Votimi elektronik, rekomandim i OSBE/ODIHR që në vitin 2013

“Rekomandohet që çdo zbatim i projekteve pilote SEV dhe SEN të përcaktuara me ligj, të fillojë kohë më parë sesa zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë përgatitje të domosdoshme të tilla si miratimi i akteve nënligjore të detajuara dhe testimi i sistemeve”. Është pikërisht kërkesa që opozita e ka bërë që në maj të vitit të shkuar, por që qëllimisht u la në harresë.
Nuk është vetëm një rekomandim, por janë rreth 52 të tilla në harkun kohor 2013-2015, të cilat janë injoruar në vazhdimësi nga mazhoranca aktuale
Rekomandimi për votimin elektronik i OSBE-ODIHR ka që në shtatorin e vitit 2013 që ndodhet në tavolinën e Ramës, menjëherë pas publikimit të raportit për zgjedhjet parlamantare të qershorit të atij viti. Në fakt nuk është vetëm ky rekomandim, por janë rreth 52 të tilla në harkun kohor 2013-2015, të cilat janë injoruar në vazhdimësi nga mazhoranca aktuale. Të gjitha lidhen me reformën zgjedhore, e cila qëllimisht nuk fut asnjëherë në diskutimet e Parlamentit, por dhe kur u fut në vitin 2016 më shumë u sabotua nga ana e të zgjedhurve të saj, duke e shtyrë në kalendat greke. Një skemë e mirëmenduar, manipulimi. Implementimi në ligj i rekomandimeve të OSBE-ODIHR do të bënte të mundur shmangien në masë të madhe të manipulimit të votave dhe rezultatit zgjedhor. Ja çfarë thotë në rekomandimin e saj në vitin 2013 arbitri ndërkombëtar. “Rekomandohet që çdo zbatim i projekteve pilote SEV dhe SEN të përcaktuara me ligj, të fillojë kohë më parë sesa zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë përgatitje të domosdoshme të tilla si miratimi i akteve nënligjore të detajuara dhe testimi i sistemeve”. Është pikërisht kërkesa që opozita e ka bërë që në maj të vitit të shkuar, por që qëllimisht u la në harresë.

Rama në opozitë dhe Rama në pushtet

Por le të bëjmë një krahasim, me Ramën në opozitë dhe Ramën në pushtet për sa i përket reformës zgjedhore. Rama në opozitë kërkonte thuajse në çdo palë zgjedhje, ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe jo vetëm implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por dhe kërkesa nga më absurdet. Në vitin 2007, bllokoi zgjedhjet për disa muaj për shkak të një kërkese në lidhje me çertifikatat. Në vitin 2008, kërkoi ndryshim të sistemit zgjedhor, në vitin 2012 kërkoi sërish ndryshime të tjera e kështu me radhë. Kodi Zgjedhor vetëm kur ka qenë Rama në opozitë ka pësuar katër herë ndryshime, nga ku vetëm për vitet 2007-2009, u ndryshua dy herë. Por çfarë ndodhi sapo Rama mori pushtetin? Problemet zgjedhore u lanë pas dore dhe kërkesat e opozitës nuk u implementuan asnjëherë. Nuk u morën parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR, të lëna si detyrë në vitin 2013. Edi Rama në delir nga marrja e pushtetit, kishte harruar kërkesat e tij në opozitë. Në këto kushte u organizuan tre palë zgjedhje deri më tani me Ramën si arbitër. Ato të vitit 2015 dhe zgjedhjet në Dibër dhe Ersekë. Në të tria këto zgjedhje, manipulimet ishin të dukshme. Në zgjedhjet e 2015, u vu re blerje masive e votës dhe deformim i saj. Duke shfrytëzuar varfërinë e njerëzit skuadrat mavi u lëshuan të blinin vota. Atje ku nuk kishin besim mbanin peng kartat e identitetit pasi kryenin pagesën. Rastet e Korçës, Kamzës, Elbasanit, por dhe Tiranës me komunitetin rom dhe atë egjiptian flisnin për një masakër elektorale nga ana e mazhorancës. Më tej, zgjedhjet e Dibrës dhe ato të Ersekës konfirmuan dhe një herë se Rama, nuk di të arbitrojë një proces zgjedhor, por di vetëm t’i vjedhë ato.

Bochard: 2 miliardë euro nga kanabisi mund të përdoren në zgjedhje

Pretendimet e bëra publike nga opozita e vendit për investime të mundshme të parave të pista të fituara nga droga dhe krimi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare i përforcoi para pak kohe dhe ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt. Ai  deklaroi se në Shqipëri qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista, të cilat sipas tij mund të përdoren për të blerë deputetë dhe vota në zgjedhjet e qershorit. “Jo gjithçka është kapur, sepse çdo javë dëgjohet se janë kapur ngarkesa. Kjo do të thotë se qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra, ekziston risku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë. Të gjitha këto janë rreziqe të mëdha. Me prodhimin e paligjshëm të kanabisit me përmasa fenomenale shoqëria përballet me probleme të ndryshme. Një fermer, që prodhon kanabis, nga sigurohet që fëmijët e tij nuk e pijnë?! Çfarë ndodh nëse fermerin e kapin dhe shkon në burg?! Është një spiral që ka përfunduar keq. I takon njerëzve të vendosin, nëse për më shumë apo më pak para të japë tokën për kanabisin, por ka një rrezik të madh ama”, tha Borchardt. Më tej në fjalën e tij Borchard theksoi se është pikërisht frika nga investimi i këtyre parave të pista në zgjedhje që e ka shtyrë organin e OSBE-së të mbështesë palët për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

52 rekomandime nga OSBE për zgjedhjet, asnjë i përfshirë

Sot jemi përpara faktit, se asnjë nga 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR, që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, financimin e fushatës apo përfshirjen e administratës në të nuk janë reflektuar në Kodin Zgjedhor. Partia Demokratike herë pas here ka kërkuar fillimin e punës për këtë çështje. Në maj të vitit të shkuar, pra më shumë se një vit përpara zgjedhjeve deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, kërkoi amendimet përkatëse në kod për votimin elektronik. Koha ishte mëse e mjaftueshme, por amendimi nuk u mor parasysh nga mazhoranca. Jo më kot Rama nga ana e tij ka përzgjedhur si bashkëkryetar Taulant Ballën, njeriun që e përdor gjithmonë sa herë do që të dështojë diçka. Dhe në rastin konkret, pra rishikimin e Kodit Zgjedhor, mund të thuhet se puna është sabotuar qëllimisht dhe porosi direkte të Ramës. Kërkesat e opozitës ranë në vesh të shurdhër dhe jo pa qëllim. Rama nga ana e tij, e di se pa manipulime s’ka asnjë shans të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.   Disa nga rekomandimet OSBE/ODIHR:  Rekomandohet që çdo zbatim i projekteve pilote SEV dhe SEN të përcaktuara me ligj, të fillojë kohë më parë sesa zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë përgatitje të domosdoshme të tilla si miratimi i akteve nënligjore të detajuara dhe testimi i sistemeve. Autoritetet dhe partitë politike mund të konsiderojnë marrjen e hapave më të vendosura për të siguruar që nuk ushtrohet presion mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë, si dhe persona të tjerë për të marrë pjesë në veprimtarinë e fushatës ose për të votuar në një mënyrë të caktuar. Çdo presion i tillë duhet të hetohet dhe autorët të vihen përpara drejtësisë sipas ligjit. Duhet të sigurohet pavarësia institucionale e KQZ-së. Për këtë qëllim, palët e interesuara duhet të veprojnë në përputhje me rolin që kanë në aktivitetet e KQZ-së dhe punonjësit zgjedhorë nuk duhet t’i bazojnë veprimet dhe vendimet e tyre nën ndikimin e faktorëve politikë. Duhet të vazhdojë dhe të intensifikohet bashkëpunimi mes institucioneve qendrore dhe vendore në lidhje me masat për të zvogëluar numrin e regjistrimeve të dyshuara si të dubluara dhe numrin e zgjedhësve pa kod adrese të plotë, në mënyrë që të zgjidhen problemet e mbetura në lidhje me saktësinë e të dhënave për zgjedhësit. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet në mënyrë që të eliminojë boshllëqet dhe paqartësitë e identifikuara në këtë raport dhe në raportet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it. KQZ-ja duhet të trajtojë në mënyrë të menjëhershme përmes vendimesh dhe udhëzimesh çdo paqartësi dhe boshllëk që mund të haset në ligj. Kuadri ligjor që rregullon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore duhet të rishikohet në tërësinë e tij për të eliminuar çdo boshllëk dhe paqartësi të identifikuar në këtë raport dhe në raportet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it, duke përfshirë subjektet që kanë të drejtë ankimi, afatet për gjykimin e ankimeve dhe juridiksionin mbi ankimet e lidhura me listat e zgjedhësve dhe me fushatën. Në mënyrë që të sigurohet sekreti i votës dhe integriteti i procesit, çdo lidhje midis votës dhe një zgjedhësi specifik nuk duhet të jetë e mundur. Dispozitat penale mbi shpifjen duhet të shfuqizohen, duke u dhënë përparësi instrumenteve të parashikuara nga legjislacioni civil të hartuara për rivendosjen e reputacionit të dëmtuar. Komisionet zgjedhore dhe gjykatat duhet të mos i trajtojnë çështjet në mënyrë tepër formale, duhet t’i vlerësojnë në mënyrë të plotë të gjitha rastet dhe të shqyrtojnë thelbin e të gjitha provave përkatëse në gjykimin e ankimeve dhe apelimeve. Vëmendje duhet t’i kushtohet shfuqizimit të dispozitës së Nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e prodhuara nga partitë politike të transmetohen në lajme. Duhet të përcaktohen ligjërisht afate të përshpejtuara për dorëzimin e raporteve financiare tek audituesit e KQZ-së dhe publikimi i tyre në kohë. Për të rritur transparencën dhe llogaridhënien, garuesit mund të detyrohen të publikojnë raporte paraprake mbi të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës përpara ditës së zgjedhjeve.