Vritet me armë një 38-vjeçar në Tiranë

Një përplasje me armë e ndodhur të premten në periferi të Tiranës ku ka rezultuar fatale për një 38-vjeçar. Sipas policisë, Aleksandër Barlika u qëllua me çifte nga një 16-vjeçar me inicialet L.C i cili ka rënë në prangat e policisë. Tre persona të tjerë u arrestuan, mes të cilëve, babai i tij, Rasim C., 49 vjeç, Altin Barlika, 38 vjeç dhe nipi i këtij të fundit, K. P 16 vjeç të gjithë banues në Tiranë.
Uniformat blu të kryeqytetit kanë mundur të zbardhin konfliktin e ndodhur, duke vënë në pranga katër persona, që u përfshinë në sherr me njëri-tjetrin në Bathore për motive që nga policia cilësohen si të “dobëta”. Sipas policisë, Aleksandër Barlika së bashku me vëllain e tij Altinin 38-vjeçar, i shkuan në ndihmë nipit të tyre, i cili ishte konfliktuar me një bashkëmoshatar të tijin, 16-vjeçarin L.C, që më tej u bë edhe autor i vrasjes së ndodhur.
Sipas policisë, sherri ka nisur mes dy të rinjve K.P dhe L.C. Më tej, në këtë sherr janë përfshirë edhe dy dajat e 16-vjeçarit K.P, Aleksandër dhe Altin Barlika si dhe babai i 16-vjeçarit tjetër, Rasim C. Ata janë konfliktuar fillimisht me mjete të forta me njëri-tjetrin, por më pas kanë shkuar deri në përdorim të armëve të zjarrit.
Dy vëllezërit Barlika të shoqëruar edhe nga nipi i tyre K.P kanë nxjerrë pistoletën dhe kanë tentuar të qëllojnë ndaj L. C., D. C. dhe Rasim C. Në këtë kohë, duke përfituar nga gjendja e rrëmujës së krijuar, 16-vjeçari L. C., ka marrë një armë gjahu, me të cilën ka qëlluar Aleksandër Barlikën, i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra, ndërsa vëllai i tij, Altin Barlika, pësoi dëmtime të lehta trupore. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga policia një armë zjarri tip pistoletë TT, me një krëhër dhe 8 fishekë dhe një armë gjahu e tipit çifte.