Të dy duan fitore

Luhet për objektiva të ndryshëm, pasi në fushë do të zbresin kryesuesit e Serisë A përballë vendit të 7-të në renditje, por pavarësisht pozicionit apo edhe diferencave në emra dhe kualitete mes dy skuadrave, Juventus-Milan është gjithmonë Juventus-Milan, një sfidë titanësh që duhet shijuar nga minuta e parë e deri në atë të fundit. Në “Juventus Stadium” këtë të premte përballë njëra-tjetrës do të jenë dy nga skuadrat më të rëndësishme të futbollit italian, dy klube që kanë shkruar dhe rishkruar historinë për dekada me radhë. Bardhezinjtë e Massimiliano Alegrit në këtë supersfidë synojnë vetëm fitoren për të hedhur një hap të sigurtë drejt fitimit të titullit të 6-të kampion radhazi, një rekord absolut ky për Serinë A, ndërkohë që Milani kërkon pikët që do ta rikthenin në një prej dy kompeticioneve europiane.
Diferencat mes këtij Juventusi dhe këtij Milani janë vërtetë të frikshme por fusha e lojës ka treguar diçka tjetër, sepse në 3 ndeshjet që kanë zhvilluar mes tyre në këtë sezon, 2 janë fituar nga kuqezinjtë, në kampionat dhe Superkupën e Italisë, ndërsa bardhezinjtë arritën ta eliminomin, Milanin nga Kupa e Italisë. Statistika këto që e bëjnë Massimiliano Alegrin të qëndrojë me këmbë në tokë dhe t’i trembet jo pak Milanit të Montellës, që sipas trajnerit livornez është një skuadër që duhet respektuar maksimalisht.
“Në Udine luajtëm keq, tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të rikthehemi në rrugën e fitoreve.  Milani i Montellës, ka teknikë dhe shpejtësi, mendoj se do të jetë një ndeshje e ekulibruar. Ne na interesojnë vetëm 3 pikët, për t’u afruar gjithnjë e më shumë me titullin kampion edhe pse sezoni është ende shumë i gjatë. Duhet të zhvillojmë një ndeshje serioze dhe të mos hidhemi në aventurë. Barcelona po na mëson që në futboll mund të ndodhë gjithçka”, u shpreh Alegri.
Milani nuk hyn si favorit në këtë ndeshje, pasi përballë do të ketë skuadrën që në “Juventus Stadium” numëron plot 30 fitore radhazi në Serinë A, megjithatë Vincenzo Montella beson te Milani i tij, madje është i bindur se nëse kuqezinjtë luajnë pa frikë mund ta surprizojnë, Juventusin.
“Juventusi është një ekip shumë i fortë, por ne mund ta mposhtim. Duhet ta luajmë këtë ndeshje sikur të ishte një finale. E rëndësishme është të zbresim në fushë me besim dhe të luajmë pa frikë, pasi në të kundërt nuk do të kemi shanse për të dalë me një rezultat pozitiv nga “Juventus Stadium”. Formacioni? Jemi optimist për Suson, ndërsa Locatelli ka temperaturë, por mund të jetë i gatshëm. Kam në mendje 14 titullarë. Gara për Europën? Besoj se do të zgjidhet në javën e fundit”, u shpreh Montela.
Trajneri i Milanit, Vincenzo Montella, ka thënë se është i gatshëm që të marrë drejtimin e Juventusit, pasi profesionalizimi nuk e përjashton asnjë skuadër. Ai tha se më e vështirë për të do të ishte që të drejtonte Lazion se sa Juventusin. “Profesionalizmi nuk përjashton asgjë, kështu që pse të mos e drejtoj Juventusin”, tha Montella për “Gazzetta dello Sport”.