Thellohet kriza para Italisë

Përballja me Italinë e gjen kombëtaren shqiptare në momentin më të vështirë të epokës De Biazi. Sikur të mos mjaftonin mungesat e Berishës dhe Gjimshitit, disa lojtarë që pritet të luajnë titullarë janë jashtë forme kur mbeten vetëm gjashtë ditë nga përballja e 24 marsit në “Renzo Barbera” të Palermos.
Problemet e fundit kanë të bëjnë me Ledian Memushajn dhe Arlind Ajetin. Mesfushori i Peskarës nuk është në formë optimale për shkak të një problemi në kofshë. Vlonjati është grumbulluar për ndeshjen me Atalantën e Etrit Berishës, por nuk do të luajë.
Këtë e konfirmoi vetë trajneri i skuadrës bardhekaltër, Zdenek Zeman, në daljen para mediave në prag të transfertës së të dielës. “Memushaj ka një problem muskulor në kofshë. Ai dëshiron të luajë, por do ta kursej”, u shpreh tekniku çek.
Në një situatë të pafavorshme vjen edhe Arlind Ajeti, i cili është aktivizuar fare pak me Torinon gjatë këtij sezoni. Pasi e ka lënë në stol në pjesën dërrmuese të ndeshjeve, trajneri Sinisa Mihajloviç nuk e ka grumbulluar fare qendërmbrojtësin për ndeshjen ndaj Interit.