60 ditë qendresë, artistët në shesh: Rama ka burgosur artin

Paraditen e 60-të në Sheshin e Lirisë, kryetari Lulzim Basha bisedoi me studentë, artistë të rinj dhe pedagogë të arteve të bukura për kulturën dhe artin në vend. Artistët, sidomos ata të rinj, folën për nevojën për të shprehur mendimin edhe të vërtetën e tyre përmes krijimeve artistike.
Arti është i lidhur në mënyrë të pashmangshme me politikën për sa kohë politika vendos rregullat e lojës edhe për artistët. Por këta të fundit folën për nevojën e lirisë në të shprehur, në të vepruar dhe lirinë për të konkuruar si të barabartë mes njëri-tjetrit në konkurse ku sot, si tregojnë artistët, mungon plotësisht vlerësimi në bazë të meritokracisë.
Një studente e degës regji-teatër, Jonida Balaj kërkoi, përmes vargjeve të shkruara në prozë, të drejtën e saj për më shumë liri të fjalës dhe hapësirë për ta thënë atë. Këtë hapësirë Anisa, studente pikturë-grafike, tha se e gjen prej dy muajsh në Sheshin e Lirisë ku gjithkush mund të marrë mikrofonin për të thënë të vërtetat e tij. “Dikush mund të mendojë që stuentët e arteve apo artistët e kanë në terezi dhe nuk duan t’ia dinë fare se çfarë ndodh në Shqipëri në situatën politike apo për çdo ndodhi, por është shumë e gabuar”.
Esmeralda Stafa, regjisore tha se kjo që ndodh prej tre vitesh tashmë është burgosja më e madhe që i është bërë ndonjëherë artistëve, pasi ata nuk kanë as mbështetjen ligjore minimale që t’i mundësojë të drejtat e tyre krijuese. “Institucionet e artit sot janë plotësisht të kapura dhe klienteliste, ndërkohë që artistët janë ata që shërojnë shpirtin e popullit dhe i bëjnë qytetarët që për një moment të harrojnë problemet e tyre”. Stafa tha se, artistët sot kërkojnë vetëm një gjë, të shkëputen nga politika, sepse artistët pa popullin, publikun e tyre, nuk mund të ekzistojë.
Aktor dhe gazetar, Eni Shehu, tregoi dhe ka treguar përmes kronikave të tij në media, vështirësitë për t’u bërë pjesë e projekteve vjetore përmes audicioneve. Këto të fundit, me ardhjen e Rilindjes në pushtet, u kthyen në audicione fiktive të dirigjuara dhe paracaktuara nga miqtë e drejtuesve të teatrit. “Rilindja kishte vetëm propagandën, audicionet ishin fiktive. Ky është nepotizmi ku miqtë e atyre që kanë pushtetin vendosin për gjithçka”.
Ai tha se, kjo mënyrë përzgjedhje të artistëve, e cila varet nga njohjet dhe miqësitë personale, jo nga talenti dhe mundi i konkurrentëve, edhe pse dënohet nga ligjet shqiptare, nuk denoncohet mjaftueshëm nga artistët, sepse ata kanë frikë të flasin. Eni Shehu solli në realitetin e sotëm eksperiencën e tij më të fundit në fushën e aktrimit me filmin “Ndërkombëtarët”, duke ilustruar faktin se arti është mënyra më krijuese e të shprehurit të së vërtetave që jetojmë.
Një arsye tjetër pse unë e ndjej edhe më afër kauzën e kësaj çadre është edhe një film, i cili do të dalë së shpejti, ku unë luaj rolin kryesor  të personazhit, i cili demaskon dhe nxjerr në shesh të palarat e ndërkombëtarëve. Unë si shqiptar dua miq të vërtetë, jo nga ata që mbajnë njërin apo tjetrin krah, tha Eni Shehu.
Kladi Caca nga Fushë-Kruja, i cili studion për Pedagogji muzikore tha se, problematikat më të mëdha të Universitetit të Arteve sot, është taksa e lartë e shkollimit dhe mungesa e plotë e infrastrukturës. Ai solli shembullin më të qartë të ‘politikës së fasadave’ të kësaj qeverie. “Në 4 vite kanë lyer vetëm universitetin dhe kanë rregulluar kafenenë e shkollës. Studentët që studiojnë pasdite detyrohen të marrin me vete batanije dhe ngrohëse nga shtëpitë, sepse në shkollë nuk ka”.

