë dhe të ndershme pas qeverisë teknike, patjetër që do të realizojë premtimin 25 mijë lekë të reja, 250 mijë lekë të vjetra pension minimal për pensionistët shqiptarë dhe rritje të pensionit deri në 40% anembanë fashave të pensionit. Ne luftojmë për këto arritje konkrete dhe këto arrite kontrete janë plotësisht të mundura. Ato janë në dorën tuaj, ato janë në dorën e qytetarit të ndershëm shqiptar”, tha Basha.

Asnjë tërheqje, qeveri teknike për zgjedhje të lira

Basha reagoi dje ndaj kërkesës së PS dhe LSI për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve, ndërsa tha se e vetmja rrugë që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është qeveria teknike dhe opozita nuk bën asnjë tërheqje nga qëndrimi i saj. “Ligji është ligj përveçse kur duan Edi Rama dhe Ilir Meta. Kodi Zgjedhor thotë se sonte në mesnatë duhet të regjistrohen koalicionet. Këta e kanë futur vendin në një spirale krize politike. Sepse menduan që shqiptarët si dele dhe opozita si opozitë fasadë, do të zgjaste kokën e të priste hanxharin e zgjedhjeve të kapura nga krimi, siç e kishin planifikuar. Me paratë e drogës, me kriminelët në pushtet, me korrupsionin në nivelet më të larta, me shtetin e bërë njësh me partinë, siç po ndodh sot në Kavajë. Shikoni Kavajën sot. Ikën një kriminel, një përdhunues i dënuar në Itali. Një trafikant i dëbuar nga Zvicra dhe kë kandidon? Mëkëmbësin e kriminelit. Dhe në funksion të mëkëmbësit të kriminelit, vërshojnë mesazhet nga Kavaja. Presion absolut, shkollave dhe gjimnazeve të Kavajës, presion absolut mësuesve, presion absolut prindërve, pse? Sepse mëkëmbësi i kriminelit duhet të fitojë me çdo kusht, edhe kur nuk ka kundërshtarë përpara. Kjo është fytyra e vërtetë e Republikës së vjetër, e qeverisë së inkriminuar që mundohet ta mbajë atë në këmbë. Dhe ndërkohë që hedh gjithë këto hapa dhe investohet rëndë për të mbuluar të vërtetën, këtej na del si engjëll. Kërkon shtyrjen e datës së regjistrimit për të mirën tonë. Për të mirën e shqiptarëve, jo për të mirën e partive, zgjedhje të lira dhe të ndershme do të ketë vetëm me një qeveri teknike, e cila do të luftojë krimin, e cila do të luftojë drogën dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sa për atë thënien, ti me bukë e ne me gurë, po të them që nuk lahet mjalti me shëllirën. Këtë mjaltin që ke gatuar vetë ke vetëm një rrugë që mos ta hash të gjithin vetë, duke iu bashkuar një pakti kombëtar politik, i cili njëherë e përgjithmonë do të braktisë projektet e Republikës së vjetër, interesat e Republikës së vjetër. Janë një grusht njerëzish, një grusht pushtetarësh, një grusht oligarkësh dhe një grusht kriminelësh dhe duke përqafuar vetëm axhendën e interesit publik të qytetarëve shqiptarë. Është rrugë e ndershme dhe ne nga ky shesh e ofrojmë me fisnikëri, edhe pse ti nuk e meriton, sepse ke qenë shkaktari, arkitekti i Republikës së vjetër, i Republikës së krimit dhe korrupsionit. Por harroje se do të ketë tërheqje nga ky projekt”, tha Basha.

Çmimi i energjisë u rrit për 75% të qytetarëve

Rritja e çmimit të energjisë ka qenë sërish pjesë e denoncimeve të kreut të PD, Basha në bashkëbisedimin me qytetarët në sheshin e lirisë. Basha solli në vëmendje shifrat që faktojnë se çmimi i energjisë është rritur për 75% të konsumatorëve shqiptarë. “Këtu tash tre ditë, po debatojmë në distancë për çmimin e energjisë elektrike. Unë them është rritur, ju thoni është rritur, ai thotë është ulur. Dhe nxjerr faturën e energjisë sime dhe thotë se ti paguan më pak se më parë. Aty nuk gënjen. Se personave të kategorisë sime që përbëjnë 25% të popullsisë çmimin mbi 300 KV e ka ulur, por 75% e shqiptarëve e paguajnë energjinë me dokumente më shtrenjtë. Jo vetëm kaq, por edhe faturat abuzive të energjisë që bëjnë kërdinë. Ja ku janë faktet e pakundërshtueshme sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë. Çmimi i energjisë është rritur me 24% për 75% të konsumatorëve shqiptarë. Që do të thotë, 3 në 4 familje shqiptare e paguajnë energjinë 25% më lart. Këto janë shifrat zyrtare. Çmimi mesatar i 1 KV për familjarët, ka shkuar nga 8.89 lekë në 9.52 lekë. Edhe po të jesh piktor i dështuar që nuk ke kaluar as aritmetikën e liceut, e kupton që 9.52 është më e madhe se 8.89, apo jo? Hesapet me shifrat për xhepin e vetë di t’i bëjë, për xhepin e njerëzve nuk di t’i bëjë. Për biznesin çmimi mesatar u rrit me 20%, nga 11.4 lekë më 2014 në 213.6 lekë vitin e kaluar. Tarifat e energjisë u rritën për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, çmimi mesatar nga 9.9 lekë shkoi në 11.22 lekë. Sot shqiptarët paguajnë 0.082 euro për KV energji elektrike pa taksa. Më shumë se vendet e tjera të rajonit, përjashto Malin e Zi. Pas rritjes me 25% të çmimit të energjisë për 75% të konsumatorëve shtëpiakë, kjo është kthyer në një dramë të papërballueshme për buxhetet e tre në çdo katër familje shqiptare. Këto janë faktet, këto janë shifrat. Dhe një kryeministër që duhej të kishte minimumin e përgjegjësisë, nuk do të luante tash tre ditë me një të vërtetë që e di i madh dhe i vogël, se çmimi i energjisë është rritur dhe se shqiptarët paguajnë fatura më të larta energjie falë rilindjes dhe falë Edi Ramës”, tha kreu i PD.

