Vlahutin-eurodeputetes: Vila 1.6 milionë euro, jo shumë e shtrenjtë

236

Skandali i blerjes së një vile me vlerë 1,6 milionë euro nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, në një zonë rezidenciale të kryeqytetit, hapi një valë polemikash.
Për këtë arsye vetëm para pak ditësh eurodeputetja gjermane, Ingeborg Grassle njëherazi kryetarja e Komisionit të Kontrollit të Buxhetit në Parlamentin Evropian i dërgoi një letër Frederica Mogherinit, ku i drejtonte 11 pyetje për blerjen e vilës nga Vlahutin në Tiranë.
Shefja e Shërbimit të Jashtëm, Frederica Mogherini i ka adresuar pyetjet e eurodeputetes pranë delegacionit të BE-së në Tiranë, për të marrë përgjigje më të saktë.
Delegacioni i BE-së në Tiranë i ka kthyer përgjigje eurodeputetes duke i saktësuar se nuk ka patur asnjë abuzim, por gjithçka është kryer konform rregullave dhe standardeve.
Në përgjigjen e kthyer nga zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë për eurodeputeten gjermane ajo që bie në sy është një përgjigje e paparë më parë.
Sipas stafit të zonjës Vlahutin afër me vilën 1,6 milionë euro ndodhej një vilë tjetër me çmim më të ulët, por që nuk i përmbushte kushtet e sigurisë.
Zyra e BE-së deklaron se vila tjetër ishte me dritare të pafortifikuara, me mure të ulëta dhe e rrezikuar nga tërmetet. Prandaj kjo blerje megjithëse me çmim më të ulët nuk u aprovua dhe u zgjodh vila tjetër me çmim 1,6 milionë euro.
Çmimi për të cilin ishte rënë dakord nuk ishte as shumë i lartë as shumë i ulët.
Një tjetër vilë, e cila nuk u mor parasysh, në të njëjtën lagje nuk ishte e pranueshme për arsye sigurie: që të mund të ishin në rregull me kërkesat e sigurisë së EEAS-së, vila tjetër ishte me dritare të pafortifikuara, lartësitë e mureve rrethuese kishin nevojë të rriteshin nga 1.8 metra në 2.5 metra, por kjo gjë nuk mori aprovim.
Ndër të tjera, vila gjendej në një vend i cili rrezikohej nga tërmetet.
Ky është një arsyetim interesant. Duket sikur Delegacioni i BE-së në Tiranë është kthyer në një qendër shkencore sizmike, madje qendër tepër e specializuar, aq sa mund të dallojë edhe efektet e tërmetit në dy vila të ndryshme të së njëjtës lagje.

Thellohet skandali, Vlahutin firmosi qiranë 8 mijë euro në muaj

Ndërsa ambasadorja e Delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin është në epiqendër të skandalit për blerjen e vilës luksoze të Delegacionit të BE-së në shumën e 1.6 milionë eurove, një tjetër kontratë komprometuese ekspozohet.
Në fillim të vitit 2015, biznesmeni Laert Duro dhe Vlahutin kanë rënë dakord për një kontratë qiraje me vlerë të këstit 8 mijë euro në muaj.
Kjo kontratë parashikonte që Delegacioni i BE-së do të paguante 8 mijë euro çdo muaj për shfrytëzimin e vilës, ndërsa Delegacioni kishte kohë 1 vit që ta blinte vilën.
Sipas kësaj kontrate qiraje, nëse ndodhte që Delegacioni nuk do e blinte vilën për një vit, atëherë kishte detyrimin që të shfrytëzonte për 8 vite me qira vilën. Detyrimi vjetor i qirasë llogaritet në 96 mijë euro.
Kontrata-tip është ekspozuar nga kandidati për Avokat të Popullit, Altin Goxhaj, i cili u shpreh për “Hashtag.al” se:
“Kjo kontratë tip është siguruar me USB nga burime të BE-së, nga zyrtarë korrektë që kanë interes në zbardhjen e kësaj afere”.
Kontrata e qirasë rëndon edhe më tepër historinë e blerjes së kësaj rezidence. Kontrata e qirasë zbardh detyrimin e kripur që Delegacioni i BE-së kishte marrë përsipër ndaj biznesmenit që shiste vilën në rast të mosblerjes.
Pse kjo këmbëngulje për të gjetur rezidencë vetëm tek kjo vilë? Cilat ishin opsionet e tjera?
Pikërisht këtu duket se është dhe problemi kyç i kësaj historie, sepse Delegacioni i BE-së nuk e ka praktikë blerjen e rezidencave të banimit. Nga ana tjetër çmimi i vilës i zbardhur në kontratën e shitjes prej 1.6 milionë euro është afro dyfish më i lartë se vlera e tregut.
Por dhe çmimi i qirasë i nënshkruar prej zonjës Vlahutin rezulton dyfish më i lartë nga mesatarja e tregut në bllokun rezidencial Rolling Hills.

“Hashtag.al”