Edi i jep vëlla Olsit lojrat e fatit për 30 vite

Përmes një koncesioni abuziv, Edi Rama i ka dhënë vëllait të tij Olsi Rama marrjen nën kontroll të aktivitetit të lojërave të fatit, me qëllim pastrimin e parave të pista. Në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, koncesioni i është dhënë kompanisë, Mc Networking, e cila zyrtarisht figuron në pronësi të ortakut të Olsi Ramës, Endri Meksi. Me këtë të fundit, Olsi Rama është bashkortak në kompaninë Pegasus Communication. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dje dokumentet që provojnë se kompania e regjistruar në pronësi të Endri Meksit, ortak dhe mik i Olsi Ramës ka nënshkruar si pala fituese e marrjes së koncesionit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit. “Edvin Kristaq Bixhozi ia beson vëlla Olsit lojërat e larjes së parave të tij të pista! Të dashur miq, këto ditë Edvin Kristaq Bixhozi arriti të shtjerë përfundimisht në dorë lojërat e fatit në mbarë Shqipërinë. Dokumentet zyrtare faktojnë se ai këtë kanal të larjes së parave të zeza ia besoi vëllait të tij, trafikantit të kokainës Olsi Rama. Kjo u bë në shkelje të çdo ligji mbi prokurimet dhe konfliktin e interesit. Kështu tani pas emërimit të bashkëshortes zj. Linda Ramës në drejtimin e bankës familjare të regjistruar off shore si kanal i larjes së parave të vjedhura, ryshfeteve dhe drogës nga familja Rama, tani ata vendosën në kontrollin e tyre të plotë kanalin tjetër për larjen e parave të pista”, shkruan Berisha në postimin e tij. Më tej, Berisha ka postuar analizën e një eksperti të bazuar në dokumente që dëshmojnë se si Rama i besoi në kundërshtim me çdo ligj kompanisë të vëlla Olsit kontrollin e lojërave të fatit dhe dokumentet përkatëse. Sipas sqarimit të bërë nga eksperti, “Shoqëria fituese, do të ndërtojë dhe mirëmbajë këtë sistem. Çdo subjekt i lojërave të fatit do të paguajë një fee (faturë) për çdo pajisje, fee, e cila do të përfitohet nga koncesionari, për investimin dhe mirëmbajtjen e kryer nga ai. Pavarësisht se emërtimi, nuk është i tillë, kjo kontratë ka shumë elementë të njëjtë me atë të koncesionit. Përmbledhje mbi procedurën përzgjedhëse të operatorit që do të ndërtojë sistemin e Monitorimit të Lojërave të Fatit Online”. Më tej sqarohet se, “në dhjetor të 2015, pas shumë shtyrjesh u miratua Ligji i ri ‘Për lojërat e fatit’. Në nenin 48/2 të tij parashikohet se Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit online, autoritetin përgjegjës që do të kryejë procedurat e përzgjedhjes, si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”. Në bazë të kësaj dispozite, me VKM nr. 647, datë 14.09.2016, u përcaktuan kriteret e përzgjedhjes së operatorit që të do të ndërtojë sistemin e monitorimit, si dhe Ministria e Financave, si autoriteti përgjegjës për zhvillimin e procedurës përzgjedhëse. Eksperti citon se, “Ministria e Financës shpalli procedurën përzgjedhëse për t’u zhvilluar në datë 12.01.2017, datë e cila e shty për më 23.01.2017. Nga ana tjetër, Endri Meksi, ortak i shoqërisë “PEGASUS COMMUNICATIONS” shpk, e regjistruar më 20.05.2014, me ortakë Olsi Ramën (35%) dhe Endri Meksin (35%) dhe Amant Josifin (30%), në datën 17.01.2017 (pra pak ditë para hapjes së ofertave) ia shet pjesën e tij (35%) një të treti dhe mbetet vetëm administrator, së bashku me Olsi Ramën, në këtë shoqëri”. “Në garë morën pjesë vetëm dy JV (joint ventures): 1. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” shpk (fituesi) 2. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk & “Communication Progress” shpk. Shoqëria shqiptare e JV fitues, “MC Networking” shpk, zotërohet 100% nga Endri Meksi, formalisht ish-ortaku dhe bashkadministratori me Olsi Ramën tek shoqëria PEGASUS COMMUNICATIONS shpk”, thuhet më tej në sqarimin e ekspertit.

E njëjta skemë me koncesionin e TVSH

Koncesioni për monitorimin e lojërave të fatit, është koncensioni i radhës i marrë nga Olsi Rama. Me të njëjtin ortak, Endri Meksin dhe nën emrin e tij, Olsi Rama tentoi që përmes Ministrisë së Financave të merrte koncesionin për TVSH. Ekzaktësisht një vit më parë, Ministria e Financave përgatiti hapjen në mesin e muajit shkurt të një tenderi ndërkombëtar për përzgjedhjen e një kompanie koncesionare për një periudhë 10-vjeçare, e cila do të ofronte një sistem teknologjik monitorimi dhe transmetimi të dhënash për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH. Kompania që kishte më shumë gjasa që ta fitonte këtë tender, e cila kishte bërë dhe propozimin e pakërkuar për koncesionin, quhej M.POS Limited dhe ka seli në Hong Kong.
Por partneri lokal i M.POS Limited në Shqipëri, ishte një kompani shqiptare e quajtur MCN Sh.pk, pronari i së cilës, Endri Meksi, është gjithashtu ortak në një kompani tjetër të regjistruar në Tiranë me vëllain e Kryeministrit, Olsi Rama.
Informacioni për përfshirjen e MCN në koncesionin e TVSH-së është mbajtur sekret nga Ministria e Financave, e cila e pyetur disa herë nga “BIRN” ka dhënë vetëm emrin e partnerit të saj nga Hong Kong, M.POS Limited. Lidhja e Olsi Ramës me kompaninë që kërkonte koncesionin me një vlerë mbi 100 milionë dollarë, ngriti pikëpyetje lidhur me një konflikt të mundshëm interesi në qoftë se kjo kompani do të shpallej fituese e tenderit ndërkombëtar që pritej të mbahet nga qeveria shqiptare. Ajo çka e thellonte edhe më tej aferën e parapërgatitur me kujdes, ishte fakti se sipas kushteve të koncesionit, kur të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të rriteshin më shumë se sa 11 për qind mbi vitin paraardhës, do të duhej të ndaheshin mes shtetit dhe kompanisë koncesionare. Në rast se rriteshin nga 11 në 15 për qind, ndarja do të bëhej në raportin 90 me 10, ndërsa nëse rritej nga 15 në 19 për qind, ndarja do të bëhej në raportin 65 me 35. Me një llogaritje të thjeshtë, koncesionari do të merrte mbi 140 milionë euro për dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa shteti mund të merrte vetëm 40 milionë euro. Për shkak të denoncimit të këtij skandali, si dhe zbardhjes së lidhjeve të drejtpërdrejta të Olsi Ramës në këtë koncesion, kompania partnere me ortakun e vëllait të kryeministrit në Hong Kong u tërhoq nga propozimi.