Të gjithë në kor: Bravo Strakosha!

Tomas Strakosha në qendër të vëmendjes. Tre ndeshje rresht titullar me Lazion dhe asnjë gol i pësuar në 270 minuta konfirmojnë momentin magjik të 21-vjeçarit kuqezi, i cili tërheq elozhet e emrave legjendarë të futbollit italian, por edhe të vetë rivalit për një vend titullari te Lazio, Federicho Marchetti. Fillimisht është ish-portieri i Italisë, Luca Marchegiani, i cili preferon të përkëdhelë zbulimin më të ëmbël të këtij sezoni te Lazio.
“Dua të ndalem te Strakosha, një i ri shumë interesant. Më pëlqen shumë se si luan dhe besoj se do të përshkruajë një rrugë të suksesshme”, thekson ish-numri 1 i portës bardhekaltër në një intervistë për mediat italiane. Këtë fundjavë, Lazio pret në “Olimpico” Torinon për të tentuar një tjetër fitore që do ta mbante në garën për zonën Champions, por Marchetti është rikthyer në dispozicion të Inzaghit që duhet të marrë një vendim edhe pse portieri italian duket i avantazhuar për shkak të hierarkisë së krijuar gjatë viteve të fundit. Është vetë Marchetti që shkëput fjalë pozitive për rivalin e tij brenda skuadrës romane, duke e pranuar se Strakosha ka arritur të konfirmojë besimin që i është dhënë. “Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Strakoshën, i cili ka bërë që mungesa ime të mos ndihet gjatë javëve të fundit, duke arritur disa fitore të rëndëshme”, thekson numri 1 i Lazios.