Vrasja në Belgjikë, Prokuroria: 25 vite burg për Mark Frrokun

Prokuroria i kërkoi Gjykatës, të shpallë fajtor ish-deputetin e mazhorancës, Mark Frroku dhe ta dënojë atë me 25 vite burg. Po ashtu, Prokuroria kërkoi që për 10 vitet e tjera, Frroku të mos ushtrojë asnjë funksion publik. Dy përfaqësuesit e akuzës, lexuan konkluzionet përfundimtare para tre gjyqtarëve të çështjes, duke kërkuar që ish-deputeti Frroku të shpallet fajtor për 4 akuza, atë të “vrasjes me paramendim”, “fshehjes së pasurisë”, “pastrimit të parave” dhe akuzën e ndërtimit të paligjshëm. Sipas Prokurorisë, gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit, u provua se i pandehuri Mark Frroku, ka marrë pjesë në vrasjen e Aleksandër Kurtit dhe për këtë fakt, kërkohet dënimi i tij me 17 vjet burg. Për akuzën e pastrimit të parave të ardhur nga një krim, Prokuroria i kërkoi Gjykatës dënimin me 15 vjet burg për ish-deputetin.
Në lidhje me akuzën e fshehjes së pasurisë dhe mos deklarimit të saj në ILDKPKI-Prokuroria kërkoi një dënim me 3 vjet heqje lirie. Ndërsa për akuzën e ndërtimit të paligjshëm, sipas Prokurorisë ish-deputeti duhet të dënohet me 4 vite burg. Përfundimisht, sipas akuzës, ish-deputeti Mark Frroku në bashkim të dënimeve, duhet të dënohet nga Gjykata e Tiranës me 25 vite  burg.
Në sallën e gjyqit nuk ishte i pranishëm ish-deputeti Frroku, i cili u përfaqësua nga dy avokatë mbrojtës, të cilët nuk pranuan të komentojnë kërkesën e Prokurorisë. Më datë 30 mars, Gjykata caktoi ditën kur avokatët të lexojnë pretendimet e tyre përfundimtare për akuzat e Prokurorisë. Ndërkohë, bashkë i pandehuri i këtij procesi Kristjan Marinaj, dosja ndaj të cilit u gjykua nga një trup tjetër gjykuese, u deklarua i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit, për të cilën akuzohet edhe ish-deputeti Frroku.
Ngjarja për të cilën akuzohet ish-deputeti i mazhorancës, Mark Frroku ka ndodhur më 05 mars të vitit 1999 në Bruksel. Vëllai i viktimës i ka thënë Prokurorisë belge se Arben Frroku, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit e kryer nga vëllai i tij, Mark alias Besnik Morina. Sipas këtij dokumenti, motivi i vrasjes ishte: “Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër”.
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur me 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint-Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisen jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.