Vrasja në Belgjikë, Gjykata e shpall të pafajshëm bashkëpunëtorin e Frrokut

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm Kristjan Marinajn, i akuzuar se në bashkëpunim me ish-deputetin Mark Frroku kanë vrarë shtetasin Aleksandër Kurti në vitin 1999 në Belgjikë. Togat e zeza, teksa lexuan vendimin në sallën e gjyqit thanë se Prokuroria nuk solli prova të mjaftueshme që vërtetonin se Marinaj është autori i vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë 18 vite më parë.
Nga ana tjetër, Prokuroria gjatë leximit të pretencës kishte kërkuar 16 vite burg për Kristian Marinajn me pretendimin se në bashkëpunim me Mark Frrokun dhe dy persona të paidentifikuar kanë qëlluar me thikë Aleksandër Kurtin. Në mbështetje të këtyre fakteve, Prokuroria ka pretenduar se hetuesit belg kanë mbledhur prova të mjaftueshme që provojnë përfshirjen e Marinajt në vrasje.
Por, Gjykata shqiptare këto prova i cilësoi si të pamjaftueshme për të provuar fajësinë e personit të shpallur në kërkim Kristjan Marinaj. Kështu Gjykata e Tiranës e cilësoi të pafajshëm të pandehurin, që Gjykata belge e kishte dënuar me 10 vite burg vite më parë, por vendimi është shfuqizuar dhe dosja është kthyer për rigjykim për arsye proceduriale. Më pas, po kjo dosje është transferuar në Shqipëri me kërkesë të Prokurorisë shqiptare, për të vazhduar gjykimin këtu. Ndërkohë gjatë ditës së enjte, pritet që Prokuroria të lexojë konkluzionet përfundimtare ndaj ish-deputetit Frroku për të njëjtën akuzë penale.
Ngjarja për të cilën akuzohet ish-deputeti i mazhorancës, Mark Frroku ka ndodhur më 05 mars të vitit 1999 në Bruksel.Vëllai i viktimës i ka thënë prokurorisë belge se Arben Frroku, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit e kryer nga vëllai i tij Mark alias Besnik Morina. Sipas këtij dokumenti Motivi i vrasjes ishte: “Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër”.
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur me 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisen jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.