Shqiptarët, populli që beson më shumë tek NATO

Sipas një sondazhi të realizuar nga kompania kërkimore Gallup, shqiptarët e Kosovës (90%) dhe të Shqipërisë (70%) e shikojnë Aleancën e Atlantikut të Veriut si mbrojtje, ndërsa vendet me ndikim rus si kërcënim. Kosova, megjithëse jo një vend anëtar i NATO-s, pati mbështetje ushtarake gjatë luftës së Kosovës, midis ish-Jugosllavisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës në përqindje dërrmuese (90%) e shikojnë aleancën si mbrojtje. E njëjta situatë rezulton edhe për Shqipërinë (70%) sipas sondazhit të Gallup, të cilët gjithashtu e kanë mbështetur UÇK-në gjatë luftës. Por, nuk është aspak çudi që 64% e serbëve më 2016-n e shikonin atë si një kërcënim dhe vetëm 6% si mbrojtje. Shtetet e Bashkuara janë një ndër vendet themeluese të NATO-s, por angazhimi i këtyre të fundit në aleancë është vënë në pikëpyetje pas dyshimeve që ka ngritur publikisht Donald Trump për rëndësinë dhe financimin e saj, përpara se të merrte detyrën. Gjithsesi, sipas NATO-s, Trump ka rënë dakord që të marrë pjesë në një takim të përbashkët me liderët e saj në maj. Mënyra se si Shtetet e Bashkuara bashkëveprojnë me NATO-n ka ndikim edhe përtej detit, pasi shumë prej vendeve të Europës Lindore e konsiderojnë atë si mbrojtje. Tetorin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dërgoi 800 trupa në Estoni. Edhe presidenti Barack Obama, pak para se të linte Shtëpinë e Bardhë, dërgoi rreth 4000 trupa në Poloni për të mbrojtur vendet aleate të NATO-s, si Estonia, Lituania dhe Letonia nga sulmet e vazhdueshme të Rusisë. Vendet nën ndikimin rus e shikojnë NATO-n si kërcënim. Me ndërhyrjen e NATO-s në disa ish-vende sovjetike pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe kundërshtimit të përfshirjes së Rusisë në Ukrainë, nuk janë për t’u habitur mosmarrëveshjet midis tyre. 67% e rusëve e shikonin NATO-n si kërcënim, rreth 29 pikë për qind më shumë se më 2012-n. Vendet nën ndikimin rus, të cilat nuk janë anëtare të NATO-s dhe kanë prirje të kenë të njëjtën tendencë me Rusinë, ndajnë të njëjtin opinion. 54% e bjellorusëve e shikojnë NATO-n si kërcënim, rreth 19% më shumë se katër vite më parë. Bashkë me rusët dhe bjellorusët, më shumë njerëz në Ukrainë (35%), Kazakistan (31%), Kirgistan (30%), Moldavi (27%), Armeni (20%) dhe Taxhikistan (34%) e shikojnë NATO-n më shumë si kërcënim se sa mbrojtje.