Pse ra Sorosi?

“LIMES”

“Në shumë aspekte, fushata e Donald Trump është një përgjigje e drejtpërdrejtë jo për Hillary Clinton, por për vetë George Soros”. Është kjo ndoshta një prej këndvështrimeve të përplasjes së rëndë në brendësi të establishmentit amerikan, por me lidhje dhe me pasoja të rëndësishme në elitën euro–atlantike, e nxitur nga “zbritja në fushë” e biznesmenit njujorkez. Pohimi i sipërcituar nuk është i ndonjë konspiracionisti (ndoshta e veshur me antisemitizëm), por i Caroline B. Glick, editorialiste e “Jerusalem Post”, e cila në gusht të 2016, në kulm të fushatës presidenciale amerikane, ka ndërmarrë një sulm mjaft të fortë ndaj Xhorxh Sorosit, financierit me origjinë hungareze, (me rrënjë hebraike) i natyralizuar amerikan, që aq shumë është shpenzuar për ta çuar Hillary Clinton në Shtëpinë e Bardhë. “Gjëja e parë që të bie në sy është natyra megalomane e projektit filantropik të Sorosit”, pohon Glick. “Asnjë cep i globit nuk i është kursyer përpjekjeve të tij. Nuk ka zonë politike që të jetë lënë e paprekur”. Rrjeti i OJQ-ve, grupet e aktivistëve dhe konsorciumet e gazetarëve investigativë të krijuar ose të financuara nga Sorosi është praktikisht shumë i gjerë dhe shumë i diversifikuar. Karakteristika e përbashkët është se, në vizionin e financierit, këto grupe kontribuojnë për të provokuar, secili në kuadrin e tij, afirmimin në të gjithë botën e konceptit të “shoqërisë së hapur” të imagjinuar nga Karl Popper, të cilin manjati e konsideron si mentorin filozofik të tij. Pjesa më e madhe e financimeve të dhuruara nga Sorosi janë publike. Mjafton të shkosh e të kërkosh në uebsajtet e organizatave të financuara prej tij: në zërin “Kush jemi” apo “Partnerët tanë” gjendet midis sponsorëve Open Society Foundation, organizata ombrellë e manjatit që shpërndan në nivel global fondet e dhuruara prej tij.
Në verën e 2016, në kulm të luftës kibernetiko–mediatike të nisur kundër fushatës elektorale të Clinton nga ana – sipas akuzave të sektorëve të rëndësishëm të establishmentit amerikan – të shtresës drejtuese ruse, kolektivi aktivist DCleaks botoi rreth 2500 dokumente të Open Society, midis të cilëve ato lidhur me financimet për organizata të shumta në të gjithë botën. Sipas Glick, që citon dokumentacionin e DCleaks, “projektet e mbështetura nga Soros ndajnë të njëjtat karakteristika bazë: të gjitha punojnë për të dobësuar kapacitetet e autoriteteve lokale dhe kombëtare në demokracitë perëndimore për të mbrojtur ligjet dhe vlerat e vendeve dhe komuniteteve të tyre”. Janë akuza që u bëjnë jehonë atyre të Putinit në Rusi dhe Viktor Orbanit në Hungari, që kanë çuar në përzënien nga Rusia të OJQ-ve të financuara nga manjati. Glick e vendos theksin mbi rreziqet e përfaqësuara nga Sorosi në tentativat për të shkatërruar demokracitë perëndimore dhe “për t’u bërë qeverive të pamunduara të ruajnë rendin apo për shoqëritë të ruajnë identitetin dhe vlerat e tyre unike”. Argumente që nuk do të tingëllonin keq në gojën e Marine le Pen apo Matteo Salvini. Preokupimi më i madh i editorialistes izraeliane ka të bëjë me emigracionin ilegal në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Përgjigjja për Sorosin, sipas Glick, është Donald Trump, “i cili vepron si një pengesë e drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve multimiliardëshe të Sorosit”. Një rol që duket se është pranuar nga vetë Sorosi, që në takim të rezervuar në muajin janar në krah të World Economic Forum të Davosit e ka quajtur Trump “një mashtrues, një gënjeshtar, një diktator potencial”. Sipas asaj që thotë “Wall Street Journal”, vreri i manjatit 87-vjeçar është rritur nga humbja e një 1 miliard dollarëve në spekulimet financiare të kryera në parashikimet që fitorja e Trump do të shkaktonte një rënie të treguesve të bursës që nuk ka ndodhur. Argumentimet e Glick nuk janë të reja. Prej vitesh e djathta amerikane e akuzon Sorosin se financon të majtën libertare amerikane, nëpërmjet një partie hije në kuptimin e vërtetë të fjalës (“Shadow Party”). Është teza e ekspozuar në librin “The Shadow Party: How George Soros, Hillary Clinton and Sixties Radicals Seized Control of the Democratic Party” e autorëve David Horowitz e Richard Poe. Në rastin e Glick shtohet preokupimi që ndryshimet në shoqëritë europiane të shkaktuara nga ardhjet masive të emigrantëve myslimanë mund të shkaktojnë një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të shteteve të veçanta dhe të Bashkimit Europian në kompleksin e tij ndaj Izraelit.

