Xhavit Koni: Torturat e Fatmir Xhafës në qeli derisa më la pa ndjenja

Xhavit Koni nuk i kishte mbushur 16 vjeç, kur do të përfundonte në qelitë e burgut në vitin 1985. Aty kish përfunduar për një sherr në moshën e adoleshencës dhe e kish pranuar fajin e tij. Hetues siç tregon dhe vetë të çështjes nuk ka pasur Fatmir Xhafën, por një tjetër që ishte dhe shefi i Hetuesisë së Krujës, Seit Durajn. Por çfarë lidhje kishte me Konin, Fatmir Xhafaj. Në qelinë e 15-vjeçarit, do hynin dhe personat që akuzoheshin se kishin festuar në Turizmin e Krujës për vdekjen e diktatorit. Haki Sena, Arben Duka dhe Adem Sula. Kjo do të bënte që Fatmir Xhafaj, të merrte në pyetje Konin me qëllim që të mblidhte informata se çfarë flisnin rreth ngjarjes shokët e tij të qelisë. Por, mospranimin 15-vjeçari, do e paguante shtrenjtë. Siç tregon dhe vetë, atë që nuk kishte bërë hetuesi i çështjes për të cilën ishte burgosur, e kish bërë Fatmir Xhafaj. Grushte, shkelma në stomak, dhe gjithfarë  goditjesh. Sot është rreth të 50-ve, por hetuesin e ri të asaj kohe nuk e shkul dot nga mendja. Ai dëshmon dhe tregon gishtin nga Fatmir Xhafaj. Por ka dhe një problem tjetër në këtë histori. Duket se Fatmir Xhafaj, ka shkelur dhe ligjet e kohës. Në fakt formalisht, diktatura e ndalonte torturën me ligj tek të gjithë personat. Akoma më keq, kur bëhej fjalë për minorenët, të cilët në pamundësi për t’u mbrojtur vetë i caktohej një avokat. Pra, Xhafa nuk është se ka bërë thjeshtë detyrën e hetuesit, në kohë të komunizmit, por dhe ka shkelur ligjin, duke torturuar minorenë. Xhavit Koni shprehet se të gjitha këto Xhafaj, i bënte për të ngritur karrierën e tij dhe për të rënë në sy të diktaturës, pasi nuk ka se si shpjegohej sipas tij gjithë ajo egërsi që ai shfaqte në proceset e hetimit. Xhavit Koni shprehet se është i gatshëm të dëshmojë kundër Fatmir Xhafës, dhe do vijë enkas për të dhënë këtë dëshmi, nga Suedia ku ai ka emigruar.

-Sa vjeç ishe kur të arrestuan?
Kur me kanë arrestuar kam qenë 15 vjeç. I kam mbushur me adatë 1 korrik 16 vjeç.

-Ju kishit hetues Fatmir Xhafën?
Jo unë kam pasur hetues Seit Duraj, shefi i Hetuesisë së Krujës?

-Po Fatmir Xhafaj, ç’punë kishte me ju?
Fatmir Xhafa, ishte hetuesi i Arben Dukës, i Adem Sulës, i Haki Senës dhe i shumë të tjerëve që nuk është e nevojshme t’i përmendim. Unë isha në dhomë të izolimit me Arben Dukën, një muaj. Pastaj më kanë kaluar nga dhoma e izolimit me Arben Dukën, më kanë çuar tek dhoma e izolimit me numër 10, tek Adem Sulaj. Në këtë kohë, mua më thërret hetuesi Fatmir Xhafaj, dhe më thotë. “Ti je djalë i ri, na trego se do të ndihmojmë, sa vetë janë në grup këta persona, që kur ka vdekur Enver Hoxha, kanë bërë darkë në Turizëm në Krujë.

-Ju çfarë iu përgjigjët?
Unë i them, unë jam në burg për hallet e mia dhe nuk më duhet gjë as më duhet se çfarë kanë bërë apo çfarë bëjnë ata. Në këtë moment mua më vënë hekurat. Hekurat ishin gjermane me vida, me policë. Vetë Fatmir Xhafaj më shtrëngon hekurat deri në fund, më ul në karrigën e hekurit, e ngulur në beton, dhe më gjuan me grushta dhe me shqelma deri sa mua më bie të fikët. Në këtë moment, më plas gjaku nga goja dhe nga hundët dhe më hedh një kovë me ujë që e mbante aty. Dhe më thotë shprehimisht: “Do dënohesh edhe ti, për agjitacion e propagandë po nuk na tregove ne”. Unë i them, “Që edhe po të vdes, një gjë që nuk e kam bërë nuk e pranoj. Për atë që kam bërë e kam pranuar, dhe i përgjigjem shtetit, se çfarë bëjnë të tjerët nuk më intereson”. Pastaj më gjuajti me shkelm në stomak, dhe unë më pas e kam parë veten time në dhomën numër dhjetë. Kur kam shkuar tek dhoma numër dhjetë, ai ishte Adem Sula, dhe më thotë çfarë të ndodhi. I them, më ka rrahur një hetues e kish emrin Fatmir, Fatmir”. Më thotë, “Eshtë hetuesi im Fatmir Xhafaj”. Pa kaluar as pesë minuta, marrin Adem Sulajn në Hetuesi. Po në të njëjtën gjë, siç më kanë rrahuar mua e rrihnin dhe atë se atë e rrihnin përditë. Unë nuk kam lëvizur nga vendi për katër ditë, dhe janë të shkruajtura të gjitha, dhe më kanë sjellë doktor Hamit Bamin, që më ka vizituar në dhomat e izolimit dhe më ka dhënë disa ilaçe.

-Ju thatë që në atë kohë nuk i kishit mbushur 16 vjeç, por a e lejonin ligjet e kohës torturën ndaj minorenëve?
Për shkak të moshës, mua më vendosën avokat. Ligjet e kohës, kanë qenë që absolustisht çfarë do lloj krimi që të kisha bërë që tortura ishte e ndaluar, aq më tepër minoren pa mbushur 18 vjeç. Mua prandaj më kishin vendosur avokat, sepse isha nën moshë dhe presupozohesha i paaaftë për t’u mbrojtur, nuk kisha marrë ende letërnjoftim. Në rast se mbushja 18 vjeç e një ditë, s’kisha të drejtë avokati. Pra, në rast se të torturoje njerëz ishte një herë e dënueshme, të torturoje një minmoren ishte e dënueshme dy herë. Më vjen keq se unë e pranova para hetuesit, unë pranova fajin tim, dhe hetuesi Sehit Duraj ish-shefi nuk më preku, ndërsa ky pra Fatmir Xhafaj më rrahu dhe më bëri për spital e ilaçe, ndërkohë që isha vetëm 15 vjeç e gjysëm, sepse donte të më bënte spiun. E kuptoni ku shkon ligësia e atij njeriu.

-Ky ishte i vetmi kontakt me Fatmir Xhafën?
Pasi mbarova kurën e ilaçeve, më ka thirrur dhe një herë Fatmir Xhafa, në njërën dhomë të Hetuesisë kishte Arben Dukën, në dhomën tjetër isha unë. Me Arben Dukën, ishte Kujtim Luli, me mua ishte Fatmir Xhafa. Mua më ka gjuajtur dy grushta herën e dytë, dhe më ka thënë po nuk tregove, ti do të dënohesh në grup me ata. Dhe që nga ajo ditë, mua s’më ka takuar më, po kur unë shkoj në dhomën e izolimit i them Adem Sulës. “Mua më kanë rrahur vetëm për ty, për Arben Dukën dhe Haki Senën, se kërkojnë që të spiunoj, dhe më ka rrahur me dorën e tij Fatmir Xhafa”.
Kur kam shkuar në Batër të Burrelit dhe në Tërnovë dhe Fatmir Xhafa ka qenë një nga hetuesit më të egër që ka pasur Kruja.
Hakiu, Ademi dhe Arbeni ju tregonin për mënyrat se si i torturonte Xhafa.
Haki Sena, inxhinier në Fabrikën Ushqimore, pasi e mbajtën 48 orë nën tortura, e nxorrën me detyrim paraqitje, dhe pas tre ditësh vrau veten. Ne flisnim me alfabet në burg dhe i merrnin vesh të gjitha. E vrau veten për shkak të torturës që i kanë bërë në Hetuesi. Duhet të sqarojmë diçka, kur të thërrisnin për detyrim paraqitje sa herë të thërrisnin të torturonin, deri sa të burgosnin përfundimisht. Adem Sula me profesion  shofer, më tregonte se nga torturat që i ka bërë Fatmir Xhafa, edhe sot e kësaj dite, kurohet me ilaçe. Më pas, në Tërnovë të gjithë këta do i dënonin sërish për tentativë arratisje. Torturat shkonin deri tek zhburrërrimi, e linte me duar të lidhur në qeli nga mbrapa, sa s’mund të shkonte as në tualet. I priste duhanin, të gjitha të tjerat. Ndërsa Arben Dukën, e kanë çuar në burg të Mirditës. Edhe Arbeni kurohej me ilaçe deri vonë.

-Ka histori të tjera me Fatmir Xhafën në Krujë?
Ka një nga këta është i ndjeri Sadik Qoshja, që e ka mbajtur dy vjet e tetë muaj me hetues Fatmir Xhafën. Këte e akuzonin, medmek për shpërdorim detyre në Fushë Krujë. Këto tortura ai i përdorte, që të binte në sy, dhe që ta kishte mirë me partinë, me qëllim që të bënte karrierë, sepse kështu funksionte në atë kohë.

-Jeni gati t’ia thoni Fatmir Xhafës këto?
Ballë përballë dhe ku të dojë ai. Unë kam vetëm  një mesazh për t’i dërguar. Ka shumë njerëz viktima të Fatmnir Xhafës, por nuk kanë kurojën që të flasin. Ju bëj thirrje, të gjithë bashkëvuajtësve të asaj kohe që të tregojnë realitetin, e ish-hetuesit të Partisë së Punës, sot ministër i Brendshëm i Edi Ramës.

Intervistoi: Armand MAHO