Tusk rizgjidhet President i Këshillit Evropian

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian rizgjodhën të enjten me shumicë dërrmuese votash presidentin e bllokut, Donald Tusk.
Vendi i zotit Tusk, Polonia ishte e vetmja nga 28 vendet anëtare të BE-së që votuan kundër rizgjedhjes së tij.
Pas votimit, Beata Mazurek, zëdhënëse e Partisë së Ligjit dhe Drejtësisë, e cila është në pushtet në Poloni, vuri në pikëpyetje unitetin e BE-së pas rizgjedhjes së zotit Tusk.
Polonia kishte kërcënuar më parë se do të bllokonte takimin e BE-së në rast se votimi do të zhvillohej siç ishte planifikuar. Megjithatë, kjo nuk ndodhi.
Pas rizgjedhjes, Donald Tusk tha në Twitter se shpresonte ta “bënte BE-në më të mirë”, megjithë kundërshtimin e Polonisë.
“Mirënjohës për besimin dhe vlerësimin pozitiv nga Këshilli i Evropës. Unë do të bëj çmos për ta bërë BE-në më të mirë”, u shpreh ai në median sociale.
Mandati i ri i zotit Tusk skadon në nëntor 2019. Udhëheqësit e BE-së diskutuan në takimin e së enjtes edhe çështje të tjera që lidhen me ekonominë dhe mbrojtjen.
Të premten ata fillojnë përgatitjet për një samit në Romë më vonë këtë muaj për të përkujtuar 60-vjetorin e traktatit të themelimit të Bashkimit Evropian.