Pse hesht Fatmir Xhafa për 2.2 tonët e drogës?

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa vazhdon të heshtë për 2.2 tonët e drogës së futur nga Porti i Durrësit në Ankona të Italisë. Nuk ka patur asnjë reagim as nga Ministria e Brendshme dhe as nga Policia e Shtetit për këtë sasi të madhe droge të futur në Itali nga porti më i madh shqiptar. Megjithëse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga sekuestrimi i tonelatave të drogës në Ankona, nuk ka patur asnjë të arrestuar nga zyrtarët përgjegjës, si në pikën e kalimit kufitar ashtu edhe në Policinë e Durrësit. Asnjë masë nuk është marrë ndaj drejtorit të Policisë Portit dhe drejtorit të Policisë së Qarkut të Durrësit, Perlat Çullhaj
Fatmir Xhafa njihet në opinionin publik shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar për lidhjet e tij me trafikun e drogës, por Rama e emëroi në krye të Ministrisë së Brendshme për të vijuar në “Drejtimin e duhur” ashtu si Tahiri. Agron Xhafa, vëllai i ministrit aktual të Brendshëm është përgjuar nga policia italiane për trafikun e drogës që ai bënte në zona të ndryshme të Italisë.
Në kohën që Fatmir Xhafa ishte kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, policia italiane solli në Shqipëri dhe i vuri në dispozicion policisë shqiptare të gjithë dokumentacionin, ku Agron Xhafa rezultonte si trafikant droge, por policia shqiptare nuk veproi.
Ministri Xhafa ishte i implikuar edhe në 8 tonelatat e drogës që kaluan lirisht me kamion nga dogana e Qafë Thanës dhe u bllokuan në Ankona. Njëri nga 4 doganierët e arrestuar në doganën e Qafë-Thanës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për lejimin e kalimit të kamionit me 8 ton drogë drejt Italisë ishte nipi të bashkëshortes së ministrit Xhafa.
Përgjegjësi direkte për kalimin e makinës me tonelata droge mban drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Perlat Çullhaj, por ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa nuk ka marrë asnjë masë ndaj tij. Gjatë katër viteve që Çullhaj drejton Policinë e Durrësit kanë kaluar tonelata droge drejt Italisë nga porti si dhe me gomone.
Akuza ndaj Çullhajt për trafik droge u hodhën dje edhe nga vëllai i njërit prej ministrave të qeverisë Rama. Leonard Koka, vëllai i ministrit Lefter Koka deklaroi dje për mediat se ishte mbajtur për rreth 3 orë në Policinë e Durrësit për të larguar vëmendjen e opinionit publik për trafikun e 2.2 ton droge nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Ai tha se u ndalua nga policia për drogën e drejtorit të Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj që u kap në Ankona.
Edhe Prokuroria e Durrësit është shprehur e shqetësuar prej kohësh për rritjen e trafikut të drogës nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Sipas organit të akuzës, Porti i Durrësit dhe Gjiri i Durrësit mbeten problematikë për trafikimin e drogës edhe për autoritetet italiane të hetimit të krimit. E megjithatë, në krye të policisë qëndron një kryetrafikant që ndan paratë me shefat e tij në qeveri.
Tonelatat e drogës janë futur në Itali nga Porti i Durrësit, pa asnjë problem. Mediat italiane shkruajnë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut.
Xhafa në krye të Ministrisë së Brendshme po vijon me të njëjtin intensitet trafikun e drogës drejt Italisë ashtu si Tahiri. Dhe qëllimi tashmë, jo vetëm që qeveritarët po pasurohen me trafikun e drogës, por një pjesë e mirë e parave të drogës do të përdoret për blerjen e votave.
Pasditen e të enjtes, policia italiane dhe Guardia di Finanza sekuestruan 2.2 ton drogë në Portin e  Ankonës në një kamion, i cili kishte ardhur nga Shqipëria dhe ishte nisur nga Porti i Durrësit.
Mediat e vendit fqinj raportojnë se, lufta kundër narkotrafikut ndërkombëtar e udhëhequr nga Doganat dhe nga Monopoli dhe Guardia di Finanza e Ankonës çoi në sekuestrimin e mbi dy tonë marijuanë. Droga është zbuluar në një ngarkesë që kishte në brendësi panele për ndërtimin e tavanëve që dukeshin të mbyllura mirë, të transportuara në bordin e një kamioni, i cili vinte nga Shqipëria.

R.POLISI