Programi i PD, injeksion mbi 1 miliard euro në ekonomi

Taksa e sheshtë 9% është taksa që e rikthen Shqipërinë në hartën e konkurrueshmërisë rajonale. 9% tatimi mbi të ardhurat personale. 9% tatimi mbi fitimin. Zero tatimi mbi dividentin. 15% TVSH. 9% taksa e transferimit të pronës
“Biznesmeni dhe ministri që ulen bashkë, njëri nga të dy do të qërrohet. Ministri dhe biznesmeni që ulen bashkë, ulen për të bërë komplot kundër qytetarit, komplot kundër tregut. Kjo do të marrë fund”
Programi i Partisë Demokratike për rimëkëmbjen ekonomike parashikon injeksionin e 1 miliard eurove në ekonomi me qëllim rrëzimin e sistemit fiskal që qeverisja aktuale ka instaluar në vend, sisterm i cili ka çuar ekonominë e vendin në greminë ashtu si edhe ekonominë e çdo familjeje shqiptare. Në tryezën e debatit mbi stabilitetin politik dhe reformat të organizuara nga sipërmarrës shqiptarë, kryetari demokrat, Lulzim Basha diskutoi paketën fiskale të demokratëve dhe rëndësinë e një stabiliteti politik, i cili vë në lëvizje edhe ekonominë shqiptare. Por kjo, për Lulzim Bashën, vjen vetëm pas zgjedhjeve të lira e të ndershme. Basha tha për të pranishmit se, programi i forcës së tij politike do të mbështesë 47% të popullsisë që preket nga sektori i bujqësisë. Sipas tij, fermerët sot zhyten në borxhe sepse aktiviteti bujqësor është kthyer në jofitimprurës, pasi në këto katër vite Shqipëria ka pushuar së investuari në bujqësi. Çmimet e larta të produkteve bazë dhe rritja e taksave e ka rënduar edhe më tepër, sipas kryedemokratit Basha, jetën e fermerëve dhe sipërmarrësve në bujqësi. Për këtë arsye, shtylla e parë e programit të demokratëve bazohet tek kthimi i skemës së subvencioneve. “Ne planifikojmë një buxhet prej 1,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për bujqësinë shqiptare duke nisur nga viti i parë një shumë totale prej 150 milionë dollarësh, nga të cilat dy të tretat, pra 100 milionë euro do të përdoren për subvencionimin e drejtpërdrejtë të prodhimit blegtoral, të peshkimit, të blegtarisë dhe një e treta do të përdoret për investime në infrastrukturën ndihmëse të bujqësisë, që nga infrastruktura bazike”. Taksa e sheshtë 9% është taksa që e rikthen Shqipërinë në hartën e konkurrueshmërisë rajonale, tha Basha, sepse Shqipëria nuk mund ta ketë më shumë se vendet e rajonit. 9% tatimi mbi të ardhurat personale. 9% tatimi mbi fitimin. Zero tatimi mbi dividentin. 15% TVSH. 9% taksa e transferimit të pronës. Për kryedemokratin Basha, kjo përmbysje e sistemit fiskal llogaritet vetëm në vitin e parë me një injeksion në ekonomi mbi 1 miliard euro. Kryetari i PD foli edhe për rëndësinë e ligjeve, por sidomos të zbatimit të tyre, duke përmendur faktin se dekriminalizimi nuk po zbatohet sot nga qeveria. Basha tha se dështimi i djeshëm i reformës në drejtësi, nuk do të kushtëzojë mbarëvajtjen e vendit. Sipas tij reforma do të bëhet, ashtu siç do të bëhet edhe ajo elektorale, të cilën kryetari Basha e quajti edhe më të rëndësishme.

Fund takimeve të biznesmenëve me ministrat

Si pjesë të asaj që Partia Demokratike e konsideron program të Republikës së re, Lulzim Basha përfshin edhe ndërprerjen e lidhjes midis biznesmenëve dhe ministrave. Basha thotë se do të marrin fund takimet skutave dhe restoranteve, sipas tij, në të kundërt, çdo zyrtar i lartë, paralajmëron ai, do të duhet të dokumentojë qartësisht çdo takim. Për Bashën, takimet kokë më kokë midis ministrave dhe biznesmenëve nuk janë tjetër vetëm se komplote kundër tregut dhe qytetarëve dhe kjo është pengesë për zhvillimin. “Biznesmeni dhe ministri që ulen bashkë, njëri nga të dy do të qërrohet. Ministri dhe biznesmeni që ulen bashkë, ulen për të bërë komplot kundër qytetarit, komplot kundër tregut. Kjo do të marrë fund. Çdo ministër, autoritet i lartë që ulet kokë më kokë me një biznesmen që nuk e lidhin lidhjet familjare, do të duhet ta sqarojë mirë dhe ta dokumentojë qartë takimin. Në ato takime, ku që ndodhin, në zyrat e qeverisë, në restorante apo në skutat e qytetit apo në hotelet jashtë shtetit, aty komplotohet për koncesionet korruptive, për skena korruptive që nuk i shërbejnë sipërmarrjes. Cili është çelësi i prosperitetit të shoqërive evropiane? Stabiliteti? Jo. Është nënprodukti! Stabilitet ka pasur Shqipëria në 50 vite me Enver Hoxhën. Nuk ka rëndësi stabiliteti që mbështetet në një lojë të pistë, pa rregulla, pa shtet ligjor, pa konkurrencë është vdekjeprurës. Kjo është arsyeja që ekonomia është në ngërç, biznesi qahet, pse investitorët i vënë notën zero dhe pse Shqipëria është në këtë gjendje katastrofike ekonomike, nuk ka konkurrencë. Ecën përpara vetëm po të hapi telefonin kryeministri apo ministri. Po nuk pate lidhje me pushtetin je i mbaruar. Politika duhet që sipërmarrjen ta konsiderojë një forcë më vete dhe jo subjekt për t’u bërë servil i pushtetit”, u shpreh kreu i PD.

150 milionë euro investime në bujqësi

Duke premtuar 150 milionë euro investime në bujqësi, kryetari i Partisë Demokratike thotë se djersa e fermerit shqiptar do të jetë e njëjta me atë të fermerit gjerman. Gjatë një takimi me shoqatat e biznesit, Basha deklaroi se një pjesë e kësaj shume do të përdoret për subvencionim të drejtpërdrejtë, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për investim në sektorin e investimeve. “Shqipëria ka ardhur koha të marrë përgjegjësitë e saj në tregun rajonal, siç është ulja e kostos së ujitjes dhe mbulimi i gjithë sipërfaqes bujqësore me rrjet elektrik që sjell një ulje të kostos deri në 5 herë nga përdorimi i diezelit shqiptar”, tha kreu i PD. Basha deklaroi se produktet e importit do të kenë tarifa proporcionale. “Djersa e fermerit shqiptar do të peshojë njësoj si djersa e fermerit gjerman. Këtu nuk do të ketë nevojë dhe as fajde, as ndërhyrje të klientëve të qeverisë që sjellin këto produkte për të mbushur xhepat e tyre dhe qeveritarëve të korruptuar. Fermeri shqiptar do të jetë i pari dhe asnjë fermer tjetër nuk do të jetë i pari për qeverinë shqiptare. Kjo është një lojë e hapur dhe ne do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë siç përgjigjen vendet aktuale kur vjen puna për të mbrojtur prodhimet e tyre. Duhet të ndalojmë lojën kukafshehti se gjoja në emër të tregtisë së lirë, të lejojmë që produktet e subvencionuara të tregut evropian, të shtypim kokën dhe djersën e fermerit shqiptar. Me qeverinë e Partisë Demokratike kjo do të marrë fund derisa fermeri shqiptar të jetë në gjendje që përmes djersës së tij të sigurojë bukën e gojës dhe dinjitetin, por edhe rritjen ekonomike”, tha kreu i PD.

A.Shahini