Sondazhi, 63.2% e bizneseve kundër taksave të qeverisë

63.2% e bizneseve të anketuara mendojnë se niveli i përgjithshëm i taksave të zbatuara është shumë i pafavorshëm ose i pafavorshëm dhe rreth 37% mendojnë se ai është i favorshëm…
Pasi ra ndjeshëm vitin e kaluar me gati 5 pikë, indeksi i besimit të biznesit të Dhomës Amerikane është përmirësuar këtë vit, duke arritur në 43.78 pikë, nga 37.94 pikë një vit më parë.
Treguesit, që kanë pasur përmirësimin më të madh, janë “marrëdhëniet me autoritetet fiskale” dhe ai i “klimës së biznesit”, që janë rritur përkatësisht me 12.3 dhe 11.2 pikë. Në total, të gjithë treguesit kanë ardhur në përmirësim, me përjashtim të gjetjes së stafit lokal, që ka shënuar një rënie të lehtë.
Indeksi i Biznesit të Dhomës Amerikane përfaqëson perceptimin e anëtarëve të Dhomës lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri. 77% e bizneseve të anketuara kanë më shumë se 10 punonjës.
Pavarësisht përmirësimit, indeksi i besimit mbetet negativ, pasi ai është poshtë nivelit 50, që ndan kufirin mes pozitives dhe negatives (sa më i lartë, aq më mirë). 44% e të anketuarve mendojnë se klima e të bërit biznesit është shumë e pafavorshme apo e pafavorshme dhe vetëm 18.5% mendojnë se ajo është e favorshme (pjesa tjetër është neutrale).
Niveli i lartë i taksave të zbatuara ka vijuar të mbetet shqetësimi kryesor, me 30.45 pikë, me një përmirësim të lehtë nga viti i kaluar. 63.2% e bizneseve të anketuara mendojnë se niveli i përgjithshëm i taksave të zbatuara është shumë i pafavorshëm ose i pafavorshëm dhe rreth 37% mendojnë se ai është i favorshëm. Në krahasim me vitet 2012-2013, ky tregues ka shënuar një përkeqësim të ndjeshëm (më 2013 ai ishte gati 50).
Shqetësimi i dytë më i madh lidhet me burokracinë e qeverisë, tregues që një vit më parë ishte në vendin e tretë. Vetëm 5.9% e të anketuarve mendojnë se burokracia e qeverisë është shumë e ulët, 65.2% mendojnë se ajo është e lartë ose shumë e lartë.
Problemi i tretë mbetet monopoli dhe konkurrenca e pandershme, me 31.11 pikë. 63.7% e të anketuarve mendojnë se niveli i monopolit dhe konkurrencës së pandershme është shumë i lartë.
Klima e biznesit, që ishte shqetësimi i katërt më i madh në indeksin e vitit të kaluar, ka kaluar në të nëntin. Përmirësim të lartë ka shënuar dhe klima e brendshme politike (indeksi është realizuar në muajin janar), reformat ekonomike dhe politikat e qeverisjes qendrore, marrëdhëniet me autoritetet fiskale, rregulli dhe siguria në vend, marrëdhëniet me autoritetet doganore.

Përmirësimi i marrëdhënieve me autoritetet tatimore

Në janar të vitit të kaluar, kur u anketuan bizneset e Dhomës Amerikane, perceptimi për marrëdhëniet me tatimet e doganat ishte tejet negativ. Tatimet ishin në atë kohë në kulmin e fushatës kundër informalitetit, që u shoqërua me agresivitet të lartë e masa të forta ndëshkuese. 32% e të anketuarve deklaruan një vit më parë se marrëdhëniet me autoritetet e taksave ishin shumë të këqija apo të këqija dhe 39% i cilësuan ato të mira. Kjo marrëdhënie armiqësore me biznesin, e shoqëruar me barrën e lartë të taksave, rezultoi dhe një nga faktorët kryesorë që çoi në rënien e ndjeshme të indeksit të besimit në raportin e vitit të kaluar.
Në anketimin e këtij viti, përqindja e atyre që mendojnë se marrëdhëniet me autoritetet tatimore janë të këqija ose shumë të këqija është ulur ndjeshëm, në 14%, ndërsa ata që pohojnë se marrëdhëniet janë të mira janë rritur në 52.7. Ky është rezultati më i mirë, që nga viti 2012, kur Dhoma Amerikane publikon treguesit e indeksit.