Ajax-Lyon dhe Celta-Manchester United

Short drithërues në gjysmëfinalet e Europa League. Dy përballje emocionuese dhe mbi të gjitha spektakolare për të përcaktuar dy skuadrat që do të diskutojnë trofeun e Europa League për edicionin 2016-2017, në finalen e 24 majit në stadiumin “Friends Arena” të Stockholm-it. Goglat e përzgjedhura nga ambasadori i finales, ish-mbrojtësi i përfaqësues suedeze Patrik Andersson, vendosën Ajaxin e Amsterdam-it përballë Olympique Lyon dhe Celta Vigon kundër Manchester United. Djajtë e Kuq që janë favoritët kryesorë për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni dhe për të ngritur lart trofeun në finalen e Stockholmit, do të sfidojnë në një përballje të dyfishtë skuadrën surprizë të këtij edicioni spanjollët e Celta Vigos, të cilët janë për herë të parë pjesë e këtij raundi.
Ndeshja e parë gjysmëfinale mes tyre do të luhet në datën 4 maj në stadiumin “Balaidos”, ndërsa ajo e kthimit një javë më pas në “Old Trafford”. Për të mbërritur deri në këtë fazë United eliminoi me shumë vështirësi Anderlechtin vetëm pas kohës shtesë, ndërsa Celta nxori jashtë një tjetër skuadër belge pikërisht Genk. Djajtë e Kuq do të provojnë ta fitojnë për herë të parë në historinë e klubit këtë trofe pikërisht me Jose Mourinhon në stol dhe ky konsiderohet viti i duhur për t’ia arritur qëllimit pas eliminimit që pësuan nga Liverpooli në çerekfinalet e sezonit të kaluar. Dueli tjetër gjysmëfinal është ai mes holandezëve të Ajax dhe francezëve të Lyon-it. Një sfidë mes të barabartësh edhe pse skuadra franceze shihet disi më favorite për t’u kualifikuar për vetë emrat që ka në përbërje. Në të kaluarën Ajaxi dhe Lyoni janë përballur 4 herë mes tyre në Europë me harkëtarët që numërojnë 2 fitore dhe 2 barazime. Ndeshja e parë do të luhet në “Amsterdam Arena” më 4 maj, ndërsa ajo e kthimit më 11 maj në Francë.