Si mund të ndërhyjë Rusia në zgjedhjet europiane

Richard Maher
Me zgjedhjet e rëndësishme kombëtare që priten të zhvillohen këtë vit në Holandë, Francë dhe Gjermani, zyrtarët janë tepër të shqetësuar për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhje dhe kanë nisur të marrin masa paraprake për ta shmangur atë. Por me debatin e përditshëm që po bëhet rreth lajmeve të rreme “fake news” dhe me përpjekjet e vazhdueshme për të hakuar sistemet kompjuterike të politikanëve dhe partive politike antiMoskës, përpjekja e tyre bëhet gjithmonë e më e vështirë.
Përpjekjet e Rusisë për të trazuar zgjedhjet dhe referendumet kombëtare për të arritur qëllimet e ndryshme të veta janë të vazhdueshme dhe të dukshme. Sipas një raporti të publikuar nga Zyra e Shteteve të Bashkuara e Drejtorisë së Inteligjencës Kombëtare lidhur me influencën që po përpiqet të imponojë Rusia në vendet e saj të interesit, rezulton se qeveria e Putin ka për qëllim të influencojë zgjedhjet në të gjithë Europën.
Hans-Georg Maassen, kreu i Agjencisë së Sigurisë së Brendshme të Gjermanisë, gjithashtu paralajmëroi se po zbulonin dita-ditës prova të mëtejshme të përpjekjeve të Rusisë për të influencuar zgjedhjet federale gjermane, të planifikuara për t’u mbajtur gjatë muajit shtator të këtij viti.
Alex Younger, kreu i MI6, Shërbimi Sekret i Inteligjencës në Britaninë e Madhe, pretendon se ka zbuluar prova të sigurta të rrezikut të madh që përbën për sovranitetin britanik çdo lloj fushate e “fake news” të drejtuara kundër shtetit, propaganda, si dhe veprimet e tjera destabilizuese që Kremlini zhvillon vazhdimisht. Rusia natyrisht e ka mohuar qëllimin e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet kombëtare të këtij viti në Europë dhe i quan këto lloj akuzash si sinjale të qarta “rusofobie” të përhapura nga Perëndimi.

Për të trazuar demokracinë
Fushatat e keqinformimit ose ato që shpesh quhen “masa aktive” në fushën e informacionit për të arritur një qëllim të caktuar janë kthyer në tipare tepër të rëndësishme të doktrinës ushtarake ruse. Qëllimi i këtyre fushatave është të dobësojnë dhe dëmtojnë mbështetjen e gjerë për Bashkimin Europian, NATO-n, si dhe vetëm besimin popullor tek demokracia si mjet për të garantuar begatinë e shtetit.
Me rritjen e politikanëve antiestablishment dhe antiBE në të gjithë Europën, Rusia ka gjetur papritur një audiencë tepër të vëmendshme për këto lloj operacionesh. Fushatat e shumta të propagandës ruse datojnë që në kohën përpara fillimit të Luftës së Ftohtë. Megjithatë, sofistikimi dhe volumi i këtyre përpjekjeve është sot më i madh se në të shkuarën.
Interneti ka hapur tani mënyra të reja nga më të ndryshmet dhe mundësi të shumta për Rusinë që të influencojë zgjedhjet kombëtare të vendeve të huaja. Së bashku me dobësitë e reja me të cilat përballen shoqëritë demokratike, në të cilat lëvizja e lirë e informacionit është një tipar i domosdoshëm, përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë gjejnë gjithmonë e më shumë terren.
Ka prova, për shembull, që tregojnë se Rusia ka luajtur rol në disa referendume kombëtare nëpër Europë gjatë vitit të kaluar: në prill, kur holandezët votuan për të refuzuar traktatin e BE-së me Ukrainën që do të ofronte më shumë lidhje politike dhe ekonomike; në qershor për referendumin e Brexit dhe në dhjetor, kur italianët votuan për të refuzuar reformat kushtetuese të kryeministrit Matteo Renzi, duke çuar drejt dorëheqjes së tij. Rezultatet e të gjitha këtyre votimeve i shërbenin më së miri interesave të Rusisë.
Ndërhyrja ruse në zgjedhjet perëndimore mund të marrë forma të ndryshme. Operatorët e saj mund të përhapin lajme të rreme dhe keqinformuese përmes blogeve, uebsajteve dhe mediave sociale apo të hakojnë rrjetet kompjuterike dhe e-mail-et për të vjedhur dhe më pas për të bërë publike informacione komprometuese kundër politikanëve që mendohet se janë kundër Rusisë.
Në rastet më ekstreme, hakerët mund të trazojnë sistemet kompjuterike dhe të manipulojnë numërimin e votave, por kjo deri tani duket një mundësi jo shumë e afërt. Fushatat e keqinformimit, strategjia e preferuar e Kremlinit, kanë për qëllim të ndjellin dyshime, hutim dhe cinizëm në proceset demokratike zgjedhore, si dhe të gërryejë besimin publik tek institucionet.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI