Si Rama mashtroi qytetarët për Rrugën Transballkanike, nuk ka dëmshpërblim

Agron Beqaraj është një qytetar nga Vlora, i cili ankohet në emisionin “Stop”, se nuk është dëmshpërblyer nga shembjet e bëra në emër të Rrugës Transballkanike, një projekt i trumbetuar shumë nga qeveria. Ai thotë, se shuma e caktuar është qesharake, por as atë nuk e ka marrë pavarësisht, se ekziston një vendim qeverie i datës 04.05.2016.
“Unë jam një ndër ata banorët, që do të dëmshpërbleheshim për shembjet e Rrugës Transballkanike. Unë ende nuk jam shpronësuar dhe u bënë gati dhjetë muaj. Kërkoj zbatimin e VKM-së, asgjë më tepër. Është një çmim qesharak për banorët, rreth 23 milionë lekë të vjetra.
-Po ju jeni shumë larg rrugës, përse ju kanë futur në këtë VKM?
Sepse kjo është një tarracë, objekt i madh siç e kanë përcaktuar vetë ata. Objekti nuk mban më, sepse i janë hequr tre kolonat e para. Objekti tani është në rrezik shembje.
-A ka banorë të tjerë që nuk janë dëmshpërblyer apo vetëm ju jeni?
Po ka edhe të tjerë. Duhet të kishin dhënë lekët më përpara se të prishnin shtëpitë. Unë jam një shtetas shqiptar dhe kërkoj të zbatohet ligji i shtetit shqiptar”.
Gazetarja e “Stop” i kërkoi një takim kryetarit të Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, për të kuptuar më qartë se çfarë po ndodh me këta qytetarë dhe me vendimin e qeverisë për dëmshpërblimin e tyre, por ai nuk denjoi t’i kthejë asnjë përgjigje.
Elona Hoda nga kabineti i Bashkisë së Vlorës thotë se ka, zgjatur procedura, por brenda 10 ditësh zotëria do të marrë paratë. “Në zbatim të VKM-së maksimumi dhjetë ditë domethënë është vetëm procedura e më pas i kalojnë lekët në llogari bankare”.
-Lajm i mirë që do të merren lekët, por pse gjithë kjo vonesë?
Ka qenë thjesht procedurë asgjë tjetër, thjesht jemi brenda ligjit, brenda rregullave.
-Kjo procedurë ku ka ngecur tek ju, në Kryeministri apo në ndonjë dikaster tjetër?
Tek të gjitha. Mjafton që ne kemi një bashkëpunim me njëri-tjetrin, pastaj çdo gjë është drejt fundit.