Valbona Maloku hedh në gjyq për shpifje mediat e Ramës

Me urdhër të Ramës, Valbona Maloku (Duka) dhe Xhavit Koni janë sulmuar dje nga mediat pranë tij në shenjë hakmarrjeje për dëshmitë e tyre mbi torturat  çnjerëzore që Fatmir Xhafa, në cilësinë e hetuesit gjatë regjimit hoxhist kishte ushtruar ndaj tyre. Mediat pranë qeverisë Rama dje u angazhuan për të mbrojtur Fatmir Xhafajn, të emëruar së fundmi si ministër i Brendshëm, por që nuk është dekretuar ende nga Presidenti.  Ka qenë një “investigim” i “Temës” së Mero Bazes, i porositur nga Rama, e që më pas është shpërndarë menjëherë në mediat e tjera “rozë” pas urdhrit nga zyra e shtypit në Kryeministri. Kështu, “investigimi” i tyre nxjerr në pah “të shkuarën e errët” të dy qytetarëve që kanë denoncuar vuajtjet dhe torturat nga Fatmir Xhafaj, kur ky i fundit ka qenë hetues në kohën e komunizmit. Sipas mediave “Rilindëse”, Valbona Duka ka vrarë në vitin 2002 personin që i vrau burrin, “madje dyshohet të ketë urdhëruar edhe vrasjen e një prej vëllezërve të saj”. Por, nuk ka vonuar shumë përgjigja e Valbona Malokut, gruaja që pak ditë më parë denoncoi Xhafën dhe sot u nëpërkëmb nga mediat pranë Qeverisë. Valbona e ka dërguar përgjigjen në Facebook-un e ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ajo ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra ndaj saj nga gazeta “Tema” e Mero Bazes dhe thotë se ka bërë padi ndaj kësaj media për shpifje. Sipas saj, ajo është gati që të përballet me drejtësinë në Shqipëri. Valbona Maloku punon në Bashkinë e Germersheim në Gjermani. “Zoti Berisha, përshëndetje. Po ju shkruaj juve se jeni një person i vërtetë publik. Lexova që unë akuzohem që jam një vrasëse, por që kjo gjë nuk është aspak e vërtetë dhe këtë gjë mund ta vërtetoj si të duan ato gazetarët e Edi Ramës se unë jam një qytetare e nderuar në Gjermani dhe punoj në Bashkinë e Germersheim qytetin në të cilin unë jetoj, por unë jam e gatshme të vij dhe t’i përballem drejtësisë si të dëshirojnë gazetarët. Këto janë shpifje nga më të ndryshmet që të tromaksin si mund të akuzosh një person për vrasëse, me çfarë të drejte e bëjnë ato gazetarë këtë gjë. A është gati Fatmir Xhafa të përballet me drejtësinë që mua nuk më ka torturuar për punën e vëllait tim dhe sikur vëllai të kishte bërë unë s’kisha bërë gjë, kam thënë vetëm të drejtat dhe se mohoj.  Dhe unë nuk ju shkruajta juve për arsye se po bëhen protesta, por për arsye se ai njeri nuk meriton të jetë ministër i Brendshëm, ai nuk meriton të jetë fare në politikë. Po arritëm prapë në kohën e Enverit, s’kemi drejt të themi as të drejtat tona.  Padia ime ndaj atij gazetari është ngritur sot dhe do ta shohim sa të vërteta janë lajmet, kur ai të përballet para drejtësisë për shpifje dhe sajime nga më të ndryshmet. Me nderime dhe respekt,  Maloku (Duka)Valbona” thuhet në reagimin e Valbona Malokut.

Presione Xhavit Konit, reagimi: Do përballem

E megjithatë nuk është mjaftuar me kaq. Xhavit Koni na komunikoi dje se që prej ditës që ka denoncuar me zë e figurë xhelatin Xhafa në emisionin “Opinion”, nuk kanë pushuar telefonatat. Ai deklaroi se do të jetë këtu në fillim të prillit për të drejtuar gishtin drejt Fatmir Xhafës, hetuesit xhelat që e torturoi që në moshën 16-vjeçare. “Nuk dua të merrem me ato çfarë janë publikuar nga të ashtuquajturit gazetarë që përdor Edi Rama, se me ato do të merret Gjykata, por dua vetëm të them se asnjë lloj kërcënimi nuk më tremb. Unë sërish do jem në Tiranë për të denoncuar Fatmir Xhafën dhe krimet e tij”, thotë Koni. E njëjta gjë vlen dhe për Valbona Dukën, dhe ajo ka deklaruar se do të hedhë në gjyq personin që ka publikuar këto shpifje, dhe të gjithë të tjerët që e kanë mbështetur. Gjykata, do të jetë ajo që do e zgjidhë këtë çështje, dhe këtë herë as “Çorapja” dhe as kryeministri s’do e kenë të lehtë. Të dy personat jetojnë jashtë dhe shprehen se të drejtën e tyre do e gjejnë në çdo formë. Po dje, vet Xhavit Koni ka deklaruar se është kërcënuar nga persona të panjohur, të cilët i kanë dërguar mesazhe ku i shkruanin që mos të kthehet në Shqipëri, ndryshe “do t’i nxjerrin shpalljen në shtyllë për 24 orë”. Kërcënimet që ka marrë, ai i ka denoncuar në Facebook-un e ish-Kryeministrit Sali Berisha. Statusi në Facebook i ish-Kryeministrit Sali Berisha. “Mirëmbrëma Doktor Berisha të uroj shëndet e jetë të gjatë më fal që po të shqetësoj por dua të bëj me dijeni ty dhe shumë të tjerë që unë kam tre ditë që marr kërcënime nëpërmjet telefonit pa numër nga persona që unë nuk i njoh dhe më thonë që po erdhe në Shqipëri do ta nxjerrim shpalljen në shtylle për 24 ore dhe ofendime nga më të ndyrat unë do te vij në Shqipëri dhe do të përballem me xhelatin Fatmir Xhafa ballë për ballë se torturat çnjerëzore që ka përdorur ndaj meje në 86 ka ardhur koha me ja treguar gjithë Shqiptarëve me respekt nga Suedia Xhavit Koni”.

Kori i zagarëve të dirigjuar nga Rama, lehin për xhelatin Xhafa

Funksionon kështu! Edi Rama thërret një spiun të vjetër të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Çorapja”, të cilit i jep porosi se viktimat e Fatmir Xhafës duhet të denigrohen, e sidomos gruaja Valbona Duka (Maloku), e cila denoncoi e para torturat e ish-hetuesit enverist. Më pas del lajmi, se Xhavit Koni dhe Valbona Duka, kanë bërë një mijë e një të zezat, dhe ajo që ka bërë Fatmir Xhafa nuk është asgjë në krahasim me ato që kanë bërë ata. Valbona Dukën, shkojnë deri aty sa ta shfaqin si ndonjë kapo mafie, që urdhëron vrasje njerëzish. Në fakt, Valbona sot është vetëm një gjyshe që rrit nipat në Karslruhe në Gjermani. Çorapja, e thur rrjetën i pari, duke nxjerrë nga truri i tij histori fantastike dhe për vetë trurin më pervers që mund të imagjinohet. Pas botimit në portal-paçavuren e tij, Fatmir Xhafa, telefonon një të njohurën e tij të vjetër, që ai ka miqësi të hershme. Bëhet fjalë për ish-të fejuarën e Agron Xhafës, vëllait të hetuesit të kohës së komunizmit, njeriut të akuzuar se drejtonte trafikun e kokainës nga Italia në Venezuelë. Një njeri e cila njihet mirë për bëmat e saj në korridoret e PS-së, dhe mjaft histerike në debatet televizive në mbrojtje të kauzave të Rilindjes. Më tej, lajmi publikohet në një tjetër portal, që drejtohet nga një tjetër pinjoll i komunizmit dhe ky me lidhje direkte me Ramën, që një herë në dy ditë boton sondazhe ku tregohet se sa të lumtur janë njerëzit nën qeverisjen e Ramës, dhe se mezi presin ta votojnë sërish në shifra marramendëse. Rama do ishte ai që i vendos vulën lajmit, madje merr përsipër dhe të debatojë me qytetarët që e kryqëzojnë, se llumi i botuar nga Çorapja është një investigim i mirëfilltë dhe i provuar. Ish-e fejuara e vëllait të Fatmir Xhafës, nuk ngopet vetëm duke botuar lajmin e parë nga çorapja, por boton dhe variantin e kryeministrit, që në fakt është e njëjta gjë. E gjithë kjo panoramë përngjan me ato skenarët famëkeqë të Sigurimit të Shtetit. Diktatura nuk kënaqej vetëm me burgosjen apo torturat e tyre, por kërkonte dhe denigrimin moral të tyre. Fakti që në krye të gjithë kësaj është vënë vetë Edi Rama është alarmante. Kryeministri merr përsipër të denigrojë shtetasit e tij, për të mbrojtur xhelatin kryeministër. Ja çfarë psillëqesh poston kryeministri jonë në faqen e tij zyrtare në Facebook. “Bashkëshorti i Valbonës është vrarë në Shqipëri në vitin 1999 nga Robert Preni, ndërkohë që hakmarrja e Valbonës mendohet të ketë ardhur vetëm 3 vjet më vonë, duke vrarë vëllain e Robertit, Antonin. Ajo çka e bën edhe më të frikshme historinë e Valbonës, është se ajo dyshohet të ketë urdhëruar vrasjen edhe të një prej vëllezërve të saj, Arben Duka, për të cilin tani derdh lot krokodili. Ndonëse të dhënat flasin vetë, është e qartë se personat që sot hedhin baltë mbi Fatmir Xhafaj, janë njerëz që fillimisht duhet të përgjigjen para drejtësisë për vrasjet, vjedhjet dhe krimet që kanë kryer jo larg në kohë, por gjatë 20 viteve të fundit”. Çorapja këtë herë me sa duket nuk ka futur vetëm veten në telash, por dhe Kryeministrin. Kjo, sepse shpërndarja e lajmeve të rreme, sidomos kur akuza të tilla të paprovuara në vendin tonë përbën vepër penale, dhe shumë shpejt akuza do të bjerë dhe ndaj kryeministrit, që spara ja thek shumë nga çështjet e të drejtës. Nga ana tjetër, është dhe një mënyrë djallëzore për të nxitur hasmëritë mes njerëzve, kur akuzohet një grua 50-vjeçare se paska kryer vrasje. Më tej, gruaja sot gjyshe e disa nipërve e mbesave, si në skenarin e filmit Kumbari, me skenar të siçilianit Mario Puzzu, dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e vëllait të saj Arben Duka, dhe ky një i torturuar nga Xhafaj, dhe këtë detyrë të servirur nga zyrat e Kryeministrisë e gjen në çdo media.