Shorti i Europa League, fati ndihmon Murinjon

Manchester United është skuadra pretendente për të triumfuar në Europa League, ndërsa “Djajtë e Kuq” janë ndihmuar edhe nga shorti në Nion, ku u përcaktuan çiftet çerekfinaliste të turneut.
Skuadra e Jose Murinjos do të ketë në rrugën e saj Anderlechtin, në një duel ku niset si superfavorite, falë yjeve si Zlatan Ibrahimoviç e Paul Pogba, por ku duhet patur kujdes pasi belgët kanë eliminuar në rrugën e tyre Apoel-in dhe Zenitin.
Pas eliminimit në turet e kaluara të skuadrave si Roma, Villarreal, Shakhtar Donetsk dhe Athletic Bilbao ekipi për t’u mposhtur mbetet Manchester United, që në letër ka një skuadër shumë më cilësore se rivalet e tjera.
Përveç gjigantëve anglezë, një tjetër aspirante për trofeun e Europa League është Lyon. Shorti i vendosi francezët përballë turqve të Besiktas, në një duel që do të jetë spektakolar për futbollin që praktikojnë dy skuadrat.
Përballje ndërmjet dy emrave të mëdhenj edhe ai ndërmjet Ajax dhe Schalke. Një tjetër duel tejet interesant ai i shkollës holandeze përballë “bluve mbretërorë”, që janë jashtë çdo objektivi në Bundesligën gjermane dhe kërkojnë të shpëtojnë sezonin.
Spanjollët e Celta Vigo do të sfidojnë një tjetër skuadër belge, Genk-un, që triumfoi në derbin përballë Gent. Ndeshjet çerekfinale të Europa League do të luhen në datat 13 dhe 20 prill.