Skandal, ish-drejtori i Ramës lë qelinë e burgut pas raportit mjekësor

Ish-drejtori i Burgut të Drenovës, Laert Çeliku, i ka shpëtuar burgut, pasi siguroi një raport mjekësor sikur është i sëmurë. Çeliku u dënua me 3 vite burg për marrje ryshfeti, por gjatë kohës së arratisë, siguroi privatisht një ekspertizë psikiatriko-ligjore, çka e “detyroi” Gjykatën ta dënonte me kusht. “Fiks Fare” investigoi realizimin e kësaj ekspertize, ku doli në përfundimin se, Gjykata e Rrethit dhe Apelit në Korçë, nuk duhej ta merrte në konsideratë dhe duhet të urdhëronte kryerjen e një raporti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Megjithatë, diçka e tillë nuk u realizua dhe për rrjedhojë, ish-drejtori Çeliku “u dënua” me kusht!
Në vjeshtën e vitit 2015, Fiks Fare ra në gjurmët e një skandali në Burgun e Drenovës në Korçë. Nëpërmjet denoncimeve dhe kamerave të fshehta u dokumentua me zë dhe figurë korrupsioni në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, ku në krye të “grupit” qëndronte pikërisht drejtori Leart Çeliku. Ai merrte lekë për takime speciale dhe punësim të të burgosurve.
Pas transmetimit të investigimit, Çeliku u shpall në kërkim nga Policia e Shtetit, por nuk u arrestua, pasi u arratis. Në vitin 2015, Gjykata e Korçës e shpalli fajtor për shpërdorim detyre dhe e dënoi në mungesë me 3 vjet heqje lirie. Në vitin 2016, vendimi u apelua nga avokati i tij, Nevzat Tarelli. Ai kërkoi që masa e klientit të tij të ndryshonte nga burg në detyrim paraqitje pranë shërbimit të provës. Gjatë procesit gjyqësor, avokati depozitoi në gjykim një akt të ekspertizës psikiatriko-ligjore të përpiluar nga mjeku Gëzim Myftari, ekspert privat.
Ky akt u cilësua nga Gjykata e Apelit në funksion të evidentimit të gjendjes shëndetësore të të pandehurit, jo në cilësinë e një akti ekspertimi, i cili merret si provë. Pas përfundimit të procesit, të pandehurit ju ndryshua masa, nga dënim me burg në detyrim paraqitje, pranë shërbimit të provës. Për këtë vendim është bërë rekurs në Gjykatë të Lartë nga Prokuroria.
Po si është realizuar ky akt i ekspertizës psikiatriko-ligjore, kur i pandehuri ishte në arrati? Ligji nuk e lejon marrjen si provë nga Gjykata të një akti ekspertize të përpiluar nga një ekspert mjeko-ligjor privat. Po si përfundoi në dosje, kur ky akt nga vetë Gjykata nuk është marrë si provë, por është konsideruar për të marrë parasysh gjendjen e të pandehurit? Fiks Fare nisi një investigim për të zbardhur këtë çështje, ku kontaktoi fillimisht me ekspertin mjeko-ligjor Gëzim Myftari, pranë studios private “Hipokrati” në Tiranë. Zoti Myftari ishte eksperti që përpiloi aktin.
Ai nuk pranon të japë intervistë të hapur, por pranon para kamerës së Fiksit që e mban mend këtë rast, por nuk e ka takuar kurrë të pandehurin. Ai thotë se akti ekspertizës është bërë bazuar mbi dokumentacionin e sjellë nga Korça, pas një raporti të bërë nga neurologu i Poliklinikës së Korçës. Zoti Myftari u mbyll derën gazetarëve të Fiksit, duke thënë se nuk mund të japë më shumë informacion, pasi janë konfidencialë.