Rama do ikë me zvarritje nga zyra pas 18 qershorit

Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Paloka deklaroi dje se, me 18 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën: “Të votojmë të lirë dhe këtë do të arrijmë. Nuk ka kthim mbrapa. Më 18 qershor ta harrojë ai dhe kushdo që mendon si ai se do të ketë zgjedhje në këtë vend pa PD, pa opozitën. Ai ëndërron që edhe opozitën ta emërojë vetë. Ai thotë ishalla PD nuk merr pjesë në zgjedhje, që edhe opozitën ta emërojë vetë”, tha Paloka.
Por, sipas tij, kryeministri nuk mund të emërojë opozitën. “Do të emërojë Bamirin ose kë mund të mendojë ai si opozitë. Ta harrojë. Sepse do të ikë nga sytë këmbët”, tha Paloka.
Ai i bëri thirrje kreut të qeverisë që “ta ngulisë në kokë” se, nuk ka zgjedhje në Shqipëri nëse Parlamenti nuk e vendos.
“Më 18 qershor atij zotërisë i mbaron mandati dhe pas 18 qershorit le ta marrë guximin dhe të hyjë prapë në zyrë pa mandat. Atëherë do të shohë se ç’do të ndodhë. Nuk mund të rrijë më asnjë ditë, asnjë orë në zyrë pa mandat. Dhe më 18 qershor atij i mbaron mandati. Bën mirë ta kuptojë sa më shpejt këtë”, theksoi Paloka.
Ai shtoi se, PD as nuk kërcënon, as nuk bën presion, as nuk ka ndërmend ta realizojë me dhunë ëndrrën e shqiptarëve, por kryeministri duhet ta dijë mirë se kjo qëndresë ka vetëm një fund.
“Ne jemi të vendosur të qëndrojmë dhe rezultati i kësaj qëndrese është vetëm një: vota e lirë dhe fitorja për shqiptarët”, shtoi Paloka.
Në një intervistë për ‘News24’, Paloka pohoi se, Rama mund të shkojë tek çadra kur të largohet nga posti i kryeministrit dhe t’i lërë vend zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nga ana tjetër, ai paralajmëroi se, nëse Rama pas 18 qershorit do hyjë në Kryeministri pa pasur mandatin e shqiptarëve, PD do i përgjigjet me të gjitha format, duke mos përjashtuar ‘tërheqjet zvarrë’ apo ‘shkuljet e flokëve’.
Po ashtu, deputeti demokrat akuzoi kryeministrin se ditën e djeshme përdori djalin e tij për të provokuar protestuesit në çadrën e lirisë, që prej disa ditësh është vendosur përballë Kryeministrisë. ‘BalkanWeb’ zbardh intervistën e gazetares Elda Menga me ligjvënësin e PD-së, Paloka.

-Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që PD t’i kthehet jetës parlamentare dhe të lërë bojkotin, për t’ju bashkuar Vettingut. Ç’mund të na thoni për seancën e sotme plenare në Kuvend?
Qëndrimi ynë është bërë mëse i qartë. Jemi këtu, ky është parlamenti i shqiptarëve. Këtu mbrohen interesat e shqiptarëve. Sa i takon asaj se ça do ndodhë në parlamentin e bandave nuk jemi të interesuar. Nëse duan një reformë në drejtësi dhe vetting, le të vinë e të japin dorëheqje dhe të shkojmë në zgjedhje të lira e të ndershme. Sa për ndërkombëtarët, besoj se numri i atyre që mbështesin kërkesat e opozitës është në rritje, që nga Uashingtoni…për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

-Mogherini tha se Reforma në Drejtësi i hap rrugë vendit për anëtarësimin në BE…
Deklarata e Këshillit të Ministrave ka qenë mëse e qartë qoftë për hapjen e negociatave. Janë droga, zgjedhjet e lira dhe të ndershme që janë kushtet për hapjen e negociatave. Seç ka thënë Mogherini ne e dimë, por dimë se ça ka thënë dhe Europa.

-A jeni penduar me miratimin e Reformës në Drejtësi më 22 korrik?
Ne nuk jemi penduar për votën që dhamë për ndryshime kushtetuese, të cilat erdhën me këmbënguljen e PD. Ajo që po ndodh është që Rama kërkon të rikthehet atje ku duan Sorosi dhe njerëzit tij, për shkak se duan ndikim në institucionet e drejtësisë. E kemi bërë të qartë në kushtet tona, se Reforma në Drejtësi do të bëhet sipas ndryshimeve të 22 korrikut.

-A do ishte mirë që anëtarët e PD-së të merrnin pjesë në komisionin për vettingun?
Po si mund të ulemi dhe bëhemi pjesë e kësaj farse..

-Rama ju ka bërë thirrje se për bisedime, vjen dhe në çadër po të doni…
Ja kemi bërë të ditur Ramës se mund të vij dhe në çadër, pasi ka dhënë dorëheqje. Ai shfrytëzon dhe fëmijën e tij për të bërë burracakun dhe vjen në mënyrë provokuese afër çadrës. Vetëm një si ai e bën këtë. Nuk ka dialog tjetër, përveç zgjedhje të lira, të binden për këtë. Rama nuk mund të emërojë opozitën.

-Kur thoni ‘të binden’, e ke fjalën dhe për Metën?
E kam fjalën për këtë qeveri, për mazhorancën. Si ndan njeri. Janë pjesë e mazhorancës. Edhe pse LSI mund të bëjë deklarime kundër pjesës tjetër të qeverisë, ajo qeveri qëndron në këmbë nga votat e saj (LSI-së). Mazhoranca duhet të bindet më shpejt që t’i japë fund kësaj qeverisje.

-Rama këmbëngul në qëndrimin e tij se mandatin e ka nga populli. Sa do të vazhdojë protesta?
Ne nuk kemi dalë këtu që të heqim nga karrigia Ramën e të vendosim Bashën. Por duam që t’i japim mundësi shqiptarëve që të zgjedhin vetë atë që duan me zgjedhje të lira. Ai me arrogancë nëse mban karrigen e tij, në 18 qershor s’do të ketë zgjedhje. Ai do e mbajë me dhunë karrigen. Nëse ai do të guxojë mbas 18 qershorit, pa pasur mandatin e shqiptarëve, do ta heqim prej andej.

-Si do e hiqni? Duke e ‘tërhequr zvarrë’ nga zyra siç ka thënë dhe Basha?
Absolutisht që po. S’mund të hyjë në një zyrë që s’i takon. Se do ta tërheqin, pas flokëve apo si, kjo varet pastaj.