Torturat e Xhafës ndaj 17-vjeçares: “Arbenit ja hoqi dhëmbët me darë”

Arben Duka ishte një i ri nga Kruja që në ditën e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, qëlloi në një tavolinë me katër shokë të tij. Sapo u dha lajmi, ai propozoi të ngrinte një dolli gëzimi, pa e ditur se ky veprim rinor do të bëhej shkak për kalvarin e vuajtjeve të familjes së tij. Tortura, burgosje, internime për të dhe për familjen, të cilat mbanin një firmë të një hetuesi të ri rreth 27 vjeç asokohe. Ai quhej Fatmir Xhafaj, i propozuar nga Edi Rama së fundmi në postin e ministrit të Brendshëm. Nga ta dinte Arbeni, 20-vjeçar se hetuesi që i kishte rënë për pjesë ishte një ndër adhuruesit më të zjarrtë të diktatorit. Intervista që po botojmë sot është realizuar me Valbona Maloku (Duka) asokohe vetëm 17 vjeç.
Valbona është një nga ato që ka vuajtur egërsinë e hetuesit 27-vjeçar të asaj kohe, i cili mesa duket kërkonte të përligjte me çdo mjet një foto të bërë tri vite më parë në krah të dikatorit. Vëllai Arbeni do të dënohej me 19 vjet burg, ndërsa vetë Valbona, me vëllain dhe motrën e mitur do të qëndronin në shtëpinë e tyre në Fushë-Krujë. Babai do të vdiste një ditë pas internimit. Dhe shoku Xhafaj nuk do të kënaqej, me të zezat që do i bënte kësaj familjeje.
Valbona tregon se është rrahur pa mëshirë nga dora e ish-hetuesit sot deputet socialist. Imagjinoni një vajzë 17 vjeçe që rrihet në mënyrë shtazarake. Vëllai i saj gjatë hetuesisë do të duronte tortura nga më të tmerrshmet, që nga shkulja e dhëmbëve me darë dhe deri tek vendosja e vezëve të ziera poshtë sqetullave, një torturë që rëndom e aplikonte Gestapo e Gjermanisë Naziste. Sot, ai nuk jeton, ka vdekur para disa viteve. Më tej, zonja Maloku tregon dhe një pjesë të karakterit plaçkitës të Fatmir Xhafës, mentalitet që s’i ka munguar dhe përgjatë këtyre viteve të politikës. Ajo tregon se si ja morën plaçkat që i kishte ruajtur për pajën e saj, për t’i shitur apo për t’ja dhënë grave të shokëve të tij hetues. Në vitin 1990, shtatzënë në ditët e fundit të lindjes, do të hynte në ambasadën gjermane në korrikun e atij viti. “Aq më kishte tmerruar regjimi komunist dhe persona si Xhafa, sa hyra në ambasadën gjermane dhe nuk pranova të dilja kurrsesi.
Vajzën e linda brenda në ambasadë”, tregon Valbona. Ky pra, është shoku Fatmir, që partia e tij ia hapi dyert për të ngjitur majat e politikës dhe në demokraci. Por më ironikja në të gjithë këtë histori, nuk është vetëm fakti se ish-xhelati i djeshëm, shërbëtori i devotshëm i diktaturës është bërë ministër i Brendshëm, por sepse ky ka marrë përsipër të vlerësojë integritetin e 850 prokurorëve dhe gjyqtarëve të këtij vendit. Personi, që ka rrahur e plaçkitur viktimat e tij përgjatë diktaturës, sot flet për ndershmëri dhe integritet në gjyqësorin shqiptar.
Shqipëria mund të jetë vërtet vendi i çudirave, por kjo është e tepërt. Imagjinoni një moment se çfarë paçavure mund të servirin individë të tillë, imagjinoni çfarë dëmi mund t’i bëjnë drejtësisë me marifetet e tyre. Këto ditë ai duhet të marrë bekimin e Kuvendit për të drejtuar një institucion të rëndësishëm. Të shpresojmë se një pjesë prej tyre që do të shkojnë në atë seancë t’i ketë mbetur një fije integriteti. Më poshtë intervista e zonjës Maloku dhënë për gazetën “RD”.

-Përse akuzohej familja juaj?
Historia fillon ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985. Vëllai im me katër shokë, kanë qenë duke drekua në një lokal kur kanë marrë vesh për vdekjen e Enver Hoxhës, dhe kanë ngritur dolli. Njëri prej tyre kish qëlluar spiun dhe e raporton në Degën e Punëve të Brendshme. Vëllain e futën në burg, e arrestuan më 22 shtator të atij viti, ndërsa gjysmën e familjes time e internuan. Na kanë lënë në shtëpi vetëm mua, në atë kohë unë 17 vjeç, motra tjetër 14 vjeçe dhe vëllai i vogël 11 vjeç. Nënën, babain i internuan, duke na lënë vetëm në shtëpi. Babai vdiq një ditë pas internimit, pra më 20 maj. Ndërsa vëllain Arbenin e arrestuan ditën e dasmës më 22 shtator të vitit 1985. Nusja e tij e la, ditën që u mor vendimi dhe që u dënua me 22 vjet burg.