Republika e re po vjen

Basha parashtroi dje për qytetarët projektin e Republikës së re, i cili parashikon rritje ekonomike, vende pune, klimë të favorshme ndaj bizneseve dhe shërbime në interes të qytetarëve. “Republika e re po vjen. Republika e re është e pashmangshme, është një realitet që e do çdo shqiptar. Çfarë do të thotë Republikë e re? Republika e Re do të thotë që në kushtet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike që i garanton ato në këto kushte dhe vetëm në këto kushte, sovrani, qytetarët do të vendosin me votë të lirë. Dhe me votë të lirë edhe qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë ajo, edhe opozita e ardhshme, nuk do të kenë asgjë të përbashkët me këto që kemi sot. Përse e them këtë? Sepse në kushtet e Republikës së re, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe institucionale, do të jetë e pamundur të kemi një qeveri arrogante me qytetarin. Të kemi një shtet arrogant me qytetarin dhe servil me pushtetarin. Do të jetë e pamundur që një qeveritar apo një kryeqeveritar që guxon t’i kryejë vendit këto mënxyra që kjo qeveri i bëri për katër vite, të vazhdojë të qëndrojë në fron, sepse Republika e re do të ketë të gjitha instrumentet për ta rrëzuar për 24 orë çdo qeveri që tenton të dalë mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Dhe një opozitë, e cila do të ketë të drejtat e plota kushtetuese dhe ligjore për të bërë rolin pa të cilën nuk mund të ketë demokraci, kontrollin e plotë, kontrollin dhe balancën e pushtetit. Në këtë mënyrë do të sigurojmë që kushdo që merr përsipër të shërbejë në politikë, kushdo që merr përsipër të kërkojë votën për të qenë në pushtet apo për të përfaqësuar shqiptarët në opozitë, ta dijë se nuk do të jetë asnjë profesion dhe asnjë punë për t’u pasuruar brenda natës, por do të jetë puna më e vështirë, më e sikletshme, më llogaridhënëse para sovranit dhe pronarit të vërtetë të këtij vendi, që janë qytetarët e Republikës së re, janë shqiptarët dhe shqiptaret e ndershme. Këto parime gjejnë përkthim në shprehjet e dokumenteve moderne ku Shqipëria është palë dhe ku Shqipëria ka marrë tashmë angazhime para botës. Nuk ka vende anëtare të BE-së që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, por këto parime kanë lindur me vetë identitetin europian, me konceptin e Republikës europiane. Respublika europea apo Respublica christiana, siç e njohin miqtë tanë demokristianë ku themelor është dhe mbetet dinjiteti i individit, i cili nuk mund të garantohet nga një shtet i fortë, por do të garantohet nga një qytetar i fortë dhe një shtet në shërbim të qytetarit. Këto janë shinat mbi të cilat do të ecë ky projekt. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë investimi i parë në këtë drejtim, por ky investim do të vazhdojë hap pas hapi pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, të cilat pa dyshim që qytetarët shqiptarë do t’i kenë në dorë, t’i vendosin me votën e tyre të lirë, të pacenuar, të pakërcënuar, të pablershme dhe të pashitshme. Në emër të ndryshimit në jetët tuaja, në jetët e fëmijëve shqiptarë, të cilët do të kenë shkollat më të mira në Ballkan. Në emër të studentëve shqiptarë. Asnjëri prej të cilëve nuk do të privohet nga studimet për shkak të pamundësisë ekonomike, sapo të rrëzojmë ligjin për arsimin e lartë e ta zëvendësojmë atë me ligjin e Republikës së re. Për të punësuarit shqiptarë, të cilët do të kenë regjimin fiskal më të favorshëm njësoj si punëdhënësit, njësoj si investitorët, njësoj si të punësuarit, sepse Republika e re do të krijojë klimën më të përshtatshme për të bërë biznes, për të bërë ekonomi. Do të hapë shtigjet për të çliruar energjitë pozitive që të kemi një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë, jo për 10 veta, por për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar të ndershëm. Republika e re do të jetë realiteti ku pensionistët shqiptarë nuk do të trajtohen si një peshë e tepërt”, u shpreh kreu i PD, Basha.

Arben Shahini