Prisni datën 20!

Ftesat për futbollistët e kombëtares kanë filluar të dërgohen, por Xhani De Biazi konfirmon se nuk ka ndërmend që të bëjë asgjë publike deri në ditën kur të fillojë grumbullimi i përfaqësueses, më datë 20 mars. Tekniku i kuqezinjve ka një problem shumë të madh këtë radhë, pasi duhet të rindërtojë mbrojtjen ku mungesës së Gjimshitit i shtohet edhe dëmtimi i kohëve të fundit të Mavrajt.
“Është një vështirësi më shumë, por duhet të njihemi më mirë me situatën, ta kuptojmë, duke synuar ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundur. Kukeli në qendër? Mund të jetë një alternativë si të gjithë ata që do thirren. Nuk e di ende, nëse do të thirret Kukeli, nuk e dimë listën. Ajo që është e sigurt është se do të studiojmë mënyrën ideale për t’u përballur me Italinë sa më mirë që mundemi, për t’i krijuar ndonjë vështirësi më shumë kësaj skuadre”, deklaroi trajneri në një intervistë për “SuperSport”.
Tekniku preferon të mos bëjë publik asnjë emër të ri për listën, ndonëse kohët e fundit kanë qarkulluar shumë të tillë, ashtu si edhe tregon optimizmin për kthimin e Sokol Çikalleshit. “Trashi dhe Koliçi? I kam parë, i kam parë, bëni gjithë hipotezat. Të hënën në datën 20 do të mësoni nëse janë të vërteta apo fantashkencë.
Çikalleshi? Ka patur një problem të vogël fizik, por në të ardhmen me 99% do të grumbullohet. Duhet ta ketë kaluar problemin dhe në ndeshjen tjetër duhet të jetë në dispozicion për skuadrën e tij”, tregon De Biazi.
Ndonëse shkoi në Palermo për të parë kushtet për stërvitje, De Biazi ka vendosur që të grumbullojë kombëtaren në Durrës dhe drejt Italisë të udhëtohet vetëm në ditën para ndeshjes. Ai shpreson që në ditët që do të ketë në dispozicion, të arrijë të marrë më të mirën nga çdo lojtar që ka në dispozicion. “Përballemi me një skuadër të fortë me lojtarë në formë si Beloti, Insinje apo Kandreva, lojtarë me kualitet dhe që po luajnë me vazhdimësi. Ne duhet të përgatitemi jo me 100, por me 150% për t’ju kundërvënë. Lojtarët duhet të luajnë edhe disa ndeshje deri në atë sfidë dhe të shohim si do të arrijmë, por do përpiqemi të nxjerrim më të mirën tonë për t’i shfrytëzuar shanset. Ndeshjet nuk janë kurrë të humbura para se t’i luash. Duhet t’i luash dhe pastaj varet shumë se si i luan dhe si i përgatit”, tha ai.
Por gjatë kësaj kohë është folur edhe për çështje të tjera. Ndonëse De Biazi për mediat italiane flet vazhdimisht për ofertat që i mbërrijnë nga klubet, kur pyetet në Shqipëri, zakonisht mohon gjithçka, si në këtë rast. “Flisni gjithmonë ju, unë nuk flas kurrë, por të gjithë shkruajnë, unë e kuptoj që mediat duhet të nxjerrin lajme të reja. Unë nuk flas, të tjerët më atribuojnë gjëra apo skuadra, pastaj ju mendoni t’i rimerrni dhe nuk i verifikoni kurrë. Ky është dizinformim dhe jo informim”, ishin fjalët e teknikut.