-Ju thoni që hetues ishte Fatmir Xhafa?
Po ai ishte Fatmir Xhafa. Nuk do e harroj kurrë atë ditë. Pas internimit të prindërve unë isha e  detyruar, të filloja punë në fermë! Mbas dhjetë ditësh, aty ku punoja më vjen një xhip i Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Më thotë brigadieri, dil se të kërkojnë. Hipa në makinë  dhe më dërguan në një zyrë tek ish-ndërtesa e Komitetit Ekzekutiv në Krujë. Aty ishin dy hetues, ku njëri prej tyre siç mësova ishte Fatmir Xhafa. Ky ishte dhe më i zellshmi, sepse ky drejtonte pyetjet dhe tjetri mbante shënim. Por mund të them se ishte një egërsirë e vërtetë. Nuk arrij ta imagjinoj tërë atë egërsi ndaj një fëmije, vajzë 17 vjeçe siç isha unë të atë kohë. Ma ka nxirë fytyrën, duke më qëlluar herë me shuplaka dhe herë me grushta, ma ka bërë krahun plagë nga të pickuarat. Nuk e di po s’kam parë qenie më mizore përgjatë gjithë jetës time. Dhe sot kur më kujtohet, më dridhet trupi.

-Sa ditë zgjati marrja e pyetjes në Hetuesi?
Më kanë thirrur tre herë! Dhe sa herë shkoja përsëritej e njëjta histori. Shkoja në punë me sy të nxirë dhe nuk mund të thoja se më ka rrahur hetuesi! Se atëherë as nuk kishe ku të ankoheshe ndaj pushtetit.

-Për çfarë ju pyeste kryesisht Xhafaj?
Gjithfarë pyetjesh, por më shumë kërkonte të dinte se ku i kisha fshehur florinjtë. E ku kishim florinj neve. Trego ku i ke fshehur më thosh, se na ka thënë Arbeni, vëllai që ishte në burg, se florinjtë ja kam dhënë Valbonës. Dhe sa herë kërkonte florinjtë goditste dhe më me egërsi. Më ka bërë përshtypje diçka. Mbaj mend se kisha një sëndyk, ku kisha bërë pajën dhe aty kisha tërë rrobat e martesës. Ato mi kanë sekuestruar, kur vajta të interesohesha më thanë që ishin në një dyqan në pazarin e Krujës. Shkoj atje dhe shitësi më thotë se rrobat i “ka blerë” Fatmir Xhafa, me hetuesin tjetër Kujtim Lulo. Kam parë gruan e Kujtim Lulos me fustanin tim në gjyqin e Halim Balikës. Kur ka dalë në pushim i kam thënë mos e gëzofsh fustanin tim.

-Po vëllai juaj u torturua?
Vëllai im ishte ai që mbajti dhe peshën më të madhe të torturave. Një mikesha ime infermiere, më tregonte se e mbanin në jetë me injeksione, nuk e di çfarë i injektonin që të mos vdiste gjatë torturave. Më tej me tregoi se Fatmir Xhafa, i kish bërë gjithëfarë lloj torturash, si shkulje dhëmbësh me darë, vendosje vezësh të nxehta nën sqetulla, e të gjitha të zezat e tjera, që kush i kujton tani. Torturat ndaj tij filluan që momentin që e kapën, dhe policia e çoi gjysëm të vdekur në duart e Fatmir Xhafës, që i shtoi dhe më tej torturat ndaj tij.

-Si vazhdoi më tej kalvari i vuajtjeve të familjes suaj?
Siç ju thashë, Fatmir Xhafa na internoi gjysmën e familjes, dhe mua më vdiq babai në internim, në fshatin Bruz Mal të Krujës afër Qafë Shtamës, atje ka akoma dhe sot varrin. Nuk duroi dot hidhërimin dhe vdiq nga infarkti, që sa mbërriti. Xhenazenë nuk na lanë ta sillnim në Krujë me pretendimin se “është i internuar dhe duhet të mbarojë dënimin”, nëna mbeti vetëm. Tre fëmijët mbetëm vetëm. Unë detyrohesha të punoja në fermë dhe që 18 vjeç të filloja të shisja gjakun e trupit, pasi duhet t’i çoja bukë nënës time në internim, dhe të mbaja vëllanë në burg. Kështu vazhdoi deri sa erdhi demokracia dhe nëna do kthehej në shtëpi. Të gjitha këto i kemi peshqesh ja prej atij që sot është ministër i Rendit. Duhet tju them, se veç rrobave të trupit na sekuestruan dhe të gjitha orenditë, deri tek rrugicat e shtëpisë. Donin të na merrnin dhe shtëpinë, dhe të na linin tre fëmijëve jashtë. Kush e di kujt ja kish premtuar Xhafaj.

-Keni një koment për emërimin e ish-hetuesit tuaj në krye të Ministrisë së Brendshme!
Unë jetoj në Gjermani aktualisht, por nuk arrij ta imagjinoj se si një hetues i komunizmit, që ka torturuar, burgosur e internuar të arrijë të emërohet ministër i Brendshëm. Ai është një kriminel, një hajdut që duhet ta kishte vendin tjetërkund dhe kjo që ndodh është e papranueshme. Unë dhe familja ime jemi vetëm një rast, por po të hetohet dalin dhe të tjera. Fatmir Xhafaj, e them me bindje ka qenë një shërbëtor, nga më të devotshmit të atij regjimi dhe imagjinoni i japin sot në dorë policinë shqiptare. Nuk e di, a ka ndonjë ligj që i përjashton këta, se ka kohë që jam larguar, por di të them vetëm këtë. Fatmir Xhafaj jo një ditë, por as edhe një orë nuk duhet të jetë në atë post.

Intervistoi: Armand MAHO