Carapuli fitoi tenderin me ofertën 2 milionë euro më shumë

Abuzimet me tenderat dhe ndarja e miliona euro taksa të shqiptarëve për Ramën dhe klientelën e tij ishin dje, pjesë e denoncimeve që kreu i PD Basha bashkë me qytetarë ngritën në Sheshin e Lirisë. Kreu i PD, Basha denoncoi një tender që Rama i ka dhënë mikut të tij ndërtues, Pandi Carapuli, i cili ka ndërtuar vilën e tij në Surrel, e si shpërblim Rama i dha një tender me një vlerë prej 6 milionë euro, ndërkohë që oferta e bërë nga firma Eurocol, e Carapulit ishte 2 milionë euro më shumë. Bëhet fjalë për një kontratë shtesë në lidhje me një ndërtesë të re të CEZ. Basha ironizoi dje dhe përpjekjet e Ramës për fshehur përmes propagandës lumin e ankesave të qytetarëve për mbifaturimet e energjisë. “Tani ky bylmezi, bashkë me një qymez, paskan nxjerrë faturën time të energjisë, se s’duan t’ia dinë për ligje, fare. Ndërsa marrin faturën e kryetarit të opozitës, merreni me mend se çfarë bëjnë me faturat tuaja. Shteti i leshit! Kam marrë kritikë nga një gazetare për këtë term, që e vlerësoj shumë. Ndaj, po themi shteti i akrelikut, se leshin e ka shumë, se leshi është bio të paktën. Pra, normalisht po të marrësh informacion të tillë të privilegjuar, duhet të marrësh lejen time si qytetar, dhe si kryetar i opozitës apo jo?! Dhunohet privatësia, por jo nuk duan t’ia dinë. Por shumë mirë, se s’kam gjë për të fshehur për faturat e energjisë. Po pse more gomar e zog gomari, për faturën time u ankova unë? Për faturën time jam unë këtu? Po unë s’jam këtu për faturën time. Se në fakt është e vërtetë që për ata që harxhojnë mbi 300 kv i ke ulur çmimet. Unë e kam fjalën për 75% të shqiptarëve që janë shtresa më e varfër dhe këtë thashë dje, dhe këtë thamë dje, se këta paguajnë më shumë, paguajnë më shumë dhe këtë s’e luan as topi. Njerëzit që konsumojnë më pak, sepse kanë më pak mundësi, paguajnë më shumë dhe kjo është filozofia e republikës së vjetër që i trajton më të pamundurit, më të varfërit, që janë shumica e shqiptarëve si dele, si njerëz, jo, si statistika, ndërkohë që një grusht njerëzish përfitojnë nga këto para. Kush përfiton nga këto para?! Ku shkojnë paratë e faturës së rritur të energjisë?! A ka investime të reja në energji?! A ka përmirësim të rrjetit?! JO. Por, ka një ndërtesë të re të CEZ-it, që bën mbi 6 milionë euro. I kanë dhënë edhe një shtesë kontrate tani. Tenderin e ka fituar ai që ka ndërtuar sarajet e Surrelit. Ka fituar tenderin, ndonëse ishte oferta më e shtrenjtë. Sa më e shtrenjtë do thoni ju? Plot 2 milionë euro. E di sa fatura energjie janë 2 milionë euro”, u shpreh Basha.

Protestuesi: Jam faturuar për 700 kilovat që nuk i kam shpenzuar

Një qytetar i pranishëm dje në Sheshin e Lirisë, ka ndërprerë fjalën e kreut të PD, Basha, ndërsa ai po fliste për mbifaturimet e energjisë elektrike. Burri me emrin Luan, ndërhyri teksa kreu i PD Basha po denonconte abuzimet ndaj qytetarëve në lidhje me kilovatët e harxhuara të energjisë, të cilët shtohet në mënyrë fiktive në mënyrë që faturat në fund të muajit të vijnë sa më të kripura, e të pamundura për t’u paguar nga qytetarët. Në këtë moment, Luani ka ndërhyrë duke sjellë në vëmendje problemin e tij, ndërsa bëri të ditur se në një muaj ai është faturuar për 700 kilovat energji të pashpenzuar. “Kam 700 kilovat, që nuk i kam shpenzuar”, është shprehur Luani. Ai bashkëbisedoi me kreun e PD, Basha ndërsa ndau shqetësimin se sot ky është një problem që e vuajnë me qindra familje shqiptare. Luani tha se ishte ankuar, por se deri tani nuk ka asnjë reagim nga instancat përkatëse që duhet të adresojnë ankesën e tij. Basha tha se, Rama duhet të japë përgjegjësi përballë të gjithë shqiptarëve që e votuan e që sot gjendet më të varfër se kurrë, më të pashpresë se kurrë me këtë qeveri. “Ky është shteti i akrilikut, i cili i vë 700 kilovat të pakonsumuara që të mbledhë lekët që t’ia çojë oligarkut që ka ndërtuar vilën e kryeministrit. Ky është shëmbëlltyra më e keqe e shtetit më të korruptuar të Afrikës, por për fat të keq, ky është shteti që Edi Rama ka ndërtuar këto 4 vite në Shqipëri. Dhe kur e ballafaqojmë me fakte të tilla, kur e ballafaqojmë me krime të tilla kundër qytetarëve shqiptarë, thotë që kanë marrë 1 milion  shuplaka në 2013. Ka marrë 1 milion vota në 2013. Për çfarë i more?! Për ta mbushur Shqipërinë me drogë dhe kriminelë, për ta ulur fuqinë blerëse dhe për të kredhur qindra e mijëra familje në mjerim, për të hequr mijëra familje nga lista e ndihmës ekonomike?! Sigurisht që jo. Tani që bëhesh gati t’i marrësh ato shuplaka si shkelma mbrapsht, për çfarë i ke bërë shqiptarëve, tani, shpresa e vetme është që të kapësh e të blesh zgjedhjet e ardhshme. Këtë, ne nuk do ta lejojmë ta bësh kurrë!”, tha Basha. Nga ana tjetër, kreu i PD tha se e vetmja rrugë që do të kthejë Shqipërinë drejt zhvillimit është që qytetarët të marrin në duart fatet e vendit. “E kemi thënë prej ditës së parë se përgjegjësia, kurajo dhe sakrifica do të na drejtojnë. Por rrugë tjetër nuk ka, mënyrë tjetër për të marrë në dorë fatet tuaja si qytetarë nuk ka, mënyrë tjetër për t’i dhënë fund teatrit, mjerimit, gënjeshtrave, mashtrimit, nuk ka. Shikoni mashtrimet me të cilat ushqen ditë për ditë popullin e vet. Dje, po flisnim për gjendjen ekonomike ku fjala mbizotëruese, togfjalëshi mbizotërues është: “nuk ka lekë”- dhe diskutuam se përse nuk ka lekë. Sepse, janë rritur çmimet, janë rritur faturat, janë rritur taksat, është rritur fatura e energjisë”, u shpreh Basha.