Protesta në Bruksel para KE: Rama ik!

Në Sheshin “Schuman”, përballë Komisionit Europian në Bruksel mijëra qytetarë shqiptarë, pjesë e komunitetit shqiptar atje, u ngritën në protestë në mbështetje të kauzës së ngritur nga opozita dhe shqiptarët në Shqipëri për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kauza e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Dhjetëra shqiptarë protestuan dje në Bruksel para Parlamentit Europian kundër vjedhjes së votës. Denisa Nela, mbesa e Havzi Nelës, teksa iu drejtua protestuesve u shpreh: “Jemi këtu të protestojmë dhe të sensibilizojmë Brukselin dhe Europën për rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga një qeveri e korruptuar dhe inkriminuar. Jemi këtu si shqiptarë të Belgjikës të kërkojmë ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar për të ndaluar shkatërrimin e demokracisë në vendin tonë. Jemi këtu të kërkojmë ndihmën e Europës që në Shqipëri të respektohet vota e lirë dhe të zhvillohen zgjedhje të lira. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira pa pastruar politikën e korruptuar që e ka mbushur qeveria e Edi Ramës, nuk mund të ketë zgjedhje të lira nëse nuk parandalohet kanabizimi i Shqipërisë, nuk mund të ketë zgjedhje të lira kur disa nga kriminelët më të rrezikshëm janë lënë të lirë me ndërhyrje qeveritare. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira me një Kryeministër të kapur nga krimi dhe mafia”.
Nga turma e protestës dëgjoheshin thirrjet: “Rama ik, Rama ik Rama ik!”. Duke mbajtur në duar parullat anglisht “Zgjedhje të lira dhe të ndershme”, “Mos toleroni krimin dhe korrupsionin në Shqipëri”, “Standarde europiane për Shqipërinë” dhe “Mos lejoni që Shqipëria të bëhet si Kolumbia” protestuesit kanë kërkuar nga institucionet europiane vëmendjen e duhur për procesin e zgjedhjeve demokratike dhe të lira në Shqipëri, si dhe për problematikën e krimit dhe të drogës në vend. Ata kanë kërkuar gjithashtu të drejtën për të votuar, si kontribues të rëndësishëm të mirëqenies në vend.
Protesta u përshëndet dhe nga lideri i opozitës Basha përmes një postimi në Facebook. “Kauza jonë është kauza e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. Sot, ne jemi të gjithë bashkë për zgjedhje të lira”, shkruan Basha në FB. Edhe ish-Kryeministri Berisha përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar protestën. “Mijëra qytetarë të komunitetit shqiptar në Bruksel protestuan sot para Parlamentit Europian kundër Ediskobarit, regjimit të tij të banditokracisë, në mbështetje të lëvizjes qytetare të votës së lirë dhe udhëheqësit të saj, Lulzim Basha!”.
Pas protestës së mbajtur dje para Komisionit Europian në Bruksel, komuniteti shqiptar i ka dorëzuar një peticion shefit të kabinetit të presidentit të KE, Jean Claude Juncker. Në përfundim të protestës, Këshilli Europian i shqiptarëve i ka dorëzuar një peticion të posaçëm Martin Seylmar, shefit të kabinetit të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Në këtë peticion, presidentit Juncker i kërkohet të inkurajojë dhe të ushtrojë presion mbi mazhorancën qeverisëse për t’u angazhuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe që Bashkimi Europian të mos mbyllë sytë para situatës kritike politike në Shqipëri.

Protestuesit, peticion presidentit të KE

“Ne i bëjmë thirrje Komisionit Europian t’i kushtojë rëndësi ngjarjeve politike në Shqipëri dhe të marrë hapat e duhur në mbështetje të të drejtave dhe interesave të popullit shqiptar, përfshirë këtu edhe të drejtën për të zgjedhur të lirë qeverinë. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Europian të inkurajojë, të shtojë presionin dhe të kushtëzojë partitë politike në Shqipëri, e në veçanti Partinë Socialiste që është në pushtet të angazhohet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Nuk mund të ketë dy klasa të drejtash dhe dy klasa për qytetarët europianë: të drejta reale për qytetarët europianë dhe të drejta të pjesshme apo pseudo të drejta për qytetarët jo anëtarë të BE. Niveli i lartë e i përhapur i korrupsionit, si dhe krimi i organizuar në Shqipëri ka minuar standardet e BE dhe po dëmton të drejtat dhe mirëqenien e popullit shqiptar. Kapja e shtetit nga interesat kriminale dhe përfshirja direkte e të inkriminuarve në Parlamentin shqiptar dhe institucionet kyçe në vend janë një kërcënim real dhe serioz për Shqipërinë dhe popullin e saj.
Për më tepër, mbledhja masive e plantacioneve me kanabis, si dhe mosgoditja e grupeve të trafikut kanë gjeneruar miliarda euro në duart e krimit të organizuar, çka ka sjellë përdorimin e këtyre parave për blerjen e shefave të policisë, gjyqtarëve dhe politikanëve. Ashtu siç shumë diplomatë të huaj dhe media kanë paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme, paratë e drogës do të përdoren për të blerë procesin e ardhshëm të zgjedhjeve me qëllim ruajtjen e status quo-së.
Bashkimi Europian nuk mund të qëndrojë i verbër ndaj kësaj situate kritike. Është që Bashkimi Evropian të kuptojë që qeverisja aktuale ka humbur legjitimitetin e saj dhe aftësinë e saj për të kontrolluar territorin, për të luftuar krimin dhe për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Është koha që BE të marrë masa për të shpëtuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme si dhe demokracinë në Shqipëri. Kjo mund të arrihet vetëm përmes krijimit të një qeverie teknike dhe jo politike, të përbërë nga intelektualë, të cilëve duhet t’iu lihet detyra për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të luftojë interesat kriminale nga vjedhja e zgjedhjeve.
Vlerat europiane dhe ato të BE kanë të bëjnë me popujt dhe jo me politikanët apo qeveritë. Të drejtat politike dhe demokratike të popullit shqiptar janë të kërcënuara seriozisht dhe ne i bëjmë thirrje Bashkimit Europian të vihet në anën e popullit shqiptar dhe të mbrojë të drejtat e tyre”.