Tusk letër liderëve të BE: Në Ballkan situata mbetet delikate

Një ditë përpara mbledhjes së Këshillit Europian, Presidenti i këtij institucioni, Donald Tusk, i ka dërguar një letër liderëve të vendeve anëtare ku ka parashtruar prioritetet e këtij takimi, ndër të cilat radhitet edhe një diskutim mbi situatën në Ballkan. Tusk thekson se situata në rajon mbetet e brishtë, por thekson se BE-ja do të mbetet e vendosur për t’ju përmbajtur zotimeve të saj. Diskutimet do të zhvillohen në trajtën e një darke pune, mbrëmjen e së enjtes. “Gjatë darkës, ne do të shqyrtojmë situatën në Ballkanin Perëndimor që vijon të mbetet delikate. Shumë prej jush e kanë kërkuar një diskutim të tillë në mbledhjen e fundit që zhvilluar, për shkak të shqetësimeve që kanë ardhur si pasojë e zhvillimeve aktuale. BE do të vijojë të mbetet e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor dhe do t’u qëndrojë besnik zotimeve. Gjatë darkës, ne do të analizojmë edhe mundësitë për të ruajtur vrullin e objektivit tonë të përbashkët për të përforcuar sigurinë dhe mbrojtjen e Europës”. Në letër, Tusk ka theksuar edhe prioritete të tjera, siç janë diskutimet mbi ekonominë, emigracionin, punësimin dhe shpërndarjen e të ardhurave në një mënyrë më të gjerë dhe më të drejtë tek qytetarët. Një çështje me rëndësi përbëjnë gjithashtu edhe përpjekjet për themelimin e Prokurorisë së Bashkimit Europian, një institucion i cili do të ketë për detyrë hetimin e krimeve ekonomike që dëmtojnë interesat e unionit. Mbledhja e Këshillit Europian vjen në 60-vjetorin e Traktatit të Romës, si dhe në një kohë vendimtare për të ardhmen e bllokut.