Thirrja e senatorit Mauro: Mbroni lirinë, qeveria bojkot demokracisë

Senatori italian, Mario Mauro dhe një nga personalitetet politike jo vetëm të Italisë, por edhe të Europës së bashkuar deklaroi dje mbështetjen e Partisë Popullore Europiane për lëvizjen popullore në Shqipëri për të garantuar zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike dhe në të njëjtën kohë denoncoi qeverinë se, “është ajo që e ka bojkotuar demokracinë”. “Kam lexuar në shumë gazeta europiane se qeveria shqiptare, po akuzon opozitën që po bojkoton Parlamentin. Nga këndvështrimi im, qeveria po bojkoton demokracinë, pra ajo që po bëhet në këtë tendë nuk është vetëm e bazuar dhe e legjitimuar në Kushtetutë, por edhe politikisht është e vetmja gjë që mund të përbëjë një garanci politike për të siguruar lirinë e votës”, tha Mauro.
Fjala e senatorit italian është pritur me ovacione të shumta në çadrën e protestës.
Senatori italian Mario Mauro, ish-ministër i Mbrojtjes në Itali, ish-zëvendëspresident i Parlamentit Europian, ishte dje në sheshin e lirisë ku bashkëbisedoi me qytetarët mbi vlerat e lirisë, të votës së lirë, të luftës ndaj drogës, krimit, dhe mbi standardet demokratike të një vendi. Mauro u shpreh se e mbështet plotësisht lëvizjen popullore për votën e lirë, duke e quajtur atë një kauzë të drejtë.

Senatori italian: Përse erdha në çadrën e lirisë

Senatori Mauro që në fillim të fjalës së tij ka shpjeguar se përse vendosi t’i bashkohet protestës së opozitës. “Unë jam sot këtu për të dhënë mbështetje maksimale nga Partia Popullore Europiane, për kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike. Dua të jem i qartë. Nuk jam këtu se jeni një parti që është pjesë e Partisë Popullore Europiane, por jam këtu sepse ju po bëni edhe luftën tonë për demokracinë dhe lirinë. Jemi ne që duhet t’i themi faleminderit Partisë Demokratike shqiptare. Unë kam ardhur këtu për t’u thënë faleminderit. Pse e them, që ju po mbroni demokracinë dhe lirinë?!
Miqtë e mi. Shteti ka për detyrë të mbrojë lirinë e qytetarëve të vet. Shteti është mbrojtësi i lirisë dhe jetës së qytetarëve dhe jo pronari i tyre.
Sot të gjitha partitë thonë që mbrojnë liritë. Por unë dua që ne të kujtojmë diçka. Kur në vitin 1989 ra sistemi sovjetik, të gjitha partitë komuniste në Europë ndryshuan emrin e tyre. Të gjitha partitë komuniste në Europë, u bënë socialiste. Dhe të gjithë u bënë ‘europianistë’.
Dua të them se ne jemi këtu për t’i thënë njerëzve çfarë është Europa e vërtetë. Europa e vërtetë është historia dhe dashuria e popullit shqiptar për lirinë dhe vendin e tij. Europa e vërtetë ka nevojë për Shqipërinë”, tha Mauro.
Senatori italian ka bërë disa krahasime thumbuese për qeverinë, duke i kujtuar në ditën e 7 marsit se një qeveri nuk mund të bëjë shumë për arsimin në një kohë që mbështetet tek droga dhe krimi.
“Ju sot kujtoni 130-vjetorin e shkollës së parë shqipe. Miqtë e mi, çfarë do të thotë të arsimohesh?! Të arsimohesh do të thotë që të bësh dallimin mes të mirës dhe të keqes. Dhe cila është ajo qeveri që mund të arsimojë dhe edukojë, qeveria, e cila nuk kupton që droga është e keqe e që bën dëm?! Cila është ajo qeveri që mund të arsimojë dhe të ndihmojë në arsimimin e brezave, ajo që nuk kupton luftën kundër kriminalitetit dhe nuk e zbaton atë maksimalisht?!
Dhe cila është ajo qeveri që mund ta çojë Shqipërinë në Europë dhe që është e aftë që të mbrojë këto vlera?! Ua them unë, se cila do të jetë ajo qeveri. Qeveria e Lulzim Bashës”, tha senatori Mauro.