Pse ka ngecur mekanizmi i Sorosit

2. Soros është bërë kështu emblema e konspiratorit par excellance, i treguar nga e djathta dhe nga pjesë të së majtës radikale (atë që ai nuk e financon) si shkak i të këqijave të botës. Sipas mendimit tonë, Soros është në fakt një rast studimi themelor për të kuptuar dinamikat e pushtetit botëror, në të cilin ndërthuren financa, politika dhe manipulimi mediatik. Në rastin e tij kemi dy aspekte që ndërthuren midis tyre. Nga njëra anë përplasja ideologjike në brendësi të Shteteve të Bashkuara lidhur me vizionin e ardhshëm të shoqërisë amerikane; nga ana tjetër ripërcaktimi i raporteve ndërkombëtare të forcës, në dritën e dy linjave antagoniste të pranishme në lidershipin amerikan. E para parashikon vazhdimin e globalizimit financiar me drejtim amerikan, nëpërmjet traktateve të shkëmbimit të lirë (linja Obama–Clinton e mbështetur nga Wall Street e nga Soros); kurse tjetra propozon riindustrializimin e vendit, me krijimin e vendeve të reja të punës dhe nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare bilaterale për të modifikuar/zbutur marrëveshjet multilaterale (linja Trump, e mbështetur nga pjesë të ambienteve industriale dhe ushtarake).
Deri më tani globalizimi dhe ekspansioni i financës së Wall Street kanë kontribuar që të ruhet primati i Shteteve të Bashkuara si superfuqi globale. Nga ana e saj, financa anglo–amerikane i ka shërbyer fuqisë politike dhe ushtarake të Uashingtonit për t’u zgjeruar në botë dhe për të mbrojtur interesat e tij. Soros është një prej aktorëve të këtij dispozitivi, i veshur nga vizioni i tij i veçantë filozofik (“shoqëria e hapur”) dhe nga ambicia se dëshiron ta plazmojë botën mbi bazën e tij. Por mekanizmi ka ngecur. Perandorisë financiare i kundërvihet republika, populli i “blue collars” që ka humbur punën me delokalizimin prodhues të promovuar nga globalizimi. Jo rastësisht në disa uebsajte konspirative Sorosi paraqitet si Palpatine, Kancelari i Republikës që në sagën “Star Wars” komploton në hije për ta transformuar në perandori. Nevojës së riindustrializimit Shtetet e Bashkuara (ashtu si Mbretëria e Bashkuar në vizionin e Theresa May) i përgjigjen jo vetëm me një nevojë sociale, por edhe me imperativin strategjik për të mos e humbur bazën industriale që mbështet prodhimet luftarake amerikane. Në fakt, është e kotë të kesh agregues të mëdhenj sistemi si Boeing apo Lockheed Martin në qoftë se pastaj pjesët e avionëve luftarakë apo të sistemeve raketore prodhohen jashtë vendit.
Përplasja midis vizionit globalist dhe atij të përqendruar mbi mbrojtjen e interesit kombëtar, midis perandorisë globale dhe republikës shkon përtej figurës historike të Trump apo asaj sulfurore të Sorosit. Është në veprim një ripërkufizim i fuqisë amerikane dhe i strategjive për të mbrojtur primatin global të saj. Me fjalë të tjera, globalizimi që i ka shërbyer deri më tani projektit amerikan për të mbetur fuqia e parë botërore, duke i paguar pengun financës; tani asistohet në një ndryshim paradigme me politikën (ose më mirë gjeopolitikën) që kërkon të rimarrë avantazhin. Por përlasja në brendësi të elitës amerikane nuk është pa dhembje dhe nuk ka përfunduar aspak me zgjedhjen e Trump, aq më shumë që ndërthuret me debatin ideologjik lidhur me transformimet sociale në brendësi të Shteteve të Bashkuara, të cilave polemikat mbi emigracionin, jo aq mysliman sesa latinoamerikan dhe sidomos meksikan, i përbëjnë pikënisjen.
Edhe në këtë rast, Sorosi vendoset nga ana e hapjes ndaj të drejtave jo vetëm të emigrantëve, por edhe të komuniteteve LGBT. Kush propozon vizionin republikan mbron edhe një identitet të fortë kombëtar amerikan, të përqendruar mbi vlerat tradicionale, ndërsa vizioni i shoqërisë së hapur të Sorosit parashikon jo vetëm një mobilitet të fortë social, por edhe praninin e ideve dhe pozicioneve të ndryshme që, sipas kritikëve të tij, shkaktojnë një dobësim të identitetit kombëtar me humbjen e vizionit të interesave të Amerikës si shtet.

