Strakosha detyron Marketin të largohet

Thomas Strakosha detyron Federico Marchettin të largohet nga Lazio. Janë të sigurta për këtë mediat italiane, të cilat e shohin larg klubit kryeqytetas të ardhmen e portierit 34-vjeçar. Për faj të dëmtimeve të shpeshta, por edhe për meritë të Strakoshës, i cili ka shkëlqyer në ndeshjet që është aktivizuar, Marchetti po përjeton një nga sezonet e tij më të dobëta që nga periudha që është bërë pjesë e klubit bardhekaltër. Vetëm 18 paraqitje në total mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, kanë bërë që drejtuesit e Lazios me në krye drejtorin sportiv Igli Tare të mos i ofrojnë rinovimin, gardianit italian. Kontrata aktuale e Marchettit me klubin kryeqytetas skadon në verën e vitit 2018-të, por gjasat janë që në merkaton e ardhshme, numri 22 t’i japë lamtumirën Lazios.
Për portierin interesohet Torino, por klubi Granata më parë duhet të mësojë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e anglezit Joe Hart, i cili luan te skuadra e Mihajloviç në formë huazimi nga Manchester City. Nëse Marchetti largohet atëherë, Thomas Strakosha do të shndërrohej automatikisht në portierin e parë të skuadrës kryeqytetase. Te Lazio, duke filluar që nga trajneri Simone Inzaghi e deri te presidenti Claudio Lottito besojnë shumë te aftësitë e 21-vjeçarit shqiptar, i  cili në ndeshjen e 24 marsit ndaj Italisë në Palermo ka shanse të mira për të bërë debutimin me kombëtaren kuqezi.