Barça “ngrin” Milanin: Deulofeu do të rikthehet

Barcelona i ngrin buzëqeshjen Milanit që është ende në festë për barazimin e arritur në frymën e fundit të shtunën në derbin me Interin. Nga Spanja nuk vijnë lajme të mira për kuqezinjtë. Gerard Deulofeu, më i miri në fushë në derbi, sezonin e ardhshëm do të rikthehet të luajë te Barcelona. Lajmi u konfirmua nga Robert Fernandez, drejtor teknik i klubit katalanas që deklaroi: “Deulofeu është një opsion për të ardhmen e Barçës. Mund ta rimarrim për 12 milionë euro dhe me siguri do ta bëjmë. Sezonin e ardhshëm do të qëndrojë me ne dhe do të veshë fanellën blaugrana”.
Për Deulofeun Barcelona mund të shfrytëzojë opsionin që ka në kontratë për ta bërë sërish të sajin duke i paguar 12 milionë euro Evertonit, klub ku u transferua dy vjet më parë dhe nga i cili u huazua te Milani.
23-vjeçari shpërtheu në Itali ku fitoi edhe një ftesë për në kombëtaren spanjolle nga Julen Lopetegui. Barcelona po e ndjek me kujdes futbollistin që nga koha kur luan për Milanin dhe ka vendosur që Deulofeu të jetë një nga përforcimet e blaugranave për sezonin e ardhshëm. Deulofeu ka luajtur në të gjitha kategoritë inferiore me Barcelonën, por që nga 2013 është dhënë huazim pas huazimi, verën e kaluar u ble nga Everton që e mori në pronësi për 6 milionë euro, por me një opsion riblerjeje nga Barcelona për dyfishin e kësaj shume.