98 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi

Policia greke sekuestroi dje 98 kg drogë në dy operacione të ndryshme dhe arrestoi dy shtetas shqiptarë, si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër. Të tre ata akuzohen për transportimin e një sasie të madhe kanabisi, me qëllim trafikimin në tregun grek. Sipas komunikatës së policisë, i pari u arrestua një shtetas i moshës 29 vjeç, pas kontrollit që u ushtrua në afërsi të Kosturit, në automjetin që drejtonte. U gjetën katër çanta udhëtimi, që përmbanin 98.2 kg kanabis, të ambalazhuar në 90 paketa.
Para këtij automjeti ndodhej një tjetër, në rolin e pararojës, që nuk ndaloi për kontroll nga policia, por rriti shpejtësinë dhe u gjet më pas i abandonuar në një zonë të qytetit të Grebenesë. Pas verifikimit, rezultoi se drejtues i këtij mjeti ishte një shtetas shqiptar i moshës 34 vjeç, që tashmë është shpallur në kërkim.
Ndërsa mjeti ishte në pronësi të një shtetaseje po shqiptare, 34 vjeç, që u gjet dhe u arrestua të mërkurën në mesditë në Selanik. Policia sekuestroi drogën, të dy mjetet, dy telefona celularë, si dhe një shumë prej 120 eurosh, që i arrestuari i parë kishte me vete.