Trump sulmon përsëri ish-administratën Obama

Presidenti i SHBA, Donald Trump sulmoi përsëri në Twitter administratën e paraardhësit të tij, Barak Obama, këtë herë për lirimin e 122 të burgosurve nga qendra e paraburgimit ushtarak në Gjirin Guantanamo, për të cilët ai thotë se janë rikthyer “në fushën e betejës”.
Presidenti Trump nuk bëri të ditur burimin e pohimeve të tij. Por sipas një raporti të drejtorit kombëtar të zbulimit, 122 nga 693 e të burgosurve të liruar nga qendra e Guantanamos janë riangazhuar në aktivitete terroriste ose kryengritëse.
Megjithatë, vetëm nëntë prej tyre, ose gjashtë për qind, janë liruar nga administrata Obama. Shumica u liruan në kohën e administratës Bush, përpara inaugurimit të zotit Obama në janar 2009.
Komenti i bërë dje në mëngjes në Twitter nga Presidenti Trump erdhi menjëherë pas një njoftimi të programit televiziv “Fox and Friends” rreth një sulmi ajror amerikan në Jemen, në të cilin u vra një ish-i burgosur i Guantanamos.
Njoftimi i njeh meritën administratës Trump për vrasjen e ish-të burgosurit dhe aty thuhej se ai ishte liruar nga Barack Obama.
Është hera e dytë ditët e fundit që Presidenti Trump sulmon publikisht ish-Presidentin Obama.