Rajoni konkurron me teknologji, Shqipëria rikthehet në vend bujqësor

Sektori i bujqësisë ka rritur peshën në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke zënë 20.32% të totalit të PBB, pas një rënieje domethënëse që sektori shënoi në vitet 2008-2009. Teksa vendet e rajonit janë duke zhvilluar fort industrinë automative dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit, ekonomia e Shqipërisë është zhvendosur drejt bujqësisë duke mos mundur të përparojë me teknologjinë. Rreth 9 vite më parë, pesha e bujqësisë në PBB ishte 16-17%, sektori i ndërtimit po avanconte duke zënë 15% të strukturës së ekonomisë. Me përfshirjen e vendit nga kriza ekonomike e vitit 2008, sektori i ndërtimit që gjithnjë e më shumë po merrte peshën kryesore në ekonominë e vendit, ra me të shpejtë, teksa bizneset e sektorit u gjetën të papërgatitura për t’u diversifikuar në sektorë të tjerë me vlerë të lartë të shtuar. Ndaj shumë biznese të ndërtimit u turrën drejt fermave, duke ndërtuar ferma kafshësh dhe serra, pa ditur se, Shqipëria nuk mund të eksportojë prodhimet e saj blegtorale në BE. Me gjithë këtë tendencë, sektori i bujqësisë është tërësisht në informalitet, teksa të dhënat statistikore për sektorin mungojnë. Edhe Kosova ka më shumë se 4 indekse çmimesh për imputet dhe prodhimet bujqësore dhe publikon çdo tre muaj të dhëna të detajuara për bujqësinë dhe bizneset e sektorit. Në vendin tonë, bujqësia kontribuon 43% në punësim, mbi 20% të strukturës së ekonomisë së vendit, por inventarët për ecurinë e sektorit mungojnë totalisht. Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore. Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE-së, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton.