280 milionë euro në total për merkaton

Nga sezoni 2018-2019, Italia do të përfaqësohet me katër skuadra në fazën e grupeve të Championsit, një mundësi e mirë për emrat e mëdhenj të futbollit italian, si Inter dhe Milan, që janë gati të shpenzojnë shuma të mëdha në merkato për t’u kthyer në elitën e futbollit europian. Pronarët kinezë të dy klubeve milaneze po planifikojnë të shpenzojnë një shifër shokuese prej 280 milionë eurosh pikërisht për këtë objektiv.
Në kampin “kuqezi” gjithçka do të nisë nga trajneri Vincenzo Montella, i cili do të ketë një organikë më të pasur në cilësi. Presidenti i ri i “Djallit” Yonghong Li dëshiron të afrojë emra të mëdhenj si Morata dhe Benzema. Duket një ndërmarrje shumë e vështirë, por jo e pamundur. Në listë janë edhe Aubameyang dhe Lacazette. Po monitorohet me kujdes edhe situata e De Rossit që ende nuk e ka rinovuar kontratën me Romën. Goditje të tjera mund të jenë mesfushori i Villarelit, Musacchio dhe Kovacic i Los Blancos.
Nëse zikaltrit nuk do të arrijnë të zënë një vend në Kupat e Europës, do të ketë revolucion në të gjitha nivelet. Presidenti Zhang do të investojë edhe nëse Interi do të mbetet jashtë Europës, duke shpenzuar rreth 150 milionë euro në dy periudhat e ardhshme të merkatos.
I pari në listën e objektivave të Interit është Fabinho i Monacos, i cili në këtë sezon nga lojtar anësor është shndërruar në mesfushor qendre te skuadra e Principatës. Për lojtarin alternativë të Icardit pëlqehet Petagna, ndërsa për mbrojtjen do të mbërrijë një emër i rëndësishëm. Objektivat janë Manolas, De Vrij dhe Marquinhos. Përsa i përket emrit që mund të zëvendësojë Piolin, është një pistë që të çon drejt Spanjës dhe që i bën të ëndërrojnë tifozët e Interit: E kush mund të jetë tjetër veç Diego Pablo Simeones.