Nuk do të lejojmë të ktheheni në epokën sovjetike

Senatori Mauro i bëri një thirrje të hapur drejtuar të gjithë shqiptarëve për të qenë më të vendosur se kurrë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë dhe se qytetarët shqiptarë duhet të kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Pikërisht sot kur projekti europian kalon vështirësitë e veta përgjegjësia është akoma edhe më e lartë. Projekti politik i Europës së bashkuar është projekti që i ka lejuar Europës të jetojë në paqe për 70 vjet. Nëse vëreni historinë tonë, gjendja normale e jetës tonë, nuk ka qenë paqja, por lufta. Pa këto vlera dhe pa këtë vizion, ka konflikt dhe vetëm konflikt. Dhe për këto arsye, është shumë e rëndësishme që të luftojmë për lirinë dhe demokracinë.
Sepse mjafton në një vend që liria dhe demokracia të jetë e nëpërkëmbur, më tej në të gjithë Europën vlen e njëjta gjë. Dhe për këtë arsye, populli shqiptar duhet të jetë më i vendosur se kurrë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sepse zgjedhjet e lira në Shqipëri, çojnë përpara projektin e Europës së bashkuar, sepse kjo bën që Europa të jetë vetvetja, toka e lirisë dhe e demokracisë. Në të kundërt, do të kthehej në një Bashkim Sovjetik dhe këtë nuk do ta lejojmë”, tha senatori Mauro.
Senatori italian është shprehur se zëri i protestuesve në tendën e lirisë është zëri i popullit shqiptar dhe është ky zë që do e çojë Shqipërinë në fitore. Senatori me përvojë të gjatë politike ka bërë edhe një deklaratë tjetër mjaft kuptimplotë mbi historinë dhe ata që harrojnë krimet e diktaturës duke iu referuar Polonisë: “Kush nuk ka kujtesë për të shkuarën e vet, nuk ka të drejtë për liri”, tha ai.
“Miq të dashur, dua ta mbyll fjalën time me një situatë që unë e kujtoj çdo ditë.
Shumë vite më parë, kur unë isha 19 vjeç shkova në Poloni, një vend që ishte nën diktaturën komuniste. Isha student në universitet dhe qëllimi ishte të merrnim shkrimet, librat e shkrimtarëve polakë e t’i nxirrnim jashtë Polonisë që të njihnim gjithë Europën me vuajtjet dhe eksperiencat e këtij vendi.
Në vitin 2005, si zëvendëspresident i Parlamentit Europian u ktheva në Poloni në 25-vjetorin e Lëvizjes së Solidarnosit. Në kantierin e ndërtuar, polakët kishin ngritur një ekspozitë të madhe, e cila shërbente për të celebruar 25-vjetorin e Lëvizjes së Solidarnosit dhe për t’i kujtuar popullit polak se cila ishte diktatura komuniste.
Ishin 25 foto të mëdha tek ky shesh dhe në këto foto shfaqeshin tanket, telat me gjemba, trupat e të vrarëve, të plagosurve, nga sistemi. Në këto foto, nga ana bardhezi ishin ngjarjet e 25 viteve më parë, ishin fotografi të luftës për liri dhe demokraci të popullit polak. Nga ana tjetër, ishin 25 foto me ngjyra. Ishin foto me të rinjtë, djem dhe vajza 25-vjeçare të lindur pikërisht në ato rrethana, në atë periudhë. Dhe çdo të riu i bëhej një pyetje, çfarë ishte diktatura, çfarë ishte komunizmi? Dhe përgjigjja ishte ‘nuk e di, nuk e mbaj mend, nuk ma kanë shpjeguar’.
Fotoja e fundit ishte krejtësisht e zezë, ku ishte shkruar në shumë gjuhë ‘kush nuk ka kujtesë për të kaluarën e vet, nuk ka të drejtë për liri’.
Për këtë arsye jemi këtu në këtë shesh. Ja përse jemi këtu në këtë tendë sepse kjo tendë është zëri i popullit shqiptar dhe është ky popull që do çojë Shqipërinë në fitore”, tha senatori italian.

Më 27 janar, PPE mbështeti projektin e Bashës për protesta

– Çfarë mendimi keni ju për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri, a do të realizohen ato ndonjëherë?
Kam lexuar në shumë gazeta europiane se qeveria shqiptare, po akuzon opozitën që po bojkoton Parlamentin. Nga këndvështrimi im, qeveria po bojkoton demokracinë, pra ajo që po bëhet në këtë tendë nuk është vetëm e bazuar dhe e legjitimuar në Kushtetutë, por edhe politikisht është e vetmja gjë që mund të përbëjë një garanci politike për të siguruar lirinë e votës.
Më 27 janar, ne u bashkuam të gjitha Partitë Popullore dhe votuam në unanimitet dhe në solidaritet një dokument ku i japim mbështetje strategjisë së Partisë Demokratike. Ky dokument është i disponueshëm në internet dhe ju mund ta qarkulloni mes jush. Ju duhet të jeni të qetë dhe të sigurt sepse nuk jeni vetëm në këtë betejë!