Alarm! Kosova po zbrazet

“Mos harro. Më lajmëro kur të mbërrish”, e porosit Agimi vëllain, Afrimin derisa ia jep përshëndetjen e fundit në Aeroportin e Prishtinës. Për një vit nuk do të shihen. Ndërsa është hera e parë që do të qëndrojnë kaq gjatë larg njëri–tjetrit.
Të dy kanë punuar në një ordinancë stomatologjike në Prishtinë. Ndërsa nga e hëna, Afrimi do të fillojë punë të re në profesionin e njëjtë në Spitalin Universitar në Bern në Gjermani. “I ka ra shumë më mirë. E kanë thirr vetë në spital si doktor”, tregon me krenari për arritjen e vëllait Agimi që shpreson të ndjekë rrugën e tij. Ai sapo ka mbushur 53 vjeç, por thotë se do të mund të japë kontribut më të madh në një shtet ku dija vlerësohet. Kjo duket të jetë bindja e shumë kosovarëve të arsimuar dhe përgatitur mirë për tregun e punës”, shkruan Gazeta Fjala. Të dhënat statistikore konfirmojnë shqetësimin e madh dhe rrezikun që po i kanoset shtetit më të ri në Evropë. “Kuadrot po ikin nga Kosova”, e thotë edhe kryeekonomisti i Bankës Botërore në Kosovë, Agim Demukaj. Sipas tij, vetëm vitin e kaluar Gjermania ka lëshuar rreth 5 mijë viza pune, që sipas tij paraqet shqetësim për perspektivën e vendit, shkruan Gazeta Fjala. Ndërkaq, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli thotë se institucionet e vendit, duhet të marrin masa që të përmirësojnë ambientin e të bërit biznes në mënyrë që të thithen më shumë investime, të cilat rrisin produktivitetin dhe krijojnë mundësi për kosovarët të mbeten në tregun e brendshëm të punës. “Nevojitet përmirësim në produktivitet dhe konkurrueshmëri. Kosova duhet të fokusohet jo vetëm në shërbime, por edhe në IT, bujqësi-industri e të pajisë njerëzit me aftësi adekuate për tregun e punës”, thotë ai. Megjithatë i tërë rajoni po ballafaqohet me ikje të qytetarëve për kushte më të mira pune. Por, Kosova duket të jetë më specifike. Kosovarët nuk po kërkojnë azil më në Evropë. Por Evropa po i kërkon ata. Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se qytetarët e Kosovës, kanë hequr dorë dhe më nuk janë të interesuar që të kërkojnë më azil në vendet e BE-së dhe në zonën Schengen. Kjo pasi që, këto dy viteve të fundit ka rënë numri i azilkërkuesve që dëshirojnë të shkojnë në BE. Në vitin 2015, mbi 73 mijë qytetarë kishin kërkuar azil në vendet e BE-së në vitin 2016 kjo shifër ka rënë në 10 mijë. “Si rezultat i masave dhe politikave të ndërmarra numri i kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e BE dhe zonës Schengen ka rënë nga 73,2015 të vitit 2015 në 10,220 në vitin 2016. Ndërsa, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës të ripranuar deri në fund të nëntorit 2016 është mbi 13,000”, thuhet në raport. Lidhur me këtë çështje, sociologu, Ferdi Kamberi, për Gazetën Fjala, ka thënë se janë disa faktorë që ndikojnë në rënien e emigracionit duke thënë se një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare, vendet perëndimore i kanë menduar si “parajsë”, vende të cilat japin para pa punuar dhe kanë një perspektivë krejt tjetër. Mirëpo që me vizitën e këtyre vendeve, sipas tij mendimi i tyre është ndryshuar dhe nuk është ashtu siç e kanë menduar. Përveç kësaj Kamberi vlerëson se një ndër arsyet e tjera është edhe se Kosova, po ju ofron mundësi personave që të shkojnë në vendet perëndimore për punësim sezonal e jo që të kërkojnë azil. “Punësim ky, i cili mund të jetë indikator në përmirësimin e të ardhurave, statusit social, ekonomik dhe që të krijohet një perspektivë më e mirë e shoqërisë”.