Reagimet pas shortit

Disa nga reagimet e protagonistëve të tetë klubeve çerekfinaliste pas shortit që përcaktoi katër çiftet sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës: Lotar Mateus, ish-sulmues i Bajernit: “Mendoj se katër skuadrat më të mira luajnë kundër njëra-tjetrës. Bajerni kundër Realit dhe Juventusi kundër Barcelonës – tifozët e futbollit mezi i presin këto ndeshje të mrekullueshme. Karlo Ançeloti ka të drejtë kur thotë se nuk ka shumë të fshehta midis Bajernit dhe Realit. E shoh Bajernin paksa më favorit, pasi më duket më kompaktë”.
Karlo Ançeloti, trajneri aktual i Bajernit dhe ish-trajner i Realit: “Ndeshja kundër Realit do të jetë e veçantë për mua. Do jetë emocionuese të luaj kundër tyre. Kemi shumë besim dhe duam të fitojmë Ligën e Kampioneve këtë sezon. Mendoj se jemi në gjendje ta mposhtim Realin e Madridit, edhe pse ata kanë një skuadër dhe trajner fantastik”.
Vadim Vasiliev, zëvendëspresident i Monakos: “Është short i mirë. Sikurse ne, edhe Dortmundi luan futboll sulmues. Kam dëgjuar shumë për stadiumin dhe tifozët e tyre”.
Pavel Nedved, zëvendëspresident i Juventusit: “Kundër Barcelonës është një përballje magjepsëse. Ata janë një nga skuadrat më të famshme në botë dhe ne duhet të përqendrohemi tek e tashmja, me bindjen se jemi ekip shumë i fortë dhe mund të përballemi. Mendoj se Juve është përmirësuar shumë që nga finalja e humbur në 2015-ën. Kjo skuadër mund të luajë pa frikë ndaj Barcelonës. Nuk besoj se ta luash brenda apo jashtë ndeshjen e parë përbën ndonjë avantazh në këto nivele. Duhet të jesh në maksimum për 180 minuta apo më shumë”.
Klemente Vijaverde, menaxher i përgjithshëm i Atletikos: “Raundi paraardhës me eliminim direkt dhe faza e grupeve kanë treguar se, Leisteri janë një skuadër për t’u pasur kujdes. Janë këtu, sepse e meritojnë të jenë dhe në 8-she eliminuan Seviljen. Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që do të na jepet”.
Xhordi Mestre, zëvendëspresident i Barcelonës: “Kemi respektin më të madh për Juventusin. Për ta luan Dani Alvesh, një lojtar të cilin e kemi shumë përzemër”.
Tomas Tuhel: “Është një short emocionues dhe me kleçkë. Nëse duam ta kalojmë këtë kundërshtar, duhet të japim më të mirën tonë dy herë”.
Emilio Butragenjo, drejtor i Marrëdhënieve Institucionale i Realit: “Bajerni është një nga kundërshtarët më të vështirë që mund të kapnim në short, edhe pse jam i sigurt që edhe ata thonë të njëjtën gjë. Të dyja skuadrat e njohin shumë mirë njëra-tjetrën. Trajneri i tyre është Ançeloti, i cili na njeh shumë mirë. Ata kanë plot lojtarë të mëdhenj dhe me përvojë. Do donim të përballeshim me ta në një fazë të mëvonshme, por i tillë qe shorti. Ndeshja e kthimit në shtëpi të jep njëfarë avantazhi, por ne duhet të luajmë mirë në Gjermani. E dimë që vetëm 20 minuta të mira aty mund të jenë shkatërrimtare. Nuk është shorti më i mirë që mund të kishim, por kemi lojtarë të mëdhenj me përvojë. Do të jetë një përballje e madhe”.