Studentët ankohen: S’ka politika punësimi

Të rinjtë janë më të interesuarit për vendet e punës që ofrohen nga 80 kompanitë në Panairin e Punës. Ndërsa shpresojnë se do të arrijnë të fitojnë një vend pune, ata po aplikojnë në disa pozicione njëkohësisht. Në këtë pozitë ndodhen të rinjtë punëkërkues, të cilët po bëhen pjesë e aplikimeve në Panairin e Punës. Një, dy apo tre formularë për vende të ndryshme pune janë plotësuar prej tyre. “Momentalisht jam pa punë, jam studente në Mastër Profesional, por duke e parë dhe si Panair Pune ndaj edhe u drejtova. Momentalisht jemi në stadin që nuk na intereson shumë pjesa e pagës”, shprehet një studente. “Po më thonë që tek aeroporti ka punë, dua që të punësohem dhe më pëlqen edhe si punë. Më parë kam punuar si mësuese”. Për të tjerë të rinj, ky Panair nuk është i pari ku kanë aplikuar për një vend pune, por ende nuk e kanë një të tillë. “Kam qenë edhe tek Panairi para këtij dhe atëherë lashë shumë CV dhe akoma jam në kërkim të një pune. Kam tentuar në të gjitha format, kam qenë tek zyra e punës, në kompani private. Ajo që më bën përshtypje është se nuk i japin përparësi, nuk ka politika që t’u japin përparësi studentëve që sapo mbarojnë shkollën. Çdo vend pune që ofrohet kërkon minimalisht tri vite pune eksperiencë”, shprehet një tjetër i ri.