Cili është emri i vërtetw i Soros?

3. Dzjchdzhe Shorash, më pas i anglishtizuar në Xhorxh Soros, ka lindur në Budapest më 12 gusht 1930 në një familje hebreje jo praktikuese. Më 1944, Xhorxhi dhe familja u shpëtojnë persekutimeve naziste falë shkathtësisë së babait, Tivadarit, që korrupton një funksionar të qeverisë hungareze për ta kaluar Xhorxhin si birin për shpirt të një funksionari të Ministrisë së Bujqësisë. Ky e merr me vete manjatin e ardhshëm në turet e tij të konfiskimit të pasurive të hebrenjve hungarezë të dërguar në kampet e shfarosjes. Duke folur me të atin për këtë përvojë, Xhorxhi nxjerr tri mësime. E para, është e drejtë të marrësh parasysh rreziqe; e dyta, kur merr përsipër rreziqe, mos hidh në lojë gjithçka ke; e treta, ekziston një hendek midis perceptimit dhe realitetit. Dhe është mbi këtë mësim të fundit që Sorosi do ta bazojë veprimin e tij në fushën financiare dhe më pas sociale e politike. Një tjetër etapë themelore e formimit të djaloshit Xhorxh është London School of Economics, ku takon dy refugjatë vjenezë që do ta influencojnë mendimin e tij: ekonomistin Friedrich August von Hayek dhe filozofin Karl Popper.
Pas një përvoje të shkurtër në një agjenci financiare angleze në fundin e viteve pesëdhjetë, Sorosi transferohet në New York ku shfrytëzon dijen për tregjet financiare europiane dhe kompetencat gjuhësore (përveç hungarishtes dhe anglishtes, flet frëngjisht dhe gjermanisht) si konsulent për investitorët amerikanë që dëshirojnë të bëjnë biznes në Europë. Në vitin 1973, Soros (shtetas amerikan nga viti 1961) bashkë me Jim Rogers krijon Quantum Fund. Të dy ortakët sigurojnë menjëherë fitime të mëdha duke synuar tek industritë e armatimeve me teknologji të lartë në momentin në të cilin Shtetet e Bashkuara, të tronditur nga përvoja vietnameze, adoptojnë offset strategy e dytë, domethënë përballjen me superioritetin numerik sovjetik në fushën konvencionale jo vetëm me armët bërthamore (offset strategy e parë e adoptuar nga Eisenhower), por edhe me armë konvencionale high-tech.
Sorosi do të bëhet i famshëm në vitet nëntëdhjetë me spekulimet mbi stërlinën e liretën më 1992 e me ato në tregjet aziatike më 1997, që do t’i sjellin atij dhe nënshkruesve të tij fitime stratosferike, por që do të kenë pasoja sociale dhe politike të konsiderueshme për vendet e goditura. “Nuk e ndjej veten fajtor. Jam i impenjuar në një aktivitet amoral që nuk ka të bëjë aspak me fajësinë. (…) Nuk mund të shikoj tek pasojat sociale e asaj që bëj”, ka thënë në intervistë televizive të dhënë më 1998 për emisionin “60 Minutes”, në të cilën gjithsesi apelon për rregulla në menaxhimin e lojës financiare.
Një pohim që bie në kundërshtim me aktivizimin filantropik të Sorosit, i nisur pa bujë më 1979 dhe i transformuar në vijim në ndërmarrjen më të madhe të këtij lloji në nivel botëror. Pas një tentative të parë të dështuar në Afrikën e Jugut të aparteidit, fondacioni i parë filantropik i Sorosit krijohet në vendlindjen e tij në Budapest në vitin 1984. Një dështim i ri në Kinë në vitin 1986 pasohet nga hapja e shkollave të formimit menaxherial më 1988 në Poloni dhe më 1989 në Çekosllovaki e Rumani. Në vitin 1987 Sorosi tenton të penetrojë edhe në Bashkimin Sovjetik të atëhershëm në kulmin e gllaznostit, por dështon. Më 1990 krijon Open Estonia Foundation dhe institute të ngjashme në dy republikat e tjera balltike, Letoni e Lituani, për të ofruar kurse formimi menaxheriale, bursa studimi jashtë vendit dhe kurse anglishteje.
Pas rënies së Murit, Sorosi e rrit penetrimin e organizatave humanitare të tij në vendet ish-komuniste, deri në pikën sa bëhet një referim thelbësor për politikën ruse të administratës së Bill Clinton. Ky formon një trojkë për të menaxhuar raportet me ish-shtetet sovjetike, e formuar nga zëvendëspresidenti Al Gore, nga Lawrence Summers tek Thesari dhe nga Strobe Talbott në Departamentin e Shtetit. Ky i fundit emërohet ambasador shëtitës (ambassador-at-large) në Rusi dhe në shtetet e reja të pavarura. Talbott i drejtohet Soros si guidë për rajonin, duke shtuar që ta krahasojë me një qeveri aleate. “Politika e Sorosit”, deklaron Talbott për “New Yorker” më 1995, “nuk është identike me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, por është kompatibël me të. Është si të punosh me një qeveri aleate. Kërkojmë që ta sinkronizojmë qasjen tonë ndaj ish-vendeve komuniste me Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe me Xhorxh Sorosin”. Modeli ekonomik i inkurajuar nga Sorosi është ai i “terapisë së shokut”, e konceptuar nga ekonomisti i Harvard University Jeffrey Sachs, i cili më 1989 kishte marrë detyrën që të reformonte ekonominë e Polonisë. Sachs ishte financuar nga Stefan Batory Foundation i Varshavës, një entitet i krijuar për këtë qëllim nga Soros.
Pas refuzimit të Gorbaçovit për të adoptuar të njëjtat receta ekonomike në Bashkimin Sovjetik në fazë rënieje, në korrik të 1991 Sorosi sulmon publikisht liderin sovjetik, duke pohuar se reformat e tij janë të destinuara të falimentojnë, duke favorizuar kështu koncesionin e munguar të ndihmave ndërkombëtare për Moskën. Në gusht grushi i shtetit i dështuar e precipiton situatën që përfundon me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Jelcini imponin “terapinë e shokut” në një vend të papërgatitur për të kaluar sa hap e mbyll sytë nga një ekonomi e planifikuar në një ekonomi tregu, me varfërimin e përgjithshëm pasues të popullsisë dhe formimin e një klase të re pasanikësh të rinj, oligarkëve, që plaçkisin mbeturinat e ekonomisë sovjetike. Do të jetë sërish një ndërhyrje e Sorosit më 1998 ajo që provokon krizën e rublës, me një letër të botuar më 13 gusht nga “Financial Times”, ku deklaron se rënia e tregut financiar rus kishte arritur një pikë moskthimi. Kriza e 1998 e diskrediton përfundimisht Jelcinin dhe i hap rrugën Putinit, i cili bëhet kundërshtari i Sorosit në të gjithë zonën ish-sovjetike. Këtu shumë shpejt eksperimentohen të ashtuquajturat revolucione me ngjyra, sipas shembullit të atij që më 2000 çoi në rënien e Millosheviçit në Serbi.

