Vendimi i fshehtë i Ramës për futjen e lëndëve të rrezikshme në Shqipëri

Ka qenë data 21 shtator e vitit të kaluar, (kohë kur përkon me zhdukjen e konteinerëve) kur me anë të një vendimi qeverie, Rama do i hapte rrugë lëndëve kimike të rrezikshme në vend. Si shumë VKM të tjera, edhe kjo që është firmosur në periudhën që përkon me dyshimet e zhdukjes së konteinerëve shumë të përfolur është marrë pa diskutime dhe pa praninë e gjithë ministrave në mbledhje. Ai ka firmosur një vendim qeverie, pikërisht për “Lëndët e rrezikshme kimike”, duke dhënë kështu visto dhe ligjshmëri për importin dhe kalimin e tyre transit në vendin tonë. “Syri.net” ka mundur të sigurojë vendimin e plotë të qeverisë, i mbajtur i fshehtë për publikun dhe shoqatat e ambientalistëve shqiptarë. Bëhet fjalë për VKM e datës 21 shtator të vitit 2016, “Për eksportin dhe importin e kimikateve të rrezikshme”. Materiali i firmosur nga kryeministri Rama është tejet i gjatë dhe mjaft i koklavitur, mes kapitujsh e pikash, konventash ndërkombëtare etj. Por ajo që mund të lexohet qartë është, se vendi ynë për herë të parë lejon importin dhe eksportin e lëndëve dhe mbetjeve të rrezikshme të të gjitha llojeve. Gjithashtu në këtë vendim qeverie, i hapet rrugë edhe kthimit të vendit tonë si vend transit, për këto lëndë të rrezikshme. Pikërisht me “lojën e tranzitit”, mediat italiane kanë ngritur ditët e fundit dyshime dhe akuza, se ekomafia italiane ka groposur në vendin tonë gjatë fundvitit të shkuar më shumë se 1300 konteinerë të mbushur me lëndë të rrezikshme kimike”, shkruan portali. Pra, çfarë po ndodh? Nga një anë ligji ndalon importin e çdo mbetje kimike të rrezikshme dhe në anën tjetër, kemi një vendim qeverie, i cili i lejon. Por jo vetëm kaq. Edi Rama i ka hapur rrugën eksportit dhe importit të mbetjeve kimike, shumë më herët se të bëhej zhurma për importin e plehrave. Në mars të vitit të shkuar, u hartua një ligj, i cili lejonte për herë të parë importin, eksportin dhe tranzitin e lëndëve kimike të rrezikshme nëpërmjet territorit tonë. Duhet të jemi të qartë, me mbetje të rrezikshme nuk nënkuptohen vetëm mbetjet radioaktive, por dhe vajrat e makinave, ilaçet e skaduara, të cilat kontaminojnë ambientin. Vetëm para disa kohësh, një emision investigativ do të zbulonte tonelata ilaçe të groposura buzë një lumi në Tiranë, që i përkisnin mesit të viteve 1990-të. Denoncimi ishte bërë nga banorët, por askush s’dinte të thoshte se nga vinin.