Prokuroria konfiskon hotelin 1.5 milionë euro në Vlorë

Gjykata për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda për konfiskimin e një hoteli 5-katësh, së bashku me truallin ku është ndërtuar. Në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë biznesi është në pronësi të Shpëtim Brahimaj, Ky hotel u konfiskua se kjo pasuri është krijuar me të ardhurat e aktivitetit kriminal të djemve të tij, Ermal Brahimaj dhe Isuf Koka (Brahimaj), ky i fundit i vrarë në një atentat me tritol në gusht 2014.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezultoi se familjarët e Brahimaj nuk justifikojnë me burime të ligjshme financiare blerjen e truallit me sip. 2500 m2, në vlerën 150 mijë euro, si edhe investimin për hotelin, me sip., totale ndërtimi 3090 m2, me vlerë rreth 100 milionë lekë të reja.
Hetimi për këtë rast, fillimisht është ndjekur nga ana e Prokurorisë së Vlorës, në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë Vendore. Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, në vitin 2015 gjykata e qytetit vendosi sekuestron preventive dhe më pas, hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezultoi se, trualli dhe hoteli i regjistruar në emër të Shpëtim Brahimaj, është rrjedhojë e të ardhurave financiare nga aktiviteti kriminal i djemve të tij, Ermal Brahimaj dhe vëllait të tij, Isuf Koka (Brahimaj). Të dy djemtë e Shpëtim Brahimaj kanë precedentë penalë në Itali dhe në Holandë, ku ata shfaqen me emra të ndryshëm. Gjatë procesit gjyqësor për konfiskimin e pasurisë, Prokuroria për Krime të Rënda vendosi në dispozicion të gjykatës materiale, ku evidentohen të dhëna me interes për hetimin në drejtim të ekzistencës së procedimeve penale dhe proceseve gjyqësore ndaj shtetasit Ermal (Brahimaj) Bajrami (i njohur edhe me gjeneralitetet Bashkim Brahimaj dhe Ermal Memo), i biri Shpëtim, i datëlindjes 08.01.1982, lindur në Vlorë  dhe vëllai i tij, Isuf  Koka (Isuf Brahimaj), i biri i Shpëtimit, i datëlindjes 12.08.1972, lindur në Qishbardhë Vlorë.
Konkretisht: Për shtetasin Isuf Brahimaj, i datëlindjes 12.08.1972, lindur në Vlorë, Me vendimin e Gjykatës së Apelit Leçe është deklaruar fajtor për veprën penale të “Mbajtjes dhe transportimit të lëndëve narkotike” në bashkëpunim, duke e dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë, ndodhur më datë 20.01.2006 në Otranto.
Sipas vendimit të mësipërm, fakti kriminal për të cilën është dënuar ky shtetas është se në datë 20 janar 2006 kanë transportuar dhe mbajtur një sasi prej 351 kg lëndë narkotike e llojit marijuan e ndarë në 10 pako të fshehura në hapësirën e mbrapme të mjetit tip “Fiat Doblo”.
Sa më sipër, dokumentohet plotësisht se shtetasit Ermal Bajrami alias Bashkim Brahimaj dhe vëllai i tij, Isuf Koka alias Isuf Brahimaj, kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale dhe ndaj tyre janë zhvilluar disa procese gjyqësore penale, të cilat kanë përfunduar me vendime të formës së prerë.
Gjatë gjykimit, nga ana e Shpëtim Brahimaj janë ngritur pretendime lidhur me burimin e financimit për blerjen e truallit. Sipas tij, një pjesë e të ardhurave janë krijuar nga shitja e bagëtive në periudhën 1990-2006, si edhe nga të ardhurat e fëmijëve të tij në emigrim. Gjithashtu, në mbështetje të pretendimeve të tij, Shpëtim Brahimaj ka paraqitur në gjykatë edhe disa dokumenta huamarrje nga persona të tretë, për të cilat, gjatë shqyrtimit gjyqësor, rezultuan pa vlerë.
Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe vendosi konfiskimin e:
– Objekti truall me sip.parcele ndërtimore 2500 m2, lagja “Uji i Ftohtë” Vlorë, me pronar Shpëtim Brahimaj.
– Objekti ndërtesë pesë kate me sip.totale 3089 m2, lagja “Uji i i ftohtë” Vlorë, i regjistruar në emër të shtetasit Shpëtim Brahimaj.