Jan Kozak, komunisti që frymëzoi Sorosin

4. Sipas Horowitz e Poe, veprimi i Sorosit frymëzohet nga strategjia politike e hartuar në fundin e viteve pesëdhjetë nga teoricieni i Partisë Komuniste Çekosllovake Jan Kozak (për të mos e ngatërruar me trajnerin me të njëjtin emër të futbollit sllovak). Një presioni nga lart, domethënë të referentëve të futur në elitën e pushtetit, i shtohet një aksion nga poshtë nga ana e grupeve në dukje spontane që janë në fakt apostafat të organizuar. Këta të fundit adoptojnë teknikat e studiuara nga Gene Sharpe, teoricieni amerikan i revoltave jo të dhunshme. Me programet e tij të formimit, Sorosi kërkon që të fusë persona që u referohen ideve të tij në partitë dhe institucionet e vendeve ku tenton të favorizojë një kthesë politike dhe sociale. Në qoftë se kjo nuk mjafton, fondacionet dhe organizatat e tjera të financuara prej tij mund të favorizojnë lindjen e lëvizjeve të protestës lokale.
Formimi i lartë i liderëve të ardhshëm ka si pikë referimi Central European University (CEU) e krijuar më 1990, me seli në Budapest dhe në Pragë. Aktivistët e revolucioneve me ngjyra janë në fakt të formuar nga Centre for Applied Nonviolent Action and Strategies (CANVAS), një OJQ me qendër në Beograd, e krijuar nga dy ish-aktivistë të OTPOR-it, lëvizjes që ka ushqyer protestat që çuan në rënien e Millosheviçit. CANVAS-i, përveçse nga Open Society Foundation, merr financime edhe nga ente të tilla si National Endowment for Democracy (NED) dhe International Republican Institute (IRI) që nga ana e tyre financohen nga Kongresi amerikan, në një simbiozë midis interesave private të manjatit dhe atyre të qeverisë së Uashingtonit. Veprimi i Sorosit, që u bashkëngjitet projekteve të qeverisë amerikane për përmbysjen e qeverive jo të pëlqyera, ka vazhduar edhe nën presidencën e George W. Bush, megjithë armiqësinë e hapur të Sorosit ndaj tij.
Një levë tjetër e përdorur është ajo e favorizimit të investigimeve gazetareske ndërkombëtare lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe mbi korrupsionin e drejtuesve, veçanërisht në vendet afrikane dhe në ato të zonës ish-sovjetike. Rasti Panama Papers i menaxhuar nga Consortium of Investigative Journalists (ICIJ) që veç të tjerëve merr fonde nga Sorosi është përshkruar nga Julian Assange dhe nga shtypi rus si pjesë e një operacioni të qeverisë amerikane dhe Sorosit për të diskredituar Putinin. Për hir të së vërtetës, në numrin e madh të fajlave (11.5 milionë) të ardhur nga studioja ligjore Mossack Fonseca kanë dalë vetëm disa dokumente që do të provononin pjesëmarrjen e Sorosit në disa shitblerje armësh me Carlyle Group. Në Guine, Sorosi ka hyrë në një përplasje të ashpër me miliarderin izraelian Beny Steinmetz për kontrollin e një prej vendburimeve më të mëdha të hekurit në botë, atë të Simandou, duke financuar një investigim lidhur me tanxhentet e paguara nga ky i fundit enturazhit të Presidentit të ndjerë, Lansana Conte për sigurimin e koncesionit të shfrytëzimit të gjysmës së vendburimit. Investigimi është kryer nga Revenue Watch, një OJQ që lufton kundër korrupsionit ndërkombëtar dhe që merr financime nga Open Society Foundation. Falë veprimit ligjor të nisur nga Soros, Steinmetz është arrestuar në Izrael më 20 dhjetor 2016.

5. Në planin e politikës së brendshme amerikane, Sorosi është rreshtuar në anën e demokratëve, megjithëse duke mos përtuar të financojë fushatën elektorale të disa eksponentëve republikanë. Në gjirin e Partisë Demokrate, pika kryesore e tij e referimit kanë qenë bashkëshortët Clinton, megjithëse duke favorizuar ngjitjen politike të Barack Obamës fillimisht si senator dhe më pas si President më 2008. Më 2012, i zhgënjyer nga refuzimi i Obamës për ta takuar në Shtëpinë e Bardhë, nuk i ofroi financime, duke u kthyer që t’i luajë të gjitha letrat për Hillary. Humbja e Hillary Clinton ka bërë që të venitet ëndrra e Sorosit për të pasur në Shtëpinë e Bardhë një president të “tij”, ndërsa skandali i favorizimeve i Komitetit Kombëtar Demokrat ka shënuar partinë. Për të bllokuar Trump duket se është vënë në lëvizje një mekanizëm nga poshtë – manifestimet e disa mijëra demonstruesve – dhe nga lart – revolta gjykatësish dhe funksionarësh të lartë, ndërsa në Kongres kundërshtarët e tij e presin që t’i nisin një procedurë eventuale impeachment – që të kujton skemën e Jan Kozak. Por ndoshta jemi vetëm komplotistë.

Perandoria e Sorosit

Open Society Foundation (OSF, deri në vitin 2010 Open Society Institute), selia qendrore e të cilit ndodhet në New York, është organizata ombrellë nga e cila dalin nja 40 fondacione dhe entitete të ngjashme në të gjithë botën. Me një buxhet vjetor prej rreth 930 milionë dollarësh. Më opak është Foundation Open Society Institute me seli në Zug të Zvicrës, një qytezë e vogël që regjistron 13000 kompani për 26000 banorë. I njohur edhe si Stiftung Open Society Institute apo “OSI-Zug”, ky fondacion lëviz fonde në të gjithë botën dhe financon disa prej aktiviteteve të OSF-ve të tjera. Përveç organizatave të lidhura me Open Society ka edhe fondacione të ndryshme të promovuara nga familja Soros: Fund Charitable Foundation; Soros Humanitarian Foundation; Jennifer and Jonathan Allan Soros Foundation, i themeluar nga i biri Jonathan Soros dhe nga bashkëshortja e tij Jennifer Allan Soros; Iris Foundation, i drejtuar nga George Soros dhe nga ish-bashkëshortja Susan Weber Soros; The Enterprise Foundation, i drejtuar nga i biri Robert Soros dhe bashkëshortja e tij Melissa Schiff Soros; The Trace Foundation, i së bijës Andrea Soros Columbel, që promovon projekte humanitare dhe edukative në Kinë e në Tibet; Paul and Daisy Soros Foundation, përkatësisht vëllai i madh dhe kunata e George. Këto entitete financojnë nga ana e tyre organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, edukative e të tjera. Veç të tjerash, shumë prej këtyre operojnë në favor të emigrantëve dhe të pakicave të diskriminuara. Midis organizatave të sponsorizuara nga Sorosi janë Human Rights Watch, të cilës manjati më 2010 i ka dhuruar 100 milionë dollarë nëpërmjet Foundation to Promote Open Society, Tides Foundation (që ka mbështetur lëvizjen Occupy Wall Street), International Crisis Group, J Street (lobi amerikan proizrelian liberal që i kundërvihet American Israel Public Affairs Committee, AIPAC, i afërt me partinë Likud). Në nivel europian, Open Society Institute ka themeluar në vitin 2006 European Council on Foreign Relations (ECFR) me qëllimin, veç të tjerash, që t’u bëjë ballë “tensioneve në rritje në Europë ndaj pakicës myslimane”. Në fushën mediatike, Soros mbështet grupe për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe konsorciume gazetarësh investigues. Po përmendim disa: Committee to Protect Journalists; International Consortium of Investigative Journalists (ICIJ); Global Forum for Media Development; International Center for Journalists; International Communications Forum; International Journalist’s Network; Project Syndicate. Veç të tjerash, Soros kontrollon dy burime të rëndësishme informacioni për dhe lidhur me hapësirën ish-sovjetike: Transitions Online dhe Eurasia-Net. Soros është ndër financuesit e Poynter Institute, i zgjedhur nga Facebook për të menaxhuar sistemin e tij “anti fake news”. Së fundi, janë organizatat që denoncojnë korrupsionin dhe promovojnë qeverisjen e mirë, të tilla si Revenue Watch dhe Transparency International, si edhe dhjetëra grupe aktivistësh të mbështetur nga Centre for Applied Nonviolent Action and Strategies (CANVAS) në Beograd. Përveç se nga Sorosi, organizata të ndryshme të cituara sponsorizohen nga entitete qeveritare amerikane, kanadeze, britanike, gjermane apo nga entitete ndërkombëtare (OKB, BE), si edhe nga fondacione të tjera amerikane (Ford Foundation, Carnegie Foundation, Bill e Melinda Gates Foundation, Omidyar Foundation) dhe gjermane. Por rrjeti i manjatit hungarezo–amerikan është sigurisht shumë më i gjerë.

Luca Mainoldi

Përgatiti:
ARMIN